URTËSIA E THJESHTËSISË

10 qershor 2021 | 13:32

(Bilall Maliqi “Lule për kurorë”, (poezi për fëmijë), sh.b. “Lena: Prishtinë, 2021, fq.78)

 Albina IDRIZI

“Atëherë kur prajmë së qeni fëmijë, jemi të vdekur”, thotë poeti me origjinë belge Henry Micheux.

Sikur të ndalemi për një çast dhe të vështrojmë njerëzit që na rrethojnë, pa përjashtuar këtu as veten tonë, shohim se sa shumë të vërteta gjejmë në citatin e lartpërmendur. Nëse në ne mungon kërshëria, mungon ngazëllimi për gjërat e thjeshta, për gjërat e vogla e të përditshme, mungon emocioni, mungon empatia, atëherë mungon fëmija brenda nesh dhe, atëherë ne pushojmë së gjalluari.

Më shumë se për gjithçka tjetër, të shkruash letërsi për fëmijë do të thotë të mos jesh kurrë larg botës fëmijërore. Vetëm në këtë mënyrë poezia do të rrjedhë natyrshëm, e lirë, pa imponuar asgjë, pa i vënë vetes qëllim siç synojnë jo rrallë herë të rriturit. Në të njëjtën kohë, ajo nuk duhet të tingëllojë infantile me një thjeshtësim të stisur e të panevojshëm. Sepse arti i vërtetë i thjeshtësisë është urtësi e madhe dhe aspak e lehtë. Madje, sipas poetit slloven Oto Zupançiq, asnjë vepër për të rritur nuk është mjaftueshëm e mirë për fëmijë, ndërsa çdo vepër për fëmijë është mjaftueshëm e mirë për të rriturit.

Libri Lule për kurorë i Bilall Maliqit, libri i tridhjetepesë i tij dhe përmbledhja e gjashtë me poezi për fëmijë, na qas pikërisht këtë prizëm vështrimi. Ashtu siç është bota e fëmijëve edhe në faqet e librit janë të përfshira laramanitë tematike që zgjojnë dhe tërheqin vëmendjen e tyre, si: mësuesi e shkolla (Shkronjat i mësova, Klasa shembull, Hartim shtëpie, Noli uron mësuesit); familja( I thotë motra, ma shtrij dorën, Motrat, Përqafimi i nënës); natyra (Gëzim i natyrës, Në atë kodrinë, Nëpër stinë, Malet shqiptare, Qershitë, Mali pyet malin); bota shtazore (Gjeli mbi kotec, Qengji me lara, A ka shtëpi drenusha, Keci lazdran): heronjve (Lule heroit); etj. Të gjitha me një optimizëm e dashuri të dlirë çfarë mund të mbëltojë vetëm reflektimi i qashtër fëmijëror kur u gjendemi pranë dhe dimë ta shijojmë. Ngjyra e tonit nëpër poezi ngjan sikur vjen pikërisht nga atje lehtë dhe e natyrshme në rrjedhën e saj nëpër strofat, kryesisht katërvargëshe të përputhura ABAB, ritmi dhe muzikaliteti i të cilave bën të lexohen e shijohen këndshëm, shtuar këtu edhe humorin e lehtë që i mbështjell pahetueshëm por që të lë ëmbëlsinë e një buzëqeshjeje për çdo fund poezie.

Bazuar në këtë, fitohet përshtypja se autori sheh dhe përjeton nga afër jetën e fëmijëve. Ai njeh begatinë shpirtërore të fëmijëve. Atë begati që sjell ndjenja e që manifeston emocioni, ndaj edhe është e pasur imagjinata e tij.

Prandaj rron poeti

me veprën e vet.

                                                        (Poeti mbret, fq. 6)

 

Poezitë e përmbledhjes Lule për kurorë, i paraprijnë imazheve ku lexuesi i vogël ngjyros tablon përfytyruese dhe në këtë mënyrë, pa u hetuar, ato veprojnë në didaktikisht në edukimin e tij.

Njëherë na tregoi

Mësuesi pak histori,

Si erdhën shkronjat

Me shumë vështirësi.

(Shkronjat i mësova, fq.5)

Fëmijët në mënyrë indirekte mësojnë të ndjejnë simpati për karaktere të forta, bamirëse, për ata të cilët këmbëngulin për të vërtetën, dhe  shpeshherë imagjinojnë veten në vend të heronjve të lexuar duke kultivuar kështu karakterin dhe personalitetin e tyre.

Në bllok të vizatimit

Vizatova një dëshirë

Brigjet i bashkova

Me fëmijët gazmorë

Ashtu tok së bashku

Kapur dorë për dorë

(Ëndrra e natës, fq 17)

Ja, në një dëshirë kaq të bukur e të thjeshtë kishte për të qenë lumturia e gjithë botës.

Bilall Maliqi është i përfshirë me krijimet e tij në shumë panorama, almanakë, leksikonë e antologji poetike. Urojmë shëndet e frymëzim të pashtershëm edhe për shumë të tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – “Remi”,…