Ujësjellësi “KRU Prishtina” nga nesër fillon shkyçjet në 8 komuna për ata që kanë borxhe

24 janar 2018 | 17:40

KRU ”Prishtina” sh.a. njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, se duke filluar nga dita e nesërme, 25 janar 2018 , e enjte, do të fillojë të marrë masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Si masë e parë ndëshkuese, do të jetë shkyçja nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, pasuar nga ndëshkime të tjera. “Me shkyçje do të përballet secili konsumatorë që ka, dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit. Për këtë aksion, KRU ”Prishtina” sh.a. ka angazhuar rreth 50 ekipe të shkyçjes, përfshirë edhe inspektorë. Në shkyçje do të përfshihen tetë komunat në të cilat operon KRU ” Prishtina” sh.a. siç janë: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina sh.a”.

Sipas këtij njoftimi, furnizimi me ujë të pijshëm po qëndron stabil, derisa ndërprerje uji mund të ketë vetëm në raste të caktuara si, intervenimet në rrjetin primar dhe sekondar. “KRU ”Prishtina” sh.a. është duke i përmirësuar shërbimet për ujësjellës  dhe kanalizim, andaj u bën thirrje të gjithë konsumatorëve  që t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitojnë shkyçjen nga shërbimet. Të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike, u bëjmë thirrje që të respektojnë në përpikëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët. Duke filluar nga data 1 shkurt 2018, të gjithë konsumatorët që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk iu janë përmbajtur Kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do të iu rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike”, thuhet në njoftim.

KRU”Prishtina” sh.a. do t’i intensifikon aktivitetet, që borxhet e prapambetura të arkëtohen përmes gjykatave kompetente konkretisht, Përmbaruesve Privat.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtëpia Botuese “Armagedoni” në fund të vitit të kaluar botoi…