Ukraina kërkon ngrirjen e borxhit për të shmangur falimentimin

22 korrik 2022 | 16:48

Ukraina u ka kërkuar kreditorëve të saj që të ngrijnë pagesat për dy vjet ndaj obligacioneve ndërkombëtare, në përpjekje për të përqendruar burimet e saj financiare në zmbrapsjen e Rusisë.

Kreditorët kanë afat deri më 9 gusht që të votojnë për këtë propozim. Ukraina tha se ky plan i saj është ushtrim i menaxhimit të obligimeve, duke lënë të kuptohet se përpjekjet e Kievit janë që investitorët t’i zhvlerësojnë ato.

Kreditorët veçse kanë thënë se ata do të pezullojnë pagesat që kanë në pronësi dhe u kanë bërë thirrje mbajtësve të obligacioneve që të pranojnë kërkesën e Ukrainës për ngrirje.

Grupi, përfshirë Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, tha se ata do të ofrojnë pezullim të koordinuar të borxhit nga 1 gushti deri në fund të vitit 2023 dhe ka mundësi që kjo periudhë të zgjatet edhe për një vit shtesë.

Në fund të vitit 2020, sipas të dhënave të Bankës Botërore, Ukraina kishte 130 miliardë dollarë borxh të jashtëm.

Ukraina ka vendosur që pothuajse 20 miliardë dollarë bono ndërkombëtare të jenë subjekt i ngrirjes – 11 letra me vlerë në dollarë dhe dy në euro me maturim nga viti 2022 deri më 2030. Ukraina gjithashtu ka një garanci që lidhet me rritjen e Bruto Prodhimit të Brendshëm. Kjo u krijua gjatë ristrukturimit të borxhit më 2015 si një ëmbëltues për kreditorët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Pllajën Karstike të Sllovenisë, pranë kufirit me Italinë, një…