U bë përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Granteve nga komunat për vitin 2022

14 mars 2022 | 12:56

Kryeministri Albin Kurti ka kryesuar të hënën takimin e Komisionit të Granteve, ku u bë përzgjedhja e anëtarëve të rinj nga radhët e kryetarëve të komunave për Komisionin e Granteve për vitin 2022.

Në takim morën pjesë: ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Resul Makreshi, kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfer, Armend Muja, si dhe kryetarët e komunave, të përzgjedhur me short vitin e kaluar: kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, si dhe kryetari i komunës së Parteshit, Dragan Petkoviq.

Qëllimi i këtij takimi ishte hedhja e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Granteve nga Komunat për vitin 2022.

Zgjedhja e anëtarëve nga radhët e komunave u bë përmes dy shorteve të veçanta, të cilat mbahen në bazë vjetore nga Komisioni i Granteve.

Sipas procedurës, të gjitha komunat e Kosovës ishin të përfshira në short për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Komisionit të Granteve.

Shorti u zhvillua në dy faza, ku në fazën e parë ishte hedhja e shortit për përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj nga kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës, dhe në fazën e dytë ishte hedhja e shortit për përzgjedhjen e një anëtari të ri nga kryetarët e komunave pakicë të Republikës së Kosovës.

Anëtarët e rinj të Komisionit të Granteve nga komunat, të përzgjedhur me short për vitin 2022 janë: kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni dhe kryetari i Novobërdës, Sasha Millosheviq.

Komisioni i Granteve, sipas Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, është mekanizëm që përfshinë përfaqësues të institucioneve të ndryshme në nivelin qendror dhe lokal. Roli i Komisionit është të aprovojë grantin e përgjithshëm, si dhe grantet specifike për shëndetësi dhe arsim në nivelin lokal, gjë që reflekton mbi rëndësinë e punës së këtij Komisioni.

Parimet, kriteret dhe formulat e zbatuara për ndarjen e granteve qeveritare për financimin e komunave bazohen në këtë ligj dhe tabelën e projeksioneve makro-fiskale, e cila përgatitet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Komisioni i Granteve do të takohet sërish në muajin prill për të diskutuar dhe aprovuar financimin komunal për vitin 2023, dhe gjithashtu orientimet për vitet 2024-2025, bazuar në prioritetet strategjike të Qeverisë në fushën e marrëdhënieve fiskale ndërqeveritare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edhe sot kanë vazhduar protestat e ukrainasve në Melitopolit të…