UNË, STUDENT POLITIK I MAO CE DUNIT, ZAJEBNICA NUK KALON!

07 dhjetor 2022 | 14:23

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Zgjedhjet në veri të Kosovës dhe Hamami i Hyrës: Në veri të Kosovës është një anarki jashtëzakonisht e organizuar mirë dhe e menaxhuar nga Aleksandër Vuçiq, Zot i Veriut dhe pronar i vullnetit politik të serbëve të Kosovës. E gjithë kjo bëhet me përkrahjen e heshtur të bashkësisë ndërkombëtare e cila Serbinë e konsideron si partner ndërsa Kosovën si vartës. Vuçiqi, të cilin po e shajnë gjithë ditën, po i shkojnë në shtrat natën. E luajti lojën me targa ilegale dhe me dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri duke kërcënuar se i njëjti skenar mund të përdoret edhe në pjesët e tjera të Kosovës ku jetojnë serbët. Në të njëjtën kohë kryeministri Kurti po i viziton muzetë e famshme botërore, së fundi edhe Muzeun Prado në Madrid ku i mbajti ligjëratë spanjollëve për artin dhe kulturën spanjolle. Dhe kujt, një ish-politikani, tani në një gjendje të hibernacionit (gjumit), mendor, Havier Solanës. I ka mbetur vetëm edhe të shkojë dhe ta bëjë një përmirësim, përkatësisht ta mohojë se Pablo Pikaso është autor i Guernikes në kohën kur autori i vërtetë është kryeministri ynë artistik! Nuk e kam të ditur nëse e ka vizituar Muzeun e famshëm botëror të antikuiteteve si është Skala në Milano, Shtëpinë e famshme Operistike Luvr në Paris, pistat e famshme botërore ku mbahen garat e Formulës 1 në Koloseum të Romës apo shtigjet për gara të hipizmit (gara me kuaj) në Monca. Apo amfiteatrin ku ligjërohet për Kantin, Sokratin dhe Platonin në Las Vegas apo Atlantic City. Sikur edhe Shtëpinë e njohur për bixhoz në Metropolitan të Nju Jorkut. Po në këtë kohë Vuçiqi punonte dhe konsolidonte ushtrimin e pushtetit në Veri të Kosovës. Si shtet i fuqishëm që jemi, me një qeveri që kurrë dhe asnjëherë nuk bënë kompromise dhe se që nuk di se çka është presioni ndërkombëtar sepse, edhe nëse ekziston edhe si terminologji gjuhësore, në fjalorin e veprimit të qeverisë nuk ekziston sepse Zajebnica nuk kalon. Kjo është qëndresë, këto janë parime ndonëse ka mungesë kronike të koçeve!

Institucionet tona janë jashtëzakonisht të përkushtuara për integrimin e serbëve dhe, duhet të pranohet se kanë sukses të plotë, në vend të qindra dhe mijëra serbëve “të Vuçiqit” që u larguan nga puna integruan dy serbë “të Albinit”, Nenad Rashiq dhe Radmilla Trajkoviq. Rashiqi, me njohuritë gjuhësore të gjuhës shqipe mund të punojë se lektorë për përmirësimin e teksteve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe politikanëve kosovarë kurse Rada Trajkoviq, mund t’ia mprehë lapsin Rashiqit gjatë korrigjimit të teksteve. Ne, si shtet serioz dhe me sovranitet të plotë që e kemi, menjëherë i organizuam zgjedhjet në veri të Kosovës dhe i certifikuam kandidatët. Dikush hodhi disa bomba e që për ne nuk paraqesin asnjë shqetësim për faktin se, edhe ashtu jemi në fund të vitit dhe duhet të kontribuojmë për krijimin e një atmosfere festive. Së fundi, për zgjedhjet në veri u   deklarua anëtari  i KQZ-së. Zoti Hovenier me një shqetësim të vogël: “sa keq që në veri nuk u krijuan kushtet për mbajtje të zgjedhjeve…”. Megjithatë, fjalën kryesore do ta ketë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zoti Gabriell (Xhebrail) Eskobar, ditën e hëne. Gojëkëqijtë po flasin se këtë do ta kundërshtojë me vendosmëri nacionalisti i madh shqiptar dhe luftëtari i palakueshëm për bashkim me Shqipërinë, Alim Rama! Jam në ethe dhe po brengosem shumë për z. Hovenier dhe Eskobar, kur të përballen me Alimin! Kryeministri Kurti deklaroi se për shkak të seriozitetit të situatës do të dërgohen forca të shtuara policore në veri. Lexova diku se në opinion po qarkullon një udhëzues për Njësinë Speciale me këtë përmbajtje: “Gjatë rrugës për në veri të Kosovës, mos këndoni këngë patriotike se na qihet nëna …”. Ministri: Filan Fisteku:

