Turqia fokusohet te gjurmimi i rasteve me Covid-19

01 maj 2020 | 12:55

Me më shumë se 120 mijë persona të infektuar, Turqia është nga vendet më të prekura me koronavirus, por situata atje shpresohet se po menaxhohet përmes gjurmimit dhe metodave të veçanta të trajtimit të të sëmurëve.

Turqia është vendi i shtatë në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus.

Mbi 120 mijë persona atje bartin infeksionin dhe 3 mijë të tjerë nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes.

Por autoritetet vërejnë se trendi i vdekshmërisë prej ditësh ka hyrë në fazën rënëse dhe masat e karantinës po e mbajnë nën kontroll pandeminë.

Mijëra ekipe mjekësh shpërndahen çdo ditë në terren për të gjurmuar kontaktet e të infektuarve.

Në kryeqytetin e vendit, në Ankara, të dhënat e tyre koordinohen me sallën qendrore, dhe të sëmurët me Covid-19 udhëzohen të mbyllen në shtëpi për dy javë, edhe sikur të mos shfaqin simptoma.

“Në terren kemi 5,849 ekipe gjurmuese, që kanë identifikuar deri tani 468 mije persona si pjesë e zinxhirit të pacientëve me koronavirus. Çdo rast i konfirmuar kontakton mesatarisht me 4-5 veta. Rreth 99 për qind e tyre janë në monitorim,” tregon Fahretin Koça, ministri turk i Shëndetësisë.

Pandemia në vend thuhet se ka arritur kulmin e saj.

Turqia vlerëson se sallat e saj spitalore të kujdesit intensiv janë në kapacitetet e duhura falë praktikës së transferimit të pacientëve në një fazë të vonë të sëmundjes.

Ndërkohë që përdorimi i hershëm i oksigjenit me presion të lartë, në vend të intubimit, kur të sëmurët shfaqin vështirësitë e para respiratore, por edhe injektimi i hidroksiklorokinës te rastet më të rënda, ka shkurtuar periudhën e shërimit.

Shoqata e Mjekëve Turq është shprehur më parë se në bilancin zyrtar të viktimave nuk përfshihen rastet e pacientëve që mund të vdesin nga Covid-19 por që nuk janë testuar si bartës të infeksionit.

Që nga zbulimi i rastit të parë, më 11 mars, Turqia aplikon metodën e testimit në masë duke kryer përditë deri 40 mijë të tilla në një popullatë me mbi 80 milionë banorë.

Situata me karantinën pritet të normalizohet në fundin e majit, ndërsa deri në mbylljen e muajit të Ramazanit, regjimi i shtetrrethimit të plotë do të aplikohet çdo fundjavë duke nisur nga e premtja.

/Ora News.tv/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Joe Biden, kandidati potencial i demokratëve për garën për president…