Turqia kundër anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, deklarohet presidenti finlandez

17 maj 2022 | 13:02

Turqia është deklaruar kundër anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Pavarësisht kësaj,  presidenti finlandez,  Sauli Niinisto, ka thënë se Finlanda dhe Suedia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Turqinë lidhur me kundërshtimin e Ankarasë që këto dy shtete nordike t’i bashkohen aleancës së NATO-s.

“Deklaratat nga Turqia kanë ndryshuar shpejt dhe u bën më të ashpra gjatë ditëve të fundit. Por, jam i sigurt se me ndihmën e diskutimeve konstruktive, ne do të arrijmë ta zgjidhim këtë situatë”, ka thënë Niinisto.

Suedia më 17 maj zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake perëndimore, NATO, ndërsa Finlanda pritet që ta bëjë të njëjtën gjë së shpejti. Këto dy shtete kanë argumentuar se pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë.

Më 16 maj, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, sërish ka shprehur kundërshtimin e tij për anëtarësimin e këtyre dy shteteve në NATO.

Ai ka thënë se këto dy shtete kanë dështuar të kenë një qëndrim të fortë kundër militantëve kurdë dhe kanë vendosur sanksione ushtarake ndaj Turqisë.

“Asnjëri nga këto dy shtete nuk ka një qëndrim të hapur, të qartë dhe të fortë kundër organizatave terroriste”, ka thënë Erdogani.

“Ne nuk mund të themi ‘po’ për ata që kanë vendosur sanksione ndaj Turqisë për anëtarësimin në NATO, që është një organizatë e sigurisë”, ka thënë lideri turk.

Madje, Erdogani ka thënë se delegacionet e Suedisë dhe Finlandës, që pritet këtë javë të qëndrojnë në Turqi, nuk duhet të vizitojnë shtetin turk nëse ata shpresojnë që ta bindin Ankaranë për të ndryshuar mendje sa i përket anëtarësimit të tyre në aleancën ushtarake perëndimore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për…