UÇK-ja nuk është organizatë terroriste, por ushtri që lufton kundër një ushtrie tjetër (13)

11 dhjetor 2023 | 11:27

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (13)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së trembëdhjetë ka folur për koordinimin e mbështetjes së gjithanshme të UÇK-së, duke përmendur këtu takimet në atë kohë me përfaqësuesit e institucioneve të Shqipërisë. “Gjatë takimit u detajuan modalitetet e ndihmës që shteti shqiptar mund të jepte për luftën çlirimtare dhe të gjithë u ndamë tepër të kënaqur me gatishmërinë e qeverisë së Shqipërisë të na ndihmonte në të gjitha aspektet”, ka treguar Bardhyl Mahmuti.

“Epoka e re”: Kërkesë e vetme e SHBA-së ishte që takimet të mos bëheshin publike nga ana e UÇK-së përpara se një gjë të tillë ta bënin amerikanët. Pas takimit me ambasadorin Robert Gelbard, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Lee McClenny doli në konferencë për shtyp dhe e konfirmoi takimin që kishit pasur, ndërkaq për takimin me ambasadorin Richard Holbrooke, gjatë konferencës me gazetarë në Crans Montana të Zvicrës, ai personalisht e konfirmoi se ishte takuar me përfaqësues politikë të UÇK-së. Megjithatë gjatë gjithë periudhës së luftës nuk doli askush nga ju të sqaronte se kush ishte takuar me diplomatët amerikanë. Kur u kuptua nga anëtarët e tjerë të Kryesisë së LPK-së e vërteta për këto takime?

Bardhyl Mahmuti: Kjo ndodhi gjatë takimeve zyrtare që kishim me bartësit e institucioneve shtetërore në Shqipëri. Gjatë muajit gusht 1998, në periudhën më të vështirë të ofensivës së forcave serbe, kryetari i LPK-së, Bedri Islami, organizoi takime shumë të rëndësishme me presidentin, me kryeministrin, dhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Që të kuptohen rrethanat e asaj kohe, e shoh të rëndësishme të përmend faktin se Shqipëria kishte dalë nga krizat më të rënda që nga koha e shpalljes së pavarësisë. Më 24 janar 1997 shpërtheu një revoltë në Lushnje, e cila mori karakter të përgjithshëm dhe shndërrua në një luftë civile me pasoja shumë të mëdha (mbi 3800 persona të vrarë, nga të cilët 360 policë, dhe rreth 5000 të plagosur). Si rezultat i kaosit të përgjithshëm që mbretëronte në Shqipëri, më 28 mars 1997, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për vendosjen e trupave shumëkombëshe në Shqipëri (Misioni Alba), i cili do të siguronte rendin dhe qetësinë në vend. Rebelimi mori fund më 24 korrik 1997, ndërkaq forcat paqeruajtëse ndërkombëtare u larguan nga Shqipëria më 11 gusht 1997. Me një fjalë, pikërisht në kohën e shpërthimit të luftës çlirimtare në Kosovë, margjina e veprimit të pavarur të shtetit shqiptar ishte tejet e kufizuar. Për këtë arsye organizimi i takimeve të lartpërmendura ishte e një rëndësie të veçantë, sepse synonte koordinimin e mbështetjes së gjithanshme të UÇK-së.

Pas takimit me presidentin e Shqipërisë, z. Rexhep Mejdani, patëm takim me kryeministrin e Shqipërisë, z. Fatos Nano. Takimi në kryeministri ishte i veçantë, sepse filloi në orën 20 dhe zgjati deri në ora 2 pas mesnatës. Kryeministri shqiptar shoqërohej nga z. Kastriot Islami, zëvendëskryeministër, z. Vladimir Prela, këshilltari politik dhe nga Perikli Teta, ish ministër i brendshëm i Republikës së Shqipërisë. Në dallim nga takimi me presidentin Mejdani, ku ishin të gjithë anëtarët e kryesisë së LPK-së, në takim me kryeministrin Nano mungonte Ibrahim Kelmendi, i cili udhëtoi për në Kinë, dhe Sejdi Gega, për arsye që nuk më kujtohet tani. Në krye të delegacionit ishte udhëheqësi  i organizatës, Bedri Islami, dy nënkryetarët (Jashar Salihu dhe unë), Ali Ahmeti, Agush Buja dhe Xhavit Haliti, i cili nuk ishte anëtarë i kryesisë, por erdhi si ngarkuar i organizatës për  Shqipërinë dhe anëtarë i Sektorit të veçantë të LPK-së.

