Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar

26 nëntor 2022 | 18:49

Prof. dr. Ksenofon KRISAFI

Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave

Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, luftën, fitoret, ushtarët, komandan­tët, heronjtë dhe dëshmorët e saj janë shkruar me qindra mijëra faqe, janë përgatitur mijëra emisione audio-vizive, dokumentarë, filma etj. Mendimi kryesor për vlerësimin e saj fokusohet tek identifikimi me një strukturë ushtarake, e cila u shfaq në formë embrionale në fillimet e viteve ’80 të shekullit të kaluar, si reagim ndaj shtypjes së egër nacionale serbe kundër shqiptarëve. Në pranverën e vitit 1998 kishte marrë trajtat e një formacioni të organizuar ushtarako-politik, i një populli të sulmuar, me objektiva, program dhe pikësynim strategjik shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe krijimin e shtetit të pavarur. Vazhdoi shtimin e pandalshëm të radhëve me luftëtarë, armatosjen e pjesëmarrësve dhe u përlesh me aparatin shtetëror të dhunës serbe, derisa u paraqit si element i rëndësishëm jo vetëm në fushën e betejës, por edhe në raportet me faktorin ndërkombëtar. Me këtë të fundit kuptohen Fuqitë e Mëdha me autoritet në fatet e zhvillimeve botërore, fqinjët, organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, rajonale ose univer­sale, politike, ushtarake, ekonomike etj. Më e spikatura midis tyre është OKB-ja me disa prej organeve të saj, Asambleja e Përgjithshme, Këshilli i Sigurimit, Komisioni i të Drejtave të Njeriut – KDNj (pas vitit 2006 u quajt Këshilli i të Drejtave të Njeriut), por edhe OSBE-ja, NATO-ja, BE-ja etj.

Bota politiko-diplomatike, e cila deri në atë kohë kishte vlerësuar, me të drejtë, rolin dhe kontributet e presidentit Ibrahim Rugova në çështjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjykoi dhe pranoi tashmë se UÇK-ja ishte shfaqur si një forcë e rëndësishme politiko-ushtarake mjaft aktive, si faktor përcaktues dhe si bashkëbiseduese serioze dhe e përgjegjshme.

Perëndimi dhe UÇK-ja 

Kur u përhapën lajmet e para rreth UÇK-së, kancelaritë perëndimore patën rezerva serioze. Madje nuk ngurruan ta cilësonin me etiketime nga më të skajshmet. Por shpejt cilësimi dhe emërtimi i UÇK-së do të evolu­onte. E quajtën “forcë ekstremiste”, pastaj “forcë guerile”, më tej i dhanë emërtimin neutral “luftëtarë” dhe në fund e pagëzuan si “forcë çlirimtare”. Ishte meritë e drejtuesve kryesorë, e organizimit juridiko-institucional, përkushtimit, seriozitetit, përgjegjshmërisë, sjelljeve korrekte humanitare etj. që Perëndimi të arrinte në vlerësimin e sipërpërmendur.

Kthesa drejt njohjes u formalizua në takimin e parë të përfaqësuesve politikë të saj, me një delegacion amerikan, ku merrte pjesë edhe Robert Gelbard (Robert S. Gelbard), i dërguar i posaçëm i presidentit Bill Klinton (William Jefferson Clinton). Takimi u bë në Gjenevë dhe është vlerësuar ndër më vendimtarët për afirmimin ndërkombëtar të UÇK-së.

Uashingtoni, i cili deri në shkurtin e vitit 1998 e quante grup terrorist, duket se ishte lëkundur në opinionet e veta dhe vendosi ta njihte nga afër. I dërguari i presidentit do t’u thoshte përfaqësuesve të UÇK-së se: “Ishte kënaqësi që patëm rastin të bisedojmë me ju kaq gjatë dhe kaq hollësisht. Mund t’ju themi se jemi shumë të kënaqur që, më në fund, takuam dikë nga Kosova që e di se çfarë do, që di si ta kërkojë, di ta mbrojë kërkesën e vet, njëkohësisht e di se si ta realizojë atë”.

