Trumpi: Kina është pajtuar për ulje të tarifave në importet e veturave të ShBA-së

03 dhjetor 2018 | 13:54

Pekini do të “zvogëlojë dhe largojë” tarifat prej 40 për qind që ka vendosur Kina në veturat amerikane që janë importuar në Kinë, ka thënë presidenti amerikan, Donald Trump.

Kina nuk ka komentuar njoftimin e presidentit Trump, që ka bërë në llogarinë e vet në “Twitter”.

Në rast se ky vendim konfirmohet, do të ishte shumë i mirëpritur për industrinë e veturave, në kohën kur është përshkallëzuar lufta tregtare ShBA-Kinë.

Presidenti Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping janë pajtuar tani për një armëpushim me qëllim zgjidhjes së konfliktit.

Gjatë një darke të organizuar në samitin e 20 vendeve më të industrializuara, ata janë pajtuar për të mos rritur tarifat për 90 ditë, ashtu që të kenë mundësi për të biseduar.

Një dështim i arritjes së marrëveshjes në mes të dy liderëve do të rezultonte me rritje të tarifave nga 10 për qind në 25 për qind në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të hapte rrugën për tarifa amerikane shtesë në mallrat kineze.

Të hënën, ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se presidentët e Kinës dhe SHBA-së kanë udhëzuar ekipet e tyre ekonomike për të punuar drejt largimit të të gjitha tarifave, ka transmetuar “Reuters”.

Presidenti Trump ka arsyetuar vazhdimisht masat e tij ndaj Kinës, me ato që i ka cilësuar si “praktika të padrejta tregtare” të këtij shteti ndaj ShBA-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendi me pasaportën më të…