Samiti në Tiranë: Edhe këtu Vuçiqi ua luajti lojën praktikantëve në politikë. Si shenjë “kundërshtimi” ndaj vendimeve të kryeministrit Kurti i futi në një thes Kurtin, Trajkoviçkën dhe Nenad Rashiqin duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Samitin e Tiranës. Një ditë para Samitit pati një takim me rrencin e certifikuar të  BE-së, Mirosllav Lajçak i cili, kinse e luti të marrë pjesë në Samit. Po në të njëjtën kohë, burri më i fortë në qeverinë e Serbisë, Ana Bërnabiq doli me një sugjerim që Vuçiq duhet të marrë pjesë në këtë Samit duke i siguruar alibi dalës nga premtimi i “fortë” se nuk do të marrë pjesë në këtë Samit. Në fund, deklaratën e përbashkët me marrëveshjet e dakorduara nuk u nënshkrua vetëm nga Aleksandër Vuçiqi për faktin se ishte një zotim se të gjitha shtetet nënshkruese detyrohen t’i fusin sanksionet ekonomike dhe të tjera Rusisë dhe ai këtë nuk e bënë. Cilat ishin “pasojat” për Serbinë dhe favoret për Kosovën? Ua rikujtojë lexues të nderuar se Kosova, ndonëse askush nuk e kërkoi nga ne, ishte vendi që i pari ia futi sanksionet Rusisë, duke e dëmtuar jashtëzakonisht shumë ekonominë ruse, që nga bllokimi i tregjeve financiare, aseteve materiale, mallrave të ndryshëm e deri te embargo për armët bërthamore dhe furnizim me dronë që Rusia i kërkonte nga Kosova, duke mos pyetur për çmimin që duhet paguar. Kosova, si furnizuesi më i madh në botë me gaz rus dhe naftën e papërfunduar, i pari ndërpreu të gjitha kontratat duke i falimentuar rafineritë e shumta në Kosovë. Krejt falë meritës, syçeltësisë dhe largpamësisë se kryeministrit Kurti, presidentes Vojsa Osmani dhe mashtruesit shëtitës, Besnik Muçiverces. Madje, në planin politik, as Kombet e Bashkuara dhe BE-ja nuk e kanë dëmtuar më shumë politikën ruse se trojka e lartpërmendur kosovare. Prodhues të pordhëve, me mbushje atomike! Ndërkaq Serbia u dënua shumë rëndë me vazhdimin e përdorimit të targave ilegale, mospagesën e rrymës elektrike dhe shërbimeve tjera, pagat për 100 e më shumë serbë që kurrë nuk kanë punuar as edhe një minutë të vetme, shndërrimin e institucioneve të Kosovës në Bahçe të Babës, kur iu çohet dalin nga to, kur duan kthehen në to, me jetësimin e Zajebnicës, me federalizimin e Kosovës dhe, së fundi me një dokument në formë të propozimit franko-gjerman, ku ka Zajebnicë por nuk ka njohje në kohën kur njohja parashihet të ndodhë në njërin nga dhjetëvjeçaret e ardhshëm për faktin se, me zhvillimin e shkencës do të arrihet që shelnja të bëjë rrush. Atëherë do të kemi njohje reciproke. Për politikanë që e duan shtetin, edhe pa bashkim kombëtar që, në asnjë mënyrë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës, propozimi franko-gjerman përmes riciklimit të letrës së këtij propozimi do të fitohej një letër tualeti i përshtatshëm për prapanicën e Mirrosllav Lajçakut. Këta tanët po thonë që është bazë e mirë që, pas një kohe, kur të bëjë shelnja rrush, Kosova të afrohet me Serbinë duke shtyrë njohjen reciproke për ndonjë dhjetëvjetësh tjetër. Çfarë mashtrimi andaj nuk e bëjnë publik, deri të na fusin kepën! Sa të pamoralshëm dhe sa të panjerëzishëm!

