Trumpi: Irani i sulmoi anijet në Gjirin e Omanit

14 qershor 2019 | 18:05

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump, e ka akuzuar Iranin për kryerjen e sulmeve kundër dy cisternave të naftës, të enjten në Gjirin e Omanit.

Trumpi i ka bërë këto komente në një intervistë për “Fox News”. Ai ka thënë se ShBA-ja nuk do të lejojë që aktivitetet e Iranit të mbyllin transportin ndërkombëtar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Komentet e Trumpit vijnë një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Qeveria amerikane ka vlerësuar se “Irani është përgjegjës” për sulmet në dy cisterna, njëra norvegjeze, tjetra japoneze.

Ushtria amerikane po ashtu ka publikuar një video, që tregon, siç është thënë një ekip nga patrulla e Gardës Revolucionare të Iranit duke hequr një minë të pashpërthyer nga njëra anije, pas sulmit.

Zyrtarët i kanë thënë “CNN”-it se Pentagoni beson se kjo ka qenë një përpjekje e forcave iraniane për të fshehur provat e përfshirjes së tyre.

Irani e ka mohuar çdo lidhje me sulmet.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, i ka cilësuar akuzat e Uashingtonit si “alarmante” dhe ka thënë se “akuzimi i Iranit për një incident të tillë të dyshimtë është mënyra më e thjeshtë dhe më e përshtatshme për Pompeon dhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së”.

Askush nga ekuipazhi i dy anijeve nuk është plagosur, raporton “Rel”.

Gjiri i Omanit ndodhet pranë Ngushticës së Hormuzit, që është një vendkalim për gati një të tretën e gjithë naftës që tregtohet nga deti.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e kanë akuzuar Iranin për sulme kundër katër cisternave të naftës pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Irani i ka mohuar akuzat.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
One Championship është një ndër sportet luftarake që në vete…