Treni që ndalet në stacionet e kombit

15 gusht 2025 | 19:38

Nga Arsim Sinani

Historia e shqiptarëve është një udhëtim i gjatë dhe shpesh i vështirë e me sfida. Për ta ilustruar këtë rrugëtim, po e përdor një metaforë të fuqishme: treni që ndalet në stacionet e kombit. Ai, treni, simbolizon proceset historike, shanset e kombit dhe momentet vendimtare kur shqiptarët duhet të jenë gati për të hipur dhe për të marrë drejtimin e tyre.

Një pikë kthese ishin demonstratat e vitit 1968, që thyen heshtjen e diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni dhe shënuan fillimin e një lëvizjeje më të vetëdijshme kombëtare. Në këtë kontekst, figura e Mehmet Riza Gegës, mësuesi që nuk hoqi dorë nga idetë e tij për flamur, komb e liri, merr një vend të veçantë. Ai tregoi se edhe një individ me vendosmëri dhe vizion mund të ndikojë në rrjedhën historike, duke shërbyer si udhërrëfyes për pjesëtarët e tjerë të komunitetit. Dhe Arbën Xhaferi pati shans të mësojë nga Gega edhepse dallimi mbetet te prakttika e Gegës në veprim dhe teoria e Xhaferit.

Arbën Xhaferi, ndërkohë, ishte një intelektual që kuptoi se, nëse nuk hipje në tren në kohën e duhur, mund të humbisje rastet që nuk kthehen më. Hyrja e tij në politikë nuk ishte produkt i një karriere të planifikuar; politika e zgjodhi atë si një thirrje e imponuar nga rrethanat historike. Ai iu përgjigj me vendosmëri dhe vizion, duke u bërë një udhëtar që jo vetëm hipi në tren, por edhe udhëhoqi pjesën e tij të lokomotivës nga Tetova drejt Shkupit, vendi ku duhej të ishin shqiptarët për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për të siguruar të drejtat e barabarta. Ishte atipik dhe shpesh merrte vendime që e shtyen para çështjen shqiptare, edhe atë në Maqedoni Veriore.

Në këtë kuptim, Tetova mbeti fusha e betejës së pamposhtur të shqiptarëve, por vizioni shtrihej më gjerë: Shkupi si qendër vendimmarrëse dhe më tej hapësira shqiptare e lidhur nga rrugë, lumenj dhe male. Këtu hyn edhe metafora e rrugës Tetovë–Prizren, që nuk është vetëm një arterie fizike, por një simbol i lëvizjes së ideve dhe njerëzve shqiptarë. Rruga shkon drejt maleve të Çiçavicës dhe zbrit më tej drejt brigjeve të Adriatikut dhe Jonit. Ajo përfaqëson binarin që lidh stacionet e brendshme të kombit me destinacionet ndërkombëtare, duke hapur portën e madhe të shqiptarëve drejt Evropës.

Në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë veriore, Marrëveshja e Prizrenit shënoi një vizion të hershëm të bashkimit dhe mbrojtjes të interesave kombëtare, ndërsa Marrëveshja e Ohrit përfaqëson një marrëveshje të rëndësishme mes shqiptarëve dhe maqedonëve, duke vendosur baza për stabilitet dhe të drejta të barabarta.
Sot Rruga Tetovë–Prizren, sa është metaforike po shkon drejt ndërtimit të një realiteyi të ri, dhe tregon se lidhja mes popujve është e mundur, duke favorizuar komunikimin, bashkëpunimin ekonomik dhe ndërveprimin kulturor. Ajo ripërsërit mesazhin e diplomacisë dhe bashkëjetesës që filloi me Prizrenin dhe u konkretizua në Ohër.

Shpesh, kur e shoh mënyrën sesi trajtohet Arbën Xhaferi, më kujtohet përbaltja që i bëhej brenda partisë dhe nga kundërshtarët politikë. Sot, shumë politikanë thurin fjalë të bukura për të, por idete e tij mbeten të pashfrytëzuara, njësoj siç thoshte vetë Xhaferi: të gjithë turpërohen të hanë “copën e fundit të mishit” kur janë bashkë, ndërsa politikanët nuk ngurrojnë të marrin gjithçka që u del para. Kjo tregon qartë se pa vendosmëri dhe integritet, edhe idetë më të forta mund të shfrytëzohen vetëm për bukuri publike, pa ndikim real në vendimmarrje.

Në katrahurën e politikës së sotme, disa elita po e përvetësojnë figurën e Arbën Xhaferit si teoricien dhe simbol të mendimit të thellë, por fatkeqësisht askush nuk ka guximin t’i vë në veprim idetë e tij, si lokomotiva që tërheq vagonët. Ato përdoren thjesht për t’u dukur bukur në publik, duke i shndërruar idetë e tij filozofike në dekor elegant politik, pa ndikim real në vendimmarrje.

Në këtë kontekst, siç thoshte babai im, Ramadan Sinani, politikanët janë të përkohshëm, por doktrina shqiptare është e përjetshme, si Kalaja e idesë shqiptare. Ajo nuk ka nevojë për fotografi e lavde, por për njerëz që e vendosin lokomotivën në veprim. Ky mesazh përforcon metaforën e trenit: idetë nuk janë thjesht dekor për publikun, por fuqia që tërheq vagonët dhe bën të mundur udhëtimin drejt së ardhmes.

Në përfundim, treni i kombit është një metaforë e fuqishme për historinë dhe të ardhmen e shqiptarëve: ai ndalet në stacionet ku vendoset fati i kombit, por për të përparuar, shqiptarët duhet të jenë të gatshëm, të lidhur mes tyre dhe të hapur drejt botës. Demonstratat e 1968-ës, vizioni i intelektualëve si Mehmet Riza Gega, e Arbën Xhaferi, marrëveshjet historike dhe rruga Tetovë–Prizren tregojnë se përparimi i kombit kërkon vendosmëri, veprim të guximshëm dhe bashkëpunim, dhe se idete nuk janë thjesht karamele për publikun, por lokomotiva që duhet të tërheqë vagonët drejt një të ardhmeje të fortë dhe të integruar.

Arbën Xhaferin e trajtojnë sot si plaçkë politikanët për ti mbuluar dobësitë e tyre, pasi skanë bë diçka konkrete, në trenin e kombit që shpesh e braktisin vetë, kush e di për çka….

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish i burgosuri politik dhe invalidi i luftës së UÇK-së,…