Ultimatumi i Escobarit: Kurti, Osmani e Konjufca asnjë fjalë

06 qershor 2023 | 19:32

Kriza në veri të ka bërë që në Kosovë të “zbarkojnë” ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ata kanë paraqitur tri kërkesa ndaj Qeverisë Kurti, për të dalë nga kjo situatë.

Ndërsa, Escobar ka dhënë ultimatum që Kurti dhe Vuçiq të veprojnë për deeskalim të situatës në veri, duke u dhënë kohë deri të premten.

“Kurti dhe Vuciq kanë kohë deri të premten, për shkak se te premten unë dhe Lajcak i japim përgjegjësi eprorëve tanë”, tha ai.

Lidhur me këtë ultimatum dyditor, nuk ka pasur reagim nga krerët e shtetit.

Gazeta Blic ka provuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës lidhur me ultimatumin e Escobar, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

E, përgjigje nuk kanë kthyer as Kuvendi i Kosovës.

Ndërsa, nga presidenca janë shprehur se qëndrimi i tyre është në komunikatën lidhur me takimin e presidentes Osmani me Escobar dhe Lajçak.

Sipas komunikatës, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu u ka thënë dyshes se “ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë.”

Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna.

Ndryshe, përpos me krerët e shtetit, Escobar dhe Lajçak janë takuar edhe me liderët e partive opozitare, LDK, PDK dhe AAK, si dhe me disa gazetarë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka…