Uniformën e UÇK-së e kam veshur në Jabllanicë – rrëfen deputeti i AAK-së, Gazmend Syla

09 shkurt 2020 | 00:13

Gazmend Syla është zgjedhur deputet për herë të parë në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së.

Syla, në “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini ka rrëfyer detaje interesante nga jeta e tij si ushtarë i UÇK-së.

Ai deri në zgjedhjen deputet ka qenë kryetar i OVL-UÇK-së në Pejë.

Fati i tij me UÇK-në lidhet ngushtë me familjet e Lahi Brahimajt dhe familjen Haradinaj pasi kishte miqësi.

Deputeti thotë se gjatë një vizite që Lahiu i kishte bërë fshatit të tij në vitin 1997,  ai rastësisht ishte futur në makinën e këtij të fundit me ç’rast kishte hasur në një armë.

Lahiu ndërkohë ishte kthyer shpejt dhe e kishte zënë të riun me armën e tij. Pjesa tjetër është histori.

Syla tashmë ishte futur në mesin e ushtarëve të UÇK-së pa ditur se një ditë do të kapte edhe ai armën.

Ai rrëfen një moment vendimtarë kur i ishte bashkuar përfundimisht UÇK-së.

“Ishte situatë e vështirë dhe filloja të mbaja një revole me vete edhe në shkollë. Në tualet pa dashje arma më ra në tokë dhe aq shumë kërciti sa që rreth 20 veta mbeten të shtangur kur panë atë revole. Nga ai moment vendosa të braktisë shkollën dhe t’i bashkohesha UÇK-së. Nuk mund të vazhdoja më të shkoja në shkollë pas asaj që ndodhi sepse rrezikoja veten”, tregon deputeti i ri i AAK-së në Parlament.

Syla thotë se për herë të parë uniformën e ka veshur në shtabin e Jabllanicës.

Ai më pas ishte pjesë e një grupi që janë stërvitur në Shqipëri.

Në fshatin Irzniq thotë se ka pasur betejën e parë frontale me forcat serbe.

Syla thotë se gjatë ofensiva të forta të ushtrisë serbe numri i ushtarëve të UÇK-së zvogëlohej shumë.

Ai tregon një rast kur Ramush Haradinaj i kishte vizituar një grup prej luftëtarëve prej 10 vetash që ishin rigrupuar.

“Ramushi na tha se ne duhej të kishim një komandantë. Ushtarët duke bërë shaka thënë le të bëhet Gazi pasi është më i riu. Nga ai moment të gjithë ata burra me mustaqe ishin nën komandën time. Edhe sot ata burra më thërrasin “komandant ku je””, tregon ndër të tjera deputeti i AAK-së.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pacientja e cila ishte e shtrirë në Klinikën Infektive në…