Tregtari i mjegullës në provën e realitetit lokal!

24 gusht 2025 | 14:14

Shkruan: Adnan Thaçi

Nëse zgjedhjet qendrore janë skena e teatrit ku Albin Kurti del si kryeaktor me monologë të pafund patriotikë e propagantistik, atëherë zgjedhjet lokale janë realiteti ku perdeja hapet dhe publiku sheh boshllëkun pas skenës. Sepse aty propaganda nuk ka biletë hyrëse, aty qytetari nuk i ha më fjalët, por kërkon kush është në gjendje me i ndreq kanalizimet, me hap rrugë, me çelë vende pune, me mbajt shkollat me ngrohje. Dhe aty Vetëvendosje dështon me turp, sepse nuk ka as aktorë, as skenar, as organizim.

Në komunat e Kosovës, Kurti dhe partia e tij janë si një trupë amatore që del në skenë pa prova: shumë zhurmë, shumë gjeste, por kur ndizet drita, publiku sheh boshllëkun. Qytetarët e shohin qartë, ky nuk është subjekt real politik, por një eksperiment i rritur në laboratorin e propagandës, pa rrënjë në terren, pa kuadro që dinë t’i përballojnë sfidat e përditshme.

Në nivel qendror, Albin Kurti shet ëndrra si tregtar mjegulle. Por në nivel lokal, mjegulla shpërndahet shpejt. Atje ku fjala bie për rrugën që s’është shtruar, për qerdhen që s’u hap, për ambulancën që s’u ndërtua, propaganda plas si tullumbace. Një tullumbace që fluturon lart në qiell me shumë ngjyra, por që një gjilpërë e realitetit lokal e bën copë me një zhurmë qesharake.

Zgjedhjet lokale janë testi më i drejtë, aty nuk vlejnë fjalimet që mbushin sallat, aty nuk mjafton “na jemi ndryshe”, aty njerëzit duan veprime, duan kuadro, duan punë. Vetëvendosje nuk i ka këto, prandaj aty ku matet politika reale, ata shkrihen si bora në pranverë. Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Shtimes, Gjilanit e Kamenicës e kanë provuar këtë qeverisje të paaftë: shumë premtime, pak punë, e në fund zhgënjim total. Ironia më e madhe është se aty ku VV e pati mundësinë me tregu “ndryshimin”, i tregoi qytetarëve se ndryshimi ishte thjesht një poster elektoral.

Nëse në nivel qendror Kurti rri si mësues-diktator që jep leksione me grusht te ngritur, në nivel lokal ai s’ka nxënës, s’ka tabelë, as s’ka klasë. Është vetëm me një stilolaps në dorë që nuk shkruan asgjë.

Kjo është arsyeja pse VV humb komunat një nga një, sepse nuk kanë njerëz që dinë të qeverisin me punë konkrete. Janë mësuar të mbijetojnë me fjalime, por jo të ndërtojnë ura, shkolla, spitale, rrugë. Qytetari lokal nuk ka kohë për retorikë, ai do shërbime, dhe kur s’i merr, thotë: “mjaft ma me propagandë”.

Prandaj Vetëvendosje dëshmohet jo si forcë e re politike, por si subjekt i dështimit, një parti që flet për botën, por s’di me rregullu një lagje. Një parti që e ka të lehtë me fol për Perëndimin e Lindjen, por s’di me i mbajt dritat ndezë në një shkollë të Kosovës.

Në fund të ditës, zgjedhjet lokale e demaskojnë Kurtin e partinë e tij më shumë se çdo gjë tjetër. Sepse aty propaganda thyhet përballë realitetit. Aty qytetari nuk është spektator i mahnitur, por gjykatës i ashpër. Dhe gjykimi është i qartë, propaganda të çon deri te pushteti, por nuk të mban në pushtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Vetëvendosjes, Nezir Kraki, i pyetur se nëse nuk…