Ukraina thotë se ka çliruar qindra vendbanime

14 tetor 2022 | 10:38

Ushtria ukrainase ka rimarrë mbi 600 vendbanime nga forcat ruse gjatë muajit të fundit, tha Ministria për Riintegrim e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, teksa Moska po vazhdon të kryejë sulme ajrore ndaj disa qyteteve duke vrarë civilë.

Rreth 502 vendbanime janë çliruar në rajonin verilindor të Harkivit, ku forcat ukrainase muajin e kaluar përparuan thellë në linjat ruse dhe 75 lokalitete janë rimarrë në rajonin strategjik të Hersonit, tha ministria ukrainase në orët e vona të 13 tetorit.

Kjo ministri tha se 43 vendbanime janë çliruar në rajonin e Donjeckut dhe shtatë në atë të Luhanskut.

“Zona e territoreve të çliruara ukrainase është rritur ndjeshëm”, ka njoftuar Ministria për Riintegrim në një deklaratë të postuar në uebfaqen e saj.

Këto pretendime të palës ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Britanisë, në përditësimin ditor për luftën në Ukrainë, tha më 14 tetor se në tri ditët e fundit, forcat pro-ruse kanë bërë përparime taktike drejt qendrës së qytetit Bahmut, në rajonin lindor të Donjeckut.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një video-adresimi në orët e vona të 13 tetorit tha se luftimet “brutale” po vazhdojnë në Bahmut.

Zelensky tha se forcat ukrainase po e mbrojnë Bahmutin me “veprime të shkathëta dhe heroike”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, dhe ministri i…