Trumpi nuk beson se mund të arrihet marrëveshje për murin

28 janar 2019 | 18:22

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është skeptik për arritjen e një marrëveshje për sigurinë e kufijve, përpara se financimi i Qeverisë të skadojë sërish muajin e ardhshëm.

Trumpi i dëshiron 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën, që do të pengonte hyrjen e emigrantëve në ShBA, por Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, refuzon.

Mosmarrëveshjet kanë çuar në mbylljen më të gjatë të Qeverisë amerikane në histori.

Trumpi, të premten e kaluar, i është nënshtruar presioneve në rritje dhe e rihapi qeverinë pas 35 ditësh.

Kongresi tani duhet të negociojë një projektligj të ri të financimit deri më 15 shkurt, për të shmangur një tjetër mbyllje të Qeverisë.

I pyetur nëse do të pranonte më pak se 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit, Trumpi ka thënë shkurt: “Dyshoj. Duhet ta bëj ashtu siç duhet”.

Një komitet ligjvënësish nga të dyja palët do të negociojë marrëveshjen, por Trumpi ka thënë se shanset për arritjen e saj janë “më pak se 50 me 50”, raporton “Wall Street Journal”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Era Istrefi ka “tronditur” rrjetet sociale me një fotografi të…