Ushtria amerikane godet objektiva të lëvizjes Houthi në Jemen

18 janar 2024 | 09:50

Ushtria amerikane ndërmorri një valë të re goditjesh kundër objektivave të kontrolluara nga organizata terroriste Houthi në Jemen.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmet e së mërkurës, nga anijet dhe nëndetëset amerikane, vala e katërt e sulmeve brenda pak ditësh, vunë në shënjestër të drejtpërdrejt grupin me bazë në Jemen që mbështetet nga Irani, ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Hamasit rrezikon të përhapet në Lindjen e Mesme.

Sulmet e ndërmarra nga Deti i Kuq goditën më shumë se një duzinë objektivash, thanë zyrtarët amerikanë. Sulmet ndodhin pasi Shtetet e Bashkuara e rikthyen lëvizjen Houthi në listën e organizatave terroriste. Sanksionet kundër organizatave terroriste synojnë t’i shkëputin ato nga burimet financiare.

Pavarësisht sanksioneve dhe sulmeve ushtarake, përfshirë një operacion në shkallë të gjerë të premten nga luftanijet dhe avionët amerikanë dhe britanikë që goditën më shumë se 60 objektiva në të gjithë Jemenin, organizata terroriste Houthi vazhdon fushatën e sulmeve kundër anijeve tregtare dhe ushtarake.

Incidenti i fundit ndodhi të mërkurën kur një dron kamikaz i lëshuar nga një zonë e kontrolluar nga lëvizja Houthi në Jemen goditi në Gjirin e Adenit anijen e transportit “M/V Genco Picardy” që lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall dhe është nën pronësi amerikane.

Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar paralajmërime të fuqishme ndaj Iranit që ta ndalojë armatosjen e lëvizjes Houthi.

Bastisja e një anije me vela nga forcat amerikane të enjten ndërpreu furnizimin nga Irani të lëvizjes Houthi me pjesë raketash balistike, thanë Shtetet e Bashkuara.

Dy pjesëtarë të marinës amerikane ende figurojnë të zhdukur pasi njëri prej tyre u rrëzua nga anija nga një valë e madhe gjatë konfiskimit dhe tjetri u hodh për ta shpëtuar kolegun e tij.

Zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder tha të mërkurën se SHBA-të do të vazhdojnë veprimet ushtarake për të parandaluar sulme të mëtejshme nga lëvizja Houthi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmes një videomesazhi nga Davos…