Ukraina si kurban për NATO-n dhe BE-në

06 mars 2022 | 16:32

Nga Anisa Bahiti

Më në fund Presidenti ukrainas Zelenskyy shprehu të gjithë mllefin me të drejtë të akumuluar ndaj Perëndimit.

Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të NATO-s më 4 mars në Bruksel dëshmoi që NATO në raport me Ukrainën ka vendosur të sillet si një OJF ndërkombëtare. Aleanca, nëse mund të quhet e tillë, tashmë dëshmoi dobësinë e vet duke mos vendosur Non Fly Zone mbi Ukrainë.

Nuk bëhet fjalë për një aksion ushtarak, por për një aksion mbrojtje mbi civilë. Njëherësh të gjithë udhëheqësit e vendeve të NATO-s u sollën si diletantë. Ëndrrat e qytetarëve ukrainas për t’u shkëputur nga Rusia dhe për t’iu bashkangjitur Perëndimit po veniten dhe ata e ndjejnë veten me të drejtë të braktisur dhe të bërë kurban nga këto vende në ditën e tyre më të errët, kur ëndrrat po kthehen në makth.

Akoma më keq me BE, e cila disa ditë më parë votoi ftesën për anëtarësim të Ukrainës, por që pasdite kreu i BE Mishel deklaroi, pavarësisht ftesës Ukrainës do t’i duhet t’i nënshtrohet procesit burokratik dhe të gjatë të anëtarësimit. A thua sikur nuk e kuptojnë se deri atëherë ndoshta Ukraina s’do të ekzistojë më , e gllabëruar nga Rusia e Madhe.

Në vendin tonë thuhet në këto raste ajo “zonja” krihet e fshati digjet. Vetëm Presidenti i Turqisë Erdogan ka ndihmuar Ukrainën me të famshmit dronë Bayraktar. Njëherësh edhe Kryeministri Britanik Johnson, po a mjaftojnë vetëm këta të dy?

Ndërkohë civilët, fëmijët, gratë e pafajshme në Ukrainë paguajnë faturën e kësaj lufte absurde në qendër të Evropës, të një Evrope që po e bën kurban Ukrainën në tavolinë, tamam si një ushtar shahu në lojën e madhe me Putinin dhe Rusinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paraqitja e Bekim Balajt dhe Odise Roshit në ndeshjen që…