UEFA pritet të marrë vendim, 26 futbollistë për një kombëtare në ‘Euro 2024’

29 mars 2024 | 13:31

UEFA do të shqyrtojë mundësinë e rritjes së numrit të futbollistëve për skuadrat pjesëmarrëse në Evropianin 2024, nga 23 që është vendosur aktualisht, në 26. Reagimi i qeverisë evropiane të futbollit vjen pas thirrjes së bërë nga një numër i konsiderueshëm i trajnerëve të përfaqësueseve pjesëmarrëse, të cilët kërkuan rikthimin e rregullit të skuadrave me 26 futbollistë.

Ndër emrat që shfaqën edhe publikisht qëndrimin e tyre ishin Gareth Southgate i Anglisë dhe Ronald Koeman i Holandës, të cilët theksuan se kalendari i ngjeshur mund të shkaktojë dëmtime të shumta dhe të penalizojë ekipet në faza të caktuara të Evropianit.

Mbledhja e radhës e UEFA-s është parashikuar të mbahet në Dusseldorf të Gjermanisë më 8 dhe 9 prill, teksa nga zyrat e qeverisë evropiane filtron optimizmi se do të vendoset për shtimin e numrit të futbollistëve në 26 për çdo skuadër. Ky vendim do t’i hiqte jo pak dhimbje koke edhe trajnerit të Shqipërisë, Sylvinho, që ka ende shumë dilema dhe me një listë me 26 futbollistë, do të mund të kënaqte thuajse të gjithë, duke i marrë në Gjermani për “Euro 2024”-ën.

Vlen të theksohet se në Evropianin e kaluar, të mbajtur në 2021-shin në Angli, por edhe në Botërorin e Katarit në 2022-shin, skuadrat u përfaqësuan me lista prej 26 futbollistësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar qytetarët me të…