UNDP-ja tregon sa janë të kënaqur qytetarët me Osmanin, Kurtin dhe Konjufcën

05 korrik 2022 | 14:00

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar sot edicionin e 22-të të përmbledhjes Pulsi Publik.

Gjetjet e anketës së opinionit të Pulsit Publik të muajit prill tregojnë ndryshime të lehta në kënaqësinë e njerëzve me performancën e institucioneve kyçe ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë në krahasim me sondazhin e mëparshëm të kryer në tetor-nëntor 2021.

Niveli i kënaqshmërisë me performancën e ekzekutivit kapi vlerën 47.6%, çka përbën një ulje prej 0.4 pikë përqindjeje nga anketa e tetor-nëntorit (vjeshtë) 2021 kur kjo vlerë ishte 47.6%.

Niveli i regjistruar i kënaqshmërisë me punën e kryeministrit është 52.6% (53.2% në vjeshtën 2021), ndërsa me punën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është 54.4% (55.4% në vjeshtën 2021).

Niveli i kënaqshmërisë me presidenten kapi vlerën prej 58.4%, krahasuar me shkallën e kënaqshmërisë prej 55.2% të regjistruar në vjeshtën e 2021-s.

Rritje pati në shkallën e kënaqshmërisë me gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në nivelin prej 39.1% dhe 37.1% përkatësisht, krahasuar me 33.9% dhe 34% përkatësisht në vjeshtën e vitit 2021.

Indeksi i Demokratizimit (ID) qëndron në 1.66 pikë që është rritje prej 0.07 nga vjeshta 2021.

Indeksi i Besueshmërisë Ekonomike (IBE) qëndron në 0.98 pikë që është ulje prej 0.54 pikë nga vjeshta e vitit 2021.

Një numër pak më i lartë i të anketuarve ishin të gatshëm të protestojnë për arsye politike në prill të 2022-s (37.6%) sesa në vjeshtën e 2021-s (35.6%).

Gjetjet nga anketa e opinionit tregojnë rritje të ndjenjës së sigurisë tek të anketuarit, me 80.4% që ndihen të sigurt kur janë jashtë, krahasuar me 73.6% në vjeshtën e 2021-s.

Tri problemet madhore të raportuara gjatë kësaj ankete ishin papunësia (36.4%), varfëria (21.1%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (7.7%). Mjedisi, që ishte një nga tri problemet kryesore në vjeshtën e 2021-s, ka rënë në vendin e tetë. Kujdesi shëndetësor (5.7%) dhe korrupsioni (5%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara nga të anketuarit.

22.2% e anketuarve pohojnë se perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë. Kjo vlerë paraqet rënie prej 1.2 pikë përqindje nga vjeshta 2021- (23.4%).

15.3% të respondentëve (7.9% në vjeshtën 2021 dhe 16.1% në maj 2021) thanë se dinë shumë për të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe të pastër, 25.5% (24.9% në vjeshtën 2021) pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 40.7% e të anketuarve (39.7% në vjeshtën 2021) thanë se dinë pak për këtë temë.

7.8% (12.3% në vjeshtën 2021) besojnë se Kosova është e ndikuar nga ndryshimet klimatike dhe 63.4% (49.7% në vjeshtën 2021) besojnë se është e ndikuar deri diku nga ndryshimet klimatike.

62.5% e të anketuarve deklaruan se Covid-19 ka pasur ndikim negativ në mirëqenien e tyre ekonomike, 48.1% deklaruan se ka ndikuar negativisht në shëndetin e tyre fizik dhe 52.6% treguan se ka ndikuar në shëndetin e tyre mendor.

Përmbledhja Pulsi Publik 22 bazohet në një anketë të opinionit të kryer nga 6 deri më 24 prill 2022, me 1,306 të anketuar nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë përmes intervistave sy më sy.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sërë bashkëpunimesh janë lansuar këtë verë ndërsa të tjera…