Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj me projekt të ri për mësimin në distancë

16 korrik 2020 | 14:05

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe Shkolla Austriake e Studimeve të Aplikuara (ASAS) kanë mbajtur takimin e parë virtual të projektit për mësimin në distancë në arsimin e lartë akademik dhe të vazhdueshëm, zhvillimin e programeve në distancë dhe në prezencë.

Ky projekt është financuar nga Austrian Development Agency (ADA) dhe ASAS, vlera e të cilit është mbi 400.000 euro.

Në këtë takim u paraqitën objektivat e projektit të mësimit në distancë, rezultatet e pritura dhe plani i zbatimit për dy vitet e ardhshme.

Rektori i UShAF, prof. dr. Agron Bajraktari ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në takim dhe ndër tjera foli për bashkëpunimin shumëvjeçar me shtetin austriak dhe mbështetjen që i ka ofruar gjithmonë ky shtet, në veçanti Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Salzburg.

Po ashtu, ai tha se do të realizojmë me shumë përkushtim çdo gjë që kërkohet në këtë projekt.

Ndërsa, ambasadori Christoph Weidinger nga Ambasada e Austrisë në Kosovë, veç tjerash tha se shteti austriak mbështet UShAF-in dhe programet e tij, të cilat janë të dizajnuara për tregun e punës. Po ashtu, ai tha se bashkëpunimi me UShAF nuk do të mbarojë me këtë projekt, po do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka përgëzuar për projektin dhe tha se do të ofrojë mbështetje në realizimin e tij.

Besim Mustafa nga Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar se janë me fat që kanë filluar këtë projekt në kohën e pandemisë dhe se aktivitetet e edukimit janë shumë të rëndësishme për ta.

Në kuadër të këtij projekti, UShAF dhe ASAS, së bashku do të lansojnë mësimin në distancë në Kosovë duke krijuar trajnime të certifikuar universitare në distancë për studentët dhe profesionistët e punës, të cilat do të ofrohen nga UShAF dhe Universitetet Austriake ose partnerët e tyre implementues.
Pritet që ky projekt të krijojë shkëmbimin e njohurive në prezantimin e mësimit në distancë, i cili do të kontribuojë në rritjen ose forcimin e punësueshmërisë së studentëve dhe profesionistëve në Kosovë. Po ashtu, studentët do të pajisen me diplomë të përbashkët nga UShAF dhe Universiteti i Graz-it.

ASAS është partner i “E-learning group Austria” dhe posedon zyrën përfaqësuese në Kosovë.

Kjo zyrë do të kontribuojë në ofrimin e arsimit dhe aftësimit akademik modern dhe të përshtatur për studentë dhe profesionistë që punojnë me qëllim kryesor të kontribuojnë në zhvillimin e sektorit privat në Kosovë duke ofruar programe plotësuese të arsimit dhe trajnimit akademik të cilat kërkohen nga komuniteti i biznesit dhe që nuk ofrohen aktualisht nga Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë.

(Qendresa Rama / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi, së bashku…