Turqia urdhëron arrestimin edhe të 170 ushtarëve tjerë
20 shkurt 2018
| 11:05
Autoritetet turke kanë lëshuar urdhër-arreste për 170 njerëz, nën dyshimet se kanë lidhje me klerikun fetar, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në vitin 2016.
Agjencia e lajmeve “Anadolu” ka raportuar se në shënjestër për arrestim janë ushtarakë të pensionuar apo në shërbim dhe se 22 prej tyre janë burgosur mëngjesin e sotëm.
Në 19 muajt pas përpjekjes për puç, Turqia ka burgosur mbi 50.000 njerëz, ndërsa ka pezulluar ose pushuar nga puna rreth 150.000 të tjerë.
Qeveria turke i hedh poshtë shqetësimet e grupeve të të drejtave të njeriut, duke thënë se vetëm një spastrim i tillë mund të neutralizojë kërcënimin që paraqet rrjeti i Gulenit. (Rel)