Ukraina blen gjashtë obusë ‘Caesar’ nga Franca, kushtojnë miliona

18 janar 2024 | 12:54

Ukraina ka blerë gjashtë obusë të tipit “Caesar”, ka thënë të enjten ministri i Mbrojtjes i Francës, Sebastien Lecornu, duke shtuar se Parisi do t’i dërgojë Kievit nga 50 raketa precize për ta ndihmuar në luftën kundër pushtimit rus.

Duke folur në radion “Inter France”, ministri francez ka thënë se prodhuesi i obusëve “Caesar”, “Nexter”, kishte arritur që ta përgjysmonte kohën e prodhimit të obusit në 15 muaj, që do të thotë se 78 njësi do të jenë të gatshme këtë vit, raporton agjencia “Reuters”.

Në blerjen e parë të armëve të prodhimit francez nga Ukraina që nga fillimi i luftës, Lecornu-ja, ka thënë se Kievi kishte blerë gjashtë obusë me çmim prej tre deri në katër milionë eurosh secili dhe se Franca tani po u afrohej aleatëve për ta blerë pjesën tjetër.

Ukraina tash për tash ka 49 obusë “Caesar”, të cilët i janë dhuruar falas nga Franca dhe Danimarka.

“Ne duam që ta ndajmë faturën dhe t’u mundësojmë vendeve evropiane që ta ndajnë barrën financiare”, ka thënë ministri Lecornu.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, pritej të qëndronte në Paris të enjten për një konferencë rreth përmirësimit të furnizimit të vendit të tij me artileri, por vizita u anulua në momentin e fundit.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, do ta vizitojë Ukrainën në shkurt për të nënshkruar një marrëveshje, sipas së cilës Parisi do t’i ofrojë Kievit armatim më të sofistikuar, përfshirë raketat me vetëdrejtim me rreze të gjatë veprimi, dhe do të ofrojë ndihmë politike afatgjatë e zotime për rindërtimin e vendit.

Të martën, Macroni ka thënë se evropianët do ta shtojnë ndihmën e tyre për Ukrainën gjatë javëve të ardhshme në mënyrë që vendi të ketë mundësi që ta mbrojë veten, gati dy vjet pas fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…