Zelensky: Ukraina dhe Rusia do të kryejnë shkëmbimin më të madh të të burgosurve ndonjëherë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të enjten se shkëmbimi i planifikuar i të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës do të jetë më i madhi i këtij lloji deri më tani, duke e cilësuar këtë zhvillim si “rezultat të vërtetë” të negociatave në vazhdim.
Duke folur për gazetarët pas takimit në Dublin me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trumpit, njëherësh të dërguarin e posaçëm, Jared Kushner, Zelensky ka thënë se pala ruse ka rënë dakord për një shkëmbim të të burgosurve.
“Ky do të jetë shkëmbimi më i madh i të burgosurve të luftës… Ky është një rezultat i vërtetë. Kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.
Duke iu referuar përparimit të shënuar gjatë bisedimeve në Abu Dhabi, Zelensky ka thënë se takimi i fundit ka ngjallur “shpresë” se lufta mund të marrë fund.
Ai ka thënë se priten takime të tjera dhe ka theksuar se çdo raund negociatash duhet të sjellë rezultate konkrete dhe t’i afrojë palët drejt përfundimit të konfliktit.
Zelensky ka thënë gjithashtu se përfaqësuesit evropianë do të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave si anëtarë të ekipit negociator dhe jo si pjesëmarrës të veçantë.
“Ata do të kenë zërin e tyre. Kjo është e rëndësishme për ne, sepse lufta po zhvillohet në Evropë dhe në të ardhmen do të jemi anëtarë të BE-së. Prandaj, është shumë e rëndësishme. Për prosperitetin dhe garancitë e sigurisë, është shumë e rëndësishme që Evropa të jetë e përfshirë”, ka thënë ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin, është takuar të enjten në Moskë me Witkoffin dhe Kushnerin, një ditë pas përfundimit të raundit të fundit të bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Washingtoni në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.