Vlerësimi i mësipërm tregon se tashmë ShBA-ja kishte ndryshuar qëndrim ndaj UÇK-së dhe atyre që i prinin. Takimi i Gjenevës u pasua nga një tjetër, kësaj here në Junik, më 24 qershor 1998, ku Riçard Hollbruk (Richard Holbrooke), i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Maqedoni, Kristofer Hill (Christopher Hill), bisedoi me përfaqësuesit e UÇK-së, Gani Shehun dhe Hajdin Abazin (Lum Haxhia), në prani edhe të Fehmi Aganit, Veton Surroit, Blerim Shalës si dhe të disa dhjetëragazetarëve.

Vlerësimet e ndërkombëtarëve për UÇK-në nuk ishin të njëjta, qoftë edhe për faktin se vinin nga drejtime dhe kohë të ndryshme. Disa nga anëtarët e NATO-s shpreheshin kundër takimeve me përfaqësuesit e saj. Në mble­dhjen e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, më 29 qershor 1998, u tha se u veprua gabim me bisedimet e emisarëve amerikanë Riçard Hollbruk dhe Robert Gelbard me UÇK-në. Jorgo Papandreu, ministri grek i Punëve të Jashtme, deklaroi se duhej “evituar lënia e përshtypjes te UÇK-ja se po mbështetej rivendikimi i saj për pavarësi”. Ministrat u shprehën kundër pavarësisë së Kosovës. Pranonin vetëm një status special me auto­nomi të zgjeruar brenda Republikës Federative të Jugosllavisë. Me gjuhën tipike inerte të vënies në një plan të fajtorit me viktimën, dënuan çdo akt dhune me qëllime politike dhe iu bënë thirrje drejtuesve të bashkësisë shqiptare të Kosovës që ta“dëshmonin qartësisht angazhimin e tyre në favor të dialogut dhe të një zgjidhjeje politike të problemeve të Kosovës, si dhe hedhjen poshtë të dhunës dhe akteve terroriste”.

Nga ana tjetër, antishqiptarizmi, ngutja dhe padurimi i Beogradit për realizimin e synimeve dhe objektivit të tij final, spastrimin etnik të shqip­tarëve në Kosovë, ndikuan në përkeqësimin e situatave, por edhe në dema­skimin e shpejtë të alibive të vazhdueshme, për gatishmërinë fiktive për të gjetur zgjidhje të pranueshme.

Ishte kjo arsyeja pse sërish mbledhja e ministrave të jashtëm të BE, e mbajtur në Bruksel më 13 korrik 1998, ripërsëriti formulën abstrakte të mbledhjes së mëparshme. Por, ndryshe nga më parë, kërkoi ndalimin e menjëhershëm të armiqësive dhe rifillimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe shqiptarëve të Kosovës, me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Ministrat bënë edhe një tjetër hap spektakolar përpara, vendosën që të përdorej forca, nëse ndonjë nga palët në konflikt do ta bllokonte procesin e bisedimeve. Ata u shprehën pro votimit nga Këshilli i Sigurimit të një rezolute që do ta afirmonte mbështetjen e Kombeve të Bashkuara ndaj përpjekjeve ndërkombëtare deri në ndërmarrjen e vepri­meve në përputhje me Kartën e OKB-së për t’i bindur ata që bllokojnë procesin për t’iu nënshtruar kërkesave të tij.

