Trump nuk po e sulmon NATO-n. Po e forcon atë

10 gusht 12:20

Marc A. Thiessen

Duke parë se Presidenti Trump ka vënë në bankën e të akuzuarve Gjermaninë dhe aleatët e tjerë, për shkak të ngurrimit të tyre për ta financuar NATO-n në masën e duhur me nevojat e mbrojtjes, demokratët në Uashington kanë nxituar të vihen në krah të Gjermanisë. Siç kanë deklaruar në një komunikatë të përbashkët Nancy Pelosi dhe Charles Schumer, respektivisht dy liderët e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, “fyerjet shpifarake dhe të pafytyra që Presidenti Trump ka lëshuar në adresë të Gjermanisë, një prej aleatëve më besnikë të Shteteve të Bashkuara, janë vërtet të turpshme”. Më vjen keq që t’ju kundërshtoj, por Trump ka të drejtë

Motivi i vërtetë i turpit është se Gjermania, një prej vendeve më të pasura evropiane, shpenzon thuajse 1.24% të PBB-së së saj për mbrojtjen, duke u renditur në mesin e më kurnaceve midis të gjitha vendeve të NATO-s (Shtetet e Bashkuara shpenzojnë 3.5% të PBB-së në sektorin ushtarak). Një kërkim i realizuar nga McKinsey vëren se rreth 60% e avionëve “Eurofighter” e “Tornado”, si edhe 80% e helikopterëve “Sea Lynx” në përdorim të aviacionit gjerman, faktikisht janë të papërdorshme. Sipas kanalit televiziv publik “Deutsche Welle”, një investigim i Parlamentit të Berlinit ka zbuluar se “në fund të 2017, asnjë nëndetëse dhe asnjë prej 14 avionëve transportues të aeronautikës ushtarake gjermane nuk janë në gjendje të fluturojnë, duke u gjendur të bllokuar për riparime” dhe se, sipas një raporti të Ministrisë së Mbrojtjes, “trupat gjermane nuk kanë një numër të mjaftuar tutash mbrojtëse, uniformash dimërore dhe çadrash fushimi që të mund të marrin pjesë në mënyrën e duhur në një mision të rëndësishëm të NATO-s”.

Mungojnë çadrat??? Është e pabesueshme. Për t’ju përmbajtur detyrimeve të veta në gjirin e Aleancës Atlantike, Gjermania do të duhet t’i shtojë 28 miliardë dollarë buxhetit ushtarak vjetor të saj. Në pamje të parë, Gjermania nuk duket në gjendje ta përballojë një shpenzim të tillë të mëtejshëm, por me sa duket është jashtëzakonisht e aftë që t’i dërgojë miliarda dollarë Rusisë – vend për t’u mbrojtur nga i cili është krijuar NATO – me qëllim që të blejë gaz natyror dhe të kontribuojë në ndërtimin e një gazsjellësi që do ta bënte Gjermaninë dhe vendet e Evropës Lindore akoma edhe më të dobëta ndaj Moskës.

Fatkeqësisht, Gjermania nuk është një rast i izoluar. Belgjika, që mirëpret selinë qendrore të NATO-s, shpenzon thuajse 0.9% të PBB-së së saj për mbrojtjen dhe, brenda kësaj shifre modeste, 1/3 e parave është e destinuar për pagimin e pensioneve. Të gjithë së bashku, aleatët evropianë të NATO-s kanë rreth 1.8 milionë ushtarë, por më pak se 1/3 e tyre është e përdorshme në operacione në terren dhe afër 6% e tyre është në gjendje të përballojë operacione për një periudhë të zgajtur.