Disa anëtarë të kryesisë së organizatës njiheshin personalisht me kryeministrin e Shqipërisë shumë kohë më parë, ndërsa unë e kisha takuar për herë të parë në Crans Montana. Fillimisht z. Nano bëri një përmbledhje të shkurtër të situatës ndërkombëtare në raport me luftën e Kosovës dhe vuri theksin në një klimë më të favorshme për kauzën tonë kombëtare pas ndryshimit të qëndrimit amerikan ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë këmbënguli disa herë që të ishim maksimalisht të kujdesshëm me qëllim që ndihma që do t’i jepej UÇK-së të mbetej konfidenciale.

Në këtë kontekst, Ali Ahmeti iu drejtua miqësisht kryeministrin Nano, në formë ankese: “Shoku Fatos, dikush po takohet me diplomatë amerikanë dhe kryesia e LPK-së nuk është në dijeni as kush e ka përfaqësuar UÇK-në, as çfarë është biseduar gjatë atyre takimeve.”

Me të njëjtën gjuhë miqësore ia ktheu edhe kryeministri Nano: “Dëgjo o Abaz Gjuka! Kam lexuar raportet amerikane për ato takime. Të garantoj se as unë, as ti dhe as ne të dy së bashku nuk do të kishim mundur ta arsyetojmë më mirë luftën e UÇK-së sesa që e ka bërë Bardhyl Mahmuti. Falë atij prezantimi të shkëlqyer të platformës së luftës së armatosur në Kosovë është hequr cilësimi i UÇK-së si organizatë terroriste dhe sot amerikanët e konsiderojnë UÇK-në si ushtri që lufton kundër një ushtrie tjetër. Përndryshe, pa mbështetjen e SHBA-së nuk do të mund të realizonim aspiratat tona kombëtare edhe në rast se të gjithë shqiptarët bëhemi bashkë! Ka të tillë që mendojnë se kjo luftë mund të fitohet edhe nëse Amerikën e kemi kundër! Unë u them prerazi: jo!”

Në këtë rast, kryeministri Nano tha edhe disa romuze që nuk janë për publikun, që megjithatë kishin për synim tërheqjen e vërejtjes për seriozitetin e qasjes që duhej të kishim. Këtë formë të çuditshme të komunikimi të tij e kuptova më mirë kur doli në publik nga Wikileaks një nga kabllogramet konfidenciale të Ambasadës Amerikane në Tiranë, në të cilin ambasadorja Mariza Lino përshkruante Fatos Nanos si “serioz edhe kur bën shaka”!

No description available.

Kryeministri Nano nuk e kishte ditur se unë dhe Ramadan Avdi kishim respektuar tërësisht kërkesën e SHBA-së lidhur me konfidencialitetin e takimeve që kishim pasur. U ndjeva në siklet të madh përpara bashkëveprimtarëve që më ishte dashur të mbaja të fshehur disa të dhëna, përkundër asaj se kisha besim të plotë te ta.

“Epoka e re”: Pasi e mësuan nga kryeministri Nano se ti ishe njëri nga dy përfaqësuesit e UÇK-së që kishte takuar diplomatët amerikanë, a i njoftove anëtarët e kryesisë me përmbajtjen e këtyre takimeve?

Bardhyl Mahmuti: Jo! Zyrtarisht në të gjitha deklarimet e zëdhënësve të Departamentit të Shtetit amerikan dhe të ambasadori Richard Holbrooke kanë konfirmuar se janë takuar me përfaqësues politikë të UÇK-së dhe kanë kundërshtuar të japin emrat tanë. Unë nuk kam dashur të del në publik emri im dhe i Ramadan Avdiut, nga frika se mund të dëmtonim besueshmërinë në raport me diplomacinë amerikane. Pas përfundimit të luftës, Xhavit Haliti ka folur pak më gjerësisht rreth këtyre takimeve.

“Epoka e re”: Si përfundoi takimi me kryeministrin e Shqipërisë, z. Fatos Nano? A arritët ndonjë  marrëveshje?

Bardhyl Mahmuti: Gjatë takimit u detajuan modalitetet e ndihmës që shteti shqiptar mund të jepte për luftën çlirimtare dhe të gjithë u ndamë tepër të kënaqur me gatishmërinë e qeverisë së Shqipërisë të na ndihmonte në të gjitha aspektet. Për hollësi më të mëdha rreth rezultateve të këtij takimi mund të njoftoheni nga udhëheqësi i atëhershëm i organizatës, Bedri Islami.

“Epoka e re”: Nga momenti kur u takua me Sllobodan Millosheviqin në Samitin e Kretë, z. Nano ka qenë objekt sulmesh të ndryshme mediatike sidomos në Kosovë dhe si rezultat i kësaj fushate është krijuar një opinion negativ ndaj tij. Cili është mendimi juaj?

Bardhyl Mahmuti: Me qëllim të futjes së përçarjes brenda shqiptare, takimi i lartpërmendur u problematizua skajshmërish pikërisht nga mediat e kontrolluara nga ata që nuk lenin muaj, për të mos thënë javë, pa shkuar në Beograd për takime publike ose të fshehta me pushtetarët e Serbisë. Z. Fatos Nano ka demantuar disa herë mashtrimet serbe lidhur me përmbajtjen e këtij takimi dhe është interesant se pikërisht në kohën kur lufta çlirimtare në Kosovë gjeti mbështetjen më të madhe nga shteti shqiptar, propaganda kundër tij u intensifikua edhe më tepër!

Unë jam takuar 4-5 herë me z. Nano dhe ka një çerek shekulli që nuk e kam takuar! Megjithatë ruaj respektin më të madh për këtë burrështetas shqiptar që ka dhënë kontribut jashtëzakonisht të madh për lirinë e Kosovës! Mohimi i kontributit të tij për luftën tonë çlirimtare i ka rrënjët në Beograd. Prandaj ftoj lexuesit e painformuar të mos bien pre e kësaj propagande dhe, në mënyrë të pavetëdijshme, të bëhen transmetues të sajesave serbe! Populli i Kosovës ua ka borxh mirënjohjen e përjetshme bartësve të institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe popullit që barti mbi supet e veta një pjesë të madhe të barrës së pasojave të zbatimit të politikës serbe të gjenocidit në Kosovë.

“Epoka e re”: Për çfarë arsyesh autoritetet amerikane vazhduan të mbanin emrat e juaj të fshehur nga publiku edhe pas konfirmimit që ishin takuar me ju?

Bardhyl Mahmuti: Mendoj se një qëndrim i tillë lidhej me çështjen e sigurisë sonë. Po ju tregoj vetëm një rast. Gjatë periudhës së bombardimeve të Serbisë nga NATO, kisha paraparë të udhëtoja me kompaninë “Adria” nga Zurich në Lublana dhe pastaj nga Lublana në Tiranë. Një natë përpara se të udhëtoja, më thirri ambasadori i SHBA-së, Lawrence Rosin, dhe më tha të anuloja fluturimin për në Tiranë dhe më caktoi një takim urgjent për të nesërme pasdite, në një hotel në afërsi të aeroportit të Gjenevës. Ishte pikërisht ai që përdori fjalën “urgjent” për të treguar seriozitetin e këtij takimi. U habita si e kishte marrë vesh se do të udhëtoja për në Tiranë. Të nesërmen pasdite, kur u takuam, z. Rosin më njoftoi se Shërbimi Sekret i Serbisë dhe ai i Greqisë ishin në dijeni të udhëtimit tim të paraparë për atë ditë dhe kishin planifikuar të detyronin aeroplanin të ulej në Selanik, me arsyetim se nuk mund të vazhdonte itinerarin për shkaqe sigurie. Shërbimet në fjalë kishin qenë në dijeni që unë posedoja dokument udhëtimi që më kishin dhënë autoritetet zvicerane në përputhje me konventën e vitit 1951 për refugjatë. Në dokumentin tim të udhëtimit shënohej vendi i origjinës dhe meqenëse Kosova ende konsiderohej pjesë e Jugosllavisë, aty figuronte emri i këtij shteti. Duke u nisur nga fakti se një numër i konsiderueshëm shtetesh, në mesin e të cilëve edhe Greqia, kërkonin viza hyrëse për personat që posedonin dokumente të tilla udhëtimi, ata e kishin menduar të më ekstradonin në Beograd me pretekst se nuk kisha vizë hyrëse për në Greqi. Falë SHBA-së dhe kontakteve që kishim, plani i ekstradimit tim në Serbi dështoi. Kemi edhe raste të tjera kur përfaqësuesit e shtetit amerikanë kanë dëshmuar përkujdesje ndaj nesh dhe familjarëve tanë.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Mehmet HALIMI (“Më mirë i vdekur e faqebardhë, sesa…