Granit Xhaka dhe xhakalinjtë tjerë: Dueli midis Serbisë dhe Zvicrës në futboll u shndërrua në luftë politike, vazhdim i luftës midis dhunuesit – Serbisë dhe viktimës – Kosovës që përfaqësoheshin nga Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Ardon Jashari, që bartnin fanellën e reprezentacionit të Zvicrës. Ishte krijuar një trysni e madhe psikologjike. Zvicra fitoi dhe, edhe një betejë mbaroi me fitoren e shqiptarëve. Granit Xhaka, djali i vogël i Ragip Xhakës shkëlqeu, bashkë me Xherdanin. Gjatë lojës, Granit Xhaka demonstroi njohuri të mira nga anatomia duke bërë përpjekje që këtë njohuri ta bartë te studentët serbë të Vojisllav Sheshelit që, tërë kohën, bashkë me absolventin e Sheshelit, trajnerin e Serbisë, në vend që të luanin  futboll, merreshin me nënat shqiptare thuaja se po iu duken pak se gjatë luftës së fundit kanë dhunuar 20,000 nëna, motra, vajza, gra, madje edhe të moshuara shqiptare! Kriminelë ishin, kriminelë janë dhe kriminelë mbesin.

Pas reagimit të Xhakës, nga qarqe të fuqishme “intelektuale”, me kredibilitet moral dhe ndikim të madh në vetëdijen e injorantëve, ky veprim u cilësua si rrugaçëri ndërsa pati edhe asi (v) lladika që deklaronin se Granit Xhaka nuk e ka lexuar as edhe një libër të vetme duke injoruar faktin se Granit Xhaka e ka lexuar Enciklopedinë e Jetës shkruar mbi vuajtjet, viktimat dhe luftës shekullore të shqiptarëve për Liri, Çlirim dhe Bashkim – Kombëtar! Identifikuesit e rrugaçërisë nuk e njohin këtë Enciklopedi Jetësore të cilën me krenari e lexon Granit Xhaka për faktin se prindërit e tyre ose familjarët e tyre nuk kanë pshurrë gjak, në vend të shurrës nga torturat e këtyre dhe paraardhësve të cilëve Graniti ua tregojë aletin. Këta nuk kanë asnjë rast që familjarët e tyre kanë dalë pa dhëmbë, pa sy, pa veshkë dhe, ndoshta edhe pa mend nga torturat e këtyre me të cilët u përballë Granit Xhaka. Fëmijët e të ish-burgosurve politikë shqiptarë në ish-Jugosllavi janë rritur pa prindër, të cilët, nëse kanë pasur fat i kanë takuar në moshë të një burri ndërsa, në jo pak raste asnjëherë nuk i kanë takuar. Këta janë rritur me ëndrrat se si duket prindi i tyre, babai ose nëna, pa gjëra elementare të jetës dhe historia e tyre është historia e prindërve të tyre dhe atyre që luftuan për liri të cilën këta, pameritueshëm e gëzojnë duke e shpërdoruar atë. Granit Xhaka, është biri i Ragip Xhakës e jo i Rrahman Morinës. Granit Xhaka e ka trashëguar një krenari gjenetike nga babai i tij dhe axha i tij, po çka kanë trashëguar sharësit e tij përveç privilegjeve materiale dhe turpit për faktin se paraardhësit e tyre kanë kontribuar në burgosjen dhe dënimin e Ragip Xhakës dhe të gjithë patriotëve shqiptarë sikur që ishin babai dhe axha i Granit dhe Taulant Xhakës. Çfarë keni pritur të reagojë ndryshe Granit Xhaka në atë situatë?! Të thirret në trashëgimin “kombëtare” dhe politike të Ali Shukrisë, Sinan Hasanit, Kolë Shirokës, Sejdo Bajramoviqit, Selim Broshës. Gazmend Maliqit, Sahit Ismaljit, Rrahman Morinës, Buba Morinës, Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit!