Një element tjetër i ri ishte fakti që këtë radhë, për herë të parë, ministrat u shprehën se përgjegjësia për shpërthimin e armiqësive në Kosovë binte mbi Beogradin dhe se serbët duhet t’i krijonin kushtet për dialog. Në të njëjtën kohë u pranua se bashkësia shqiptare në Kosovë, përfshirë grupet e armatosura, duhet të “ishin gjithashtu pjesë e negociatave”, me kusht që të përmbaheshin nga përdorimi i dhunës dhe nga aktet e “terrorizmit”. Ministrat e BE-së u shprehën për tërheqjen e forcave të sigurisë, “fajtore” të “represionit civil”, lejimin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe të organiza­tave humanitare, rikthimin e refugjatëve dhe të zhvendosurve. Kërkuan të ndalohej menjëherë asistenca e jashtme dhe mbështetja ndaj grupeve të armatosura. Njëkohësisht iu bënë thirrje “drejtuesve të bashkësisë shqip­tare në Kosovë që të bashkohen dhe të bëjnë kauzë të përbashkët” për bisedimet e ardhshme dhe të caktojnë në këto bisedime një “ekip… plotë­sisht përfaqësues të bashkësisë së vet”. BE-ja njohu shprehimisht nevojën e përfshirjes së UÇK-së (pa e përmendur shprehimisht) në procesin e rikthimit të paqes në Kosovë.

Sekretarja e shtetit, Medlinë Ollbrajt (Madeleine Jana Korbel Albright), e tronditur nga lajmet që vinin për zhvillimet në raportet ndërmjet shqip­tarëve të Kosovës dhe serbëve, të cilat bënin fjalë për ekzekutime masive, masakra të përditshme, foli për mundësinë reale të një katastrofe humani­tare në Kosovë. Madje e akuzoi haptas Beogradin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit. Ajo pati parasysh edhe rezolutën e atyre ditëve të OKB-së, të cilën e cilësoi si shprehjen e një zëri unik të bashkësisë ndërkombë­tare, të vullnetit të saj për ta shtrënguar Beogradin që t’i jepte fund ofen­sivës në Kosovë.

Mizoritë serbe u përmendën zyrtarisht nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, në raportin e 5 tetorit 1998, pak ditë më vonë, nga NATO-ja në urdhrin e 12 dhe 13 tetorit 1998 dhe sërish nga presidenti Klinton. Më 2 tetor 1998 ai deklaroi se ShBA-ja dhe aleatët e vet duhet të tregoheshin shumë energjikë përballë Sllobodan Millosheviqit (Slobodan Milošević), për ta ndaluar dhunën në Kosovë, për arritjen e një rregullimi përmes negociatash dhe për të mos lejuar që“mijëra njerëz të merren peng nga një luftë, të vdesin nga uria ose nga të ftohtit, sepse ata janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre”, siç u shpreh ai.

“Millosheviqi ka dëbuar me qindra mijëra shqiptarë kosovarë nga shtëpitë e veta, por nuk e ka eliminuar UÇK-në. Madje radhët e saj po shtohen dita-ditës.Ajo ka filluar të ndërmarrë ofensiva kundër forcave serbe, të cilat fshihen skutave për t’iu shpëtuar goditjeve ajrore. Tani Millosheviqi po përballet me sigurinë e vazhdimit të fushatës ajrore, me këmbënguljen e UÇK-së dhe me mundësinë për t’iu përgjigjur përpara popullit të vet për fillimin e një konflikti që jo vetëm nuk mund të fitohej, por po i shkakton vendit disfatë ushtarake e rrënim ekonomik”. Klintoni shprehte vendo­smërinë e ShBA-së dhe aleatëve të vet që “Ballkani nuk ka pse të jetë i destinuar si kryeqendra e errësirës në Evropë, një rajon i xhamive të bom­barduara, i burrave e i djemve të pushkatuar nga prapa kokës, i grave të reja të përdhunuara, i rrjedhave të historisë së rishkruar apo të fshirë të grupeve ose të individëve. Siç i kanë drejtuar udhëheqësit njerëzit e tyre gjatë një rruge, ata duhet t’i kthejnë këta njerëz drejt një të nesërmeje më të mirë”.

