Turqia thotë se ka zënë motrën e al-Baghdadit në Siri

05 nëntor 2019 | 11:13

Turqia ka thënë se ka zënë motrën e liderit tashmë të vdekur të grupit militant, Shteti Islamik (IS), Abu Bakr al-Baghdadi në veri të Sirisë.

Agjencitë e lajmeve “Reuters” dhe “AP” kanë cituar një zyrtar të ketë thënë se Rasmiya Awad, 65-vjeçare, burri dhe gruaja e djalit të saj janë ndaluar më 4 nëntor.

Ky zyrtar, që ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se të tre personat kanë qenë të shoqëruar nga pesë fëmijë afër një qyteze të kontrolluar nga Turqia në veriperëndim të Sirisë.

I njëjti zyrtar e ka konsideruar arrestimin “minierë ari” duke shpresuar se personeli i inteligjencës do të mbledhë informacione nga motra e Baghdadit për punën e IS-it.

Pas vdekjes së Baghdadit muajin e kaluar, një person me emër Abu Ibrahim al-Hashemi al-Qurayshi është emëruar lider i grupit ekstremist më 31 tetor.

Baghdadi, i cili ka udhëhequr militantët e grupit Shteti Islamik nga viti 2014, ka vdekur më 26 tetor gjatë një bastisjeje të forcave speciale amerikane në veriperëndim të Sirisë.

Pavarësisht pse ky grup tani ka humbur kontrollin e pjesës më të madhe të territorit që dikur ka zotëruar në Siri dhe Irak, Shteti Islamik vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kazakistani, Sudani, Brazili dhe shtete tjera janë renditur më së…