Trumpi dhe modeli gjerman

02 maj 11:12

Nikolas Busse (FAZ)

Mund të ndodhë që evropianët të mos shpëtojnë dot javët e ardhshme nga një konflikt i ashpër me Qeverinë Trump, si në çështje tregtare, ashtu edhe në atë të Iranit. Disa gjëra që thotë Donald Trumpi për marrëdhëniet transatlantike janë thjesht absurde. Që NATO-ja u bën më shumë punë evropianëve se amerikanëve, siç u shpreh ai në vizitën e punës së kancelares në Uashington është, për shembull, një pohim i diskutueshëm.

Aleanca perëndimore u ofron Shteteve të Bashkuara prej vitesh qasje strategjike ndaj Evropës, njëri nga rajonet më të rëndësishme të politikës botërore. Po të mos ishte kështu, nga NATO-ja do të kishin hequr dorë që paraardhësit e Trumpit. Por presidenti ka të drejtë kur ua kujton tani gjermanëve se një aleancë kërkon një ndarje në njëfarë mënyrë korrekte të barrës. Merkeli e pranoi këtë në Uashington. Pyetja e madhe që shtrohet është nëse qeveria federale do t’i pasojë këto fjalë me më shumë vepra se deri tani.

Trumpin shumë qytetarë dhe politikanë e përjetojnë si fyerje, në mos si rrezik për stabilitetin e botës. Këto shqetësime janë pa dyshim të justifikuara po ta shohësh stilin nacionalist, impulsiv dhe të dashuruar me veten të Presidentit. Por përballë Gjermanisë, Trumpi rimerr një kritikë, të cilën e kanë shprehur para tij edhe partnerë të tjerë të vendit tonë. Pozicioni i Gjermanisë në botë karakterizohet prej shumë vitesh nga dy zhvillime, të cilat çojnë automatikisht në konflikte me aleatët: përmbajtja ushtarake dhe tepricat e mëdha në eksporte. Që në BE kjo ka çuar herë pas here në irritime, jo së fundi në Francë.

Në Evropë Gjermania është aq e fortë sa ta imponojë modelin e saj. Përballë Amerikës që vazhdon të jetë shumë e fuqishme puna bëhet më e vështirë, edhe sepse nuk ka më një interes të përbashkët sipëror si në kohët e Luftës së Ftohtë.

Mund të ndodhë që evropianët të mos shpëtojnë dot në një kohë të afërt nga një konflikt i ashpër me Qeverinë Trump, si në politikën tregtare, ashtu edhe në çështjen e Iranit. Por, pavarësisht nga kjo, është në interesin e mirëfilltë gjerman që ta bëjmë më pak të sulmueshëm modelin tonë.

Një fuqi ekonomike e mesme duhet ta garantojë sa të jetë e mundur më shumë vetë mbrojtjen e saj. Dhe kriza financiare ka treguar se investimi i kursimeve gjermane në botën e jashtme (kjo është ana tjetër e medaljes e tepricave në eksport), nuk është gjithmonë ide e mirë. Këtu janë kantieret e vërteta të ndërtimit të koalicionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Koresë së Jugut ka njoftuar se trupat amerikane…