Tri të thëna për “Suzanën” e Aziz Mustafës

02 korrik 2020 | 12:49

1.
Një roman i shkruar me përkushtim, me sens të autorit model, me stil të udhëpërshkruesit, me gjuhë të zgjedhur të letërsisë dhe të mjekësisë njëkohësisht, me shenja dokumentare që, në fund, shkrihen në fiksion. Një roman që flet dhe prek kultura dhe qytetërime, histori personash dhe personazhesh, libra dhe përvoja jetësore që shtrihen nga Evropa në Azi herë në formë ditari të stisur e herë në trajtë kujtimesh të provuara. Të gjitha në një vepër autofiksionale të mbushur me aventurë dhe me erudicion / Agron Gashi, studiues, profesor letërsie

2.
Aziz Mustafa, me profesion të parë mjek, por me dell të veçantë poeti e prozatori, nuk i është paraqitur lexuesit shqiptar sa kanë vlerë veprat e tij në këto dy gjini. Njohuritë i tij për shkenca dhe për arte janë të pafundme dhe janë të paraqitura edhe në këtë vepër në mënyrë mjaft artistike. Duke kombinuar shkencën me artin, proza e tij, ashtu si një lloj parfumi i veçantë brenda romanit që personazhet i tërheq për hunde, na tërheq për hunde edhe neve dhe e bëjnë një prozë të këndshme dhe të lehtë për lexim. Prandaj, shpresoj shumë se me këtë prozë dhe me këtë botues emri i tij dhe vepra e tij do ta zënë vendin që e meritojnë në letërsinë shqipe / Imer Topanica, kritik

3.
Kjo prozë është nisur në Japoni, në kullën a kështjellën Aizuwakamatsu, kurse është bitisur në kohën e pandemisë Covid-19, në banesën e autorit përballë Teatrit të Qytetit në Gjilan. Të priturat dhe të papriturat e saj vlojnë nga dramat dhe nga tragjeditë e personazheve të cilët, me kujtimet që kanë shkruar në ditar ndër vite, të rrëqethin me natyrshmërinë dhe me befasitë e situatave nga jeta e tyre. Askush në këtë roman nuk është i sigurt për asgjë. Sot je, nesër nuk je. Vdekja shfaqet papritur, karshi saj edhe pikëllimi. Fatet e njerëzve të rinj e të vjetër parakalojnë para nesh sikurse gardat e nderit të ushtrive në ditë nderimi dhe ditë festimi, të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje / Shtëpia Botuese “Armagedoni”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 30-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut,…