Kur Donald Trump thotë se NATO është “demode”, pa kurrfarë dyshimi që ka të drejtë. Por ky problem nuk ka lindur dje. Jam ndodhur në Pentagon më 11 shtator të 2001 dhe e kujtoj shumë mirë se kur erdhi momenti për të vepruar kundër Afganistanit, vetëm një grup i vogël vendesh aleate kishte mjetet e kërkuara ushtarake për të përballuar fazat e para të vështira të Operacionit “Enduring Freedom”. Në samitin e NATO-s të mbajtur në vitin 2002 në Pragë, aleatët evropianë premtuan se do t’i zgjidhnin këto mangësi duke u impenjuar që të investonin të paktën 2% të PBB-së së tyre në sektorin ushtarak, me gatishmërinë për të alokuar fonde sidomos për teknologji dhe pajisje vërtet performuese. Në të vërtetë, fondet evropiane në mbrojtje kanë zbritur nga 1.9% e PBB-së në periudhën 2000 – 2004, në 1.7% 5 vite më pas, me një ulje të mëtejshme në 1.4% në vitin 2015.

Asnjë surprizë për faktin që kur NATO ndërhyri në Libi 10 vite pas 11 shtatorit, “The Washington Post” shkroi kështu: “Thuajse 1 muaj nga fillimi i operacioneve në Libi, NATO rezulton e privuar nga bombat e saktësisë, duke evidentuar vështirësitë e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe të aleatëve të tjerë evropianë në përballimin e një ndërhyrjeje relativisht të vogël në një hark kohor relativisht të gjatë”. Një aleancë qëllimi kryesor i së cilës është të parandalojë një agresion ushtarak ruse, po demonstrohej e paaftë të kryente një seri të kufizuar bombardimesh kundër një kundërshtari jashtëzakonisht më të dobët.

Presidenti Obama i quajti aleatët e NATO-s “free riders”, ndërsa Presidenti George W. Bush i ftoi evropianët që t’i rrisnin shpenzimet e tyre ushtarake. Asnjë prej të dy presidentëve nuk arriti kushedi se çfarë. Por sapo Presidenti Trump refuzoi vitin e kaluar që të konfirmojë se Shtetet e Bashkuara do ta respektonin Nenin 5 të NATO-s – me anë të të cilit çdo vend duhet të ndihmojë çdo aleat që sulmohet – evropianët pranuan menjëherë që t’i rrisin shpenzimet e tyre ushtarake me një total prej 12 miliard dollarësh. Por kjo nuk është përveçse një pikë në det: McKinsey ka llogaritur se aleatët evropianë duhet të shpenzojnë 107 miliardë dollarë më shumë çdo vit, në mënyrë që t’u përmbahen impenjimeve që duhet të përmbushin të gjithë. Duke parë se nxitjet e bëra nga paraardhësit e tij nuk kanë funksionuar, Trump ka reaguar me ashpërsi: në samitin e NATO-s ka kërkuar që çdo vend i Aleancës të dyfishojë investimet e tij ushtarake, për të arritur në 4% të PBB-së.

Në ndryshim nga sa kanë thënë disa kritikë, kjo nuk është aspak një dhuratë për Rusinë. Gjëja e fundit që Putini dëshiron është që Trump të arrijë të sigurojë një impenjim më të madh financiar të NATO-s dhe nëse aleatët e Shteteve të Bashkuara janë të frikësuara nga ngurtësimi ndaj Rusisë, ka një rrugëdalje të thjeshtë: të investojnë më shumë resurse për ta rritur fuqinë parandaluese të Aleancës dhe kapacitetin e saj për të përballuar një agresion eventual nga ana e Rusisë.

Pozicionimet drastike nga ana e Presidentit Trump nuk do të thonë se ai e konsideron NATO-n si të tejkaluar. Nëse Trump do të mendonte vërtet se nuk hyn më në punë, nuk do të humbiste kohë me një muhabet të tillë. Por është e qartë se nëse aleatët evropianë nuk kërkojnë që të ngrenë një sistem ushtarak më robust, atëherë NATO do të bëhet vërtet e kotë. Një aleancë që nuk është në gjendje të luftojë atëherë kur një prej anëtarëve të saj përfundon nën sulm apo që i mbarohen municionet mu në mes të një ndërhyrjeje operative, me definicion bëhet një strukturë e kotë. NATO ka nevojë vetëm për vëmendjet e duhura dhe Presidenti Trump po ua kushton. Në fund, falë tij Aleanca Atlantike do të dalë e forcuar.
/The Washington Post – Bota.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka…