Ushtria amerikane godet një tjetër anije të dyshuar për trafik droge, dy të vdekur
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka kryer një tjetër sulm ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, duke lënë të vdekur dy persona dhe gjashtë të mbijetuar.
Ky është sulmi i fundit në kuadër të fushatës së administratës së presidentit amerikan Donald Trump kundër grupeve që Uashingtoni i cilëson si “narkoterroriste”.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i sulmeve të tilla ka kaluar 60, ndërsa mbi 210 persona janë vrarë që nga fillimi i operacioneve në shtator të vitit të kaluar.
Ende nuk dihet nëse gjashtë të mbijetuarit e sulmit të fundit janë shpëtuar.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka bërë të ditur se për rastin ka njoftuar Rojet Bregdetare amerikane, por këto të fundit nuk kanë dhënë detaje lidhur me operacionet e kërkim-shpëtimit.
Komanda Jugore e SHBA-së deklaroi se anija ishte shënjestruar përgjatë një rruge të njohur të kontrabandës së drogës, shkruan Abcnews.
Megjithatë, ushtria amerikane nuk ka publikuar prova që vërtetojnë se mjeti lundrues po transportonte lëndë narkotike.
Një video e publikuar në rrjetin social X tregon anijen duke lëvizur me shpejtësi në det, para se të goditet nga një predhë dhe të përfshihet nga flakët.
Presidenti Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës në Amerikën Latine, duke argumentuar se sulmet janë të nevojshme për të frenuar trafikun e narkotikëve drejt SHBA-së dhe vdekjet nga mbidozat.



