Trumpi paralajmëron Rusinë kundër ndërhyrjes në zgjedhje

11 dhjetor 2019 | 11:54

Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov kundër çfarëdo “përpjekjeje për të ndërhyrë” në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara dhe “i ka bërë thirrje Moskës për të zgjidhur konfliktin me Ukrainën”, është thënë në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, pas takimit mes dy zyrtarëve në Uashington.

Trumpi ka theksuar se mbështet “kontrollin efektiv të armëve në botë”, duke përfshirë jo vetëm Rusinë, por edhe Kinën.

Trumpi i ka kërkuar Rusisë mbështetje në të ndalurit e Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore, si dhe në sigurimin e denuklearizimit të Koresë Veriore.

Vizita e Lavrovit vjen një ditë pas bisedimeve katërpalëshe në Paris në mes të Rusisë, Francës, Gjermanisë dhe Ukrainës, për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është takuar po ashtu me Lavrovin, të cilët kanë treguar pak shenja të përparimit në marrëdhëniet ShBA-Rusi.

Megjithatë, Pompeo ka shprehur bindjen se kjo situatë do të ndryshojë.

Të dy kanë diskutuar një varg çështjesh ndërkombëtare, duke përfshirë denuklearizimin e Koresë Veriore, ndryshimin e udhëheqësisë në Venezuelë si dhe ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA.

Marrëdhëniet ShBA-Rusi janë në nivelin më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014, ndërhyrjes së saj në zgjedhjet amerikane, fushatat e dezinformimit dhe sponsorizimit të vrasjeve në botë.

Rusia mohon ndërhyrjen në çështje të brendshme dhe përfshirjen në vrasje pavarësisht të dhënave që e thonë të kundërtën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Liverpoolit, Sadio Mane, është në “radar” të kampiones…