Gjaku nuk bëhet ujë! Granit Xhaka ka me çka të krenohet, sharësit e tij kanë me çka të turpërohen! Granit Xhaka u kritikua pse e barti fanellën me mbiemrin Jashari duke aluduar në mbiemrin e Komandantit Legjendar Adem Jashari nga i cili, përveç se distancohen, për shkak të rikthimit të vëllazërim – bashkimit, edhe ndjehen të turpëruar! Edhe çifti i tyre e gëzojnë lirinë, nëse e konsiderojnë këtë liri, si liri! Po ta bartte Granit Xhaka një fanellë me mbiemrin e Rrahman Morinës, cili do të ishte reagimi, ju të pandjenja dhe të paprovuar me atë që ka kaluar Ragip Xhaka dhe të gjithë ragipët në burgjet e ish-Jugosllavisë, në me krye Kuptimin, Inspiruesin dhe Përmabjetjen e Luftës për Pavarësi dhe Bashkim Kombëtar, të Pavdekshmin, Bacë Adem Demaçi! Ju  që keni dalë nga kotilla e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë nuk e kuptoni këtë. Më është bërë shumë qejfi që Maroko e nxori nga loja Spanjën e që është thuaja një histori e ngjashme sikur ajo e Kosovës me Serbinë. Katalonasi që e kundërshton egërsisht  pavarësinë e Katalonjës, Rrahman Morina i Katalonjës, dhe dhunuesi i pavarësisë së Kosovës, Joseph Borrell sigurisht se ndjehet i pikëlluar për këtë eliminim. Asgjë nuk mbetet pa u paguar në këtë botë!

Gënjeshtare kronike, jo vetëm në politikë:  Një valltare ekzotike e Humanistit të Madh dhe Aktivistit për të Drejtat e Njeriut, Moamer el Gadafi, në shenjë respekti dhe kujtimi për njërin nga padronët e shumtë, bëri në vizitë në Gjykatën Raciste Speciale për të vizituar patriotin Rexhep Selimi. Është për çdo admirim kjo sakrificë e saj. Veprimin edhe më të mirë bëri kur nuk pranoi t’i vizitojë tradhtarët si Hashim Thaçi, Kadri, Veseli, Jakup Krasniqi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala të cilët, çuditërisht ishin në po të njëjtin burg me Rexhën, të akuzuar për të njëjtën vepër, si udhëheqës ushtarakë dhe politikë të Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës dhe posteve më të larta shtetërore, me një fjalë që luftuan, bashkë me Rexhën për këtë liri që Vallëzueses së Gadafit gjithmonë i siguroi një grazhd për të mos mbetur e uritur dhe për të pushuar! Vallëzueset ekzotike kanë luajtur rol vendimtar gjatë disa proceseve historike siç ishte puna e Mata Harit që, për arritjen e qëllimeve vetëm e luante rolin e vallëzueses ekzotike ndonëse nuk ishte se merrte shumë vesh nga ky vallëzim.

Po kjo Mata Hari e Kosovës që ka dy fytyra, njërën si vallëzuese ekzotike, pra Mata Hari dhe tjetra si predikuese politike (fetare) sikur që e bënte Sekti Hari Krishna! E pabesueshme deri ku mbërrin urrejtja dhe mosdurimi ndaj atyre që e kanë ushqyer me poste dhe të tjera!

Studenti politik i Adem Demaçit dhe studenti politik i Vojisllav Sheshelit: Kohëve të fundit, në mungesë të veprimit dhe guximit politik, qarkullonin informata se Albin Kurti, edhe vet ka deklaruar është student politik i Adem Demaçit kurse Aleksandër Vuçiqi është student politik i Vojisllav Sheshelit. Për një gjë jam shumë i sigurt; Aleksandër Vuçiq ka qenë student politik i Vojisllav Shesheli. Pikë. Adem Demaçi i ka pasur koç… e elefantit. Pikë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka miratuar kalimin…