Politika e vetëpërmbajtjes e UÇK-së

Përkrahja e gjerë që i erdhi Kosovës nga faktori ndërkombëtar do ta for­conte besimin e UÇK-së për realizimin e kauzës së popullit nga gjiri i të cilit kishte dalë, si dhe do ta inkurajonte vendosjen dhe forcimin e marrë­dhënieve të saj me Perëndimin. Nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare, mund të thuhet se UÇK-ja dhe shqiptarët e Kosovës, interesat e shumicës së të cilëve ajo përfaqësonte, me qëndrimet korrekte dhe të përgjegjshme, fituan statusin e palës kryengritëse ose ndërluftuese dhe u cilësuan partnerë të besueshëm në raport me botën e jashtme.

Një aspekt tjetër mjaft domethënës, i vërejtur në fizionominë e UÇK-së, ishte që zgjerimi dhe shtimi i represionit serb kundër shqiptarëve, ndryshe nga sa mund të mendohej, nuk u shoqërua me veprime të njëjta hakmarrëse nga ana e saj. Politika e vetëpërmbajtjes, në themel të së cilës u vendos pranimi dhe respektimi i detyrimeve që buronin nga Rezoluta nr. 1199 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u vlerësua nga faktori ndërkombëtar.

Ishte koha kur Medlinë Ollbrajti paralajmëronte Millosheviqin që, po t’i refuzonte kërkesat ndërkombëtare, do të përballej me pasoja nga më të rëndat, kur i kërkoi NATO-s që t’i aktivizonte forcat ushtarake për ndërhyrje, nëse ai nuk do t’i zbatonte rezolutat e OKB-së. Të njëjtin deklarim bëri ato ditë edhe presidenti Klinton, i cili njoftoi se kishte hapur dritën jeshile për pjesëmarrjen amerikane në sulmet eventuale ajrore kundër Jugosllavisë. Megjithatë, serbët i shpërfillën paralajmërimet dhe përpjekjet për zgjidhjen e butë të situatave ekstreme që vet i kishin krijuar dhe vazhduan ofensivën kundër Kosovës dhe UÇK-së.

Ndërkohë përfaqësuesit e ShBA-së vazhdonin kontaktet me eksponentët e UÇK-së. Prej tyre kërkonin që ta respektonin pushimin e zjarrit dhe të garantonin sigurinë e “verifikuesve” të dërguar në Kosovë nga OSBE-ja. Ishte kjo edhe fryma e bisedimeve të zhvilluara më 17 nëntor 1998, në Dragobil të Malishevës, ndërmjet Kristofer Hillit me delegacionin e UÇK-së i përbërë nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja.

Takimet e emisarëve të lartë amerikanë me përfaqësues të UÇK-së dëshmonin për një ndryshim rrënjësor të qëndrimit të faktorit ndërkombë­tar ndaj lëvizjes së armatosur shqiptare në Kosovë që, siç u tha, iu “impo­nua” ShBA-së dhe aleatëve perëndimorë nga misioni që ajo kishte marrë përsipër dhe korrektësia që demonstronte në veprimtarinë e saj. Admini­strata amerikane e njohu si bashkim “luftëtarësh të lirisë”, që “është ngritur aq sa mund ta dëmtojë shumë ushtrinë jugosllave”, siç shkruante “Uashington Post”.

Kur NATO-ja filloi sulmet ndaj Serbisë, UÇK-ja ishte bërë e papërmbaj­tshme, thoshte Klintoni. Ajo “kryente detyrën e forcave tokësore të NATO-s në terren” dhe, siç deklaronte komandanti i NATO-s, Uesli Klark (Wesley Clark), “i detyronte forcat serbe të dilnin në terren të hapur, ku kishim mundësi t’i sulmonim ato”.

Millosheviqi, i mbyllur në skrofullën e vet në Beograd, vazhdonte të për­sëriste se pjesëtarët e UÇK-së janë “vrasës, banditë dhe dhunues”, siç i thoshte Joshka Fischerit (Joseph Martin “Joschkaˮ Fischer). Por tashmë dihej mirë se ajo nuk ishte vrasëse.

UÇK-ja i imponohet Beogradit

UÇK-ja do t’i imponohej zyrtarisht dhