Udhërrëfyes të ri për vizat, ish-ambasadori holandez e quan të pakuptimtë propozimin e Varhelyit

28 qershor 2022 | 13:34

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar ndaj idesë së komisionarit për zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, për krijimin e një udhërrëfyesi të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bosch e ka quajtur “të pa kuptimtë” një propozim të këtillë, duke e parë si rast të paprecedent me shtetet e tjera, kur u është ofruar lëvizja lirshëm nëpër zonën Schengen.

“Edhe pse Kosova i plotëson të gjitha kushtet sipas komisionit të BE-së, ky njeri vjen me  kërkesa që nuk i kemi bërë kurrë për të gjitha vendet që kanë marrë lirinë e vizave gjatë viteve të fundit. Unë me të vërtetë nuk e di se si të arrihet drejtësia për Kosovën. Si kongresi i PE-së, ashtu edhe i PPE-së në Roterdam kohët e fundit kërkuan që më në fund të zbatohej liberalizimi, më pas vjen kjo bisedë e pakuptimtë e Varhelyi”, ka shkruar ish-ambasadori holandez në llogarinë e vet në “Facebook”.

Komisionari i BE-së për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, i është drejtuar Parlamentit Evropian, duke i informuar ata për rezultatet e Samitit midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur javën e kaluar.

Varhelyi ka thënë se Kosova vazhdon të presë për liberalizimin e vizave dhe se kjo është çështje që duhet adresuar për të ecur përpara.

“Por ne duhet të jemi të qartë se ka disa fusha, si lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit, në të cilat vendet anëtare presin rezultate të qarta”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndeshja Danimarkë-Kosovë do të zhvillohet më 30 qershor (e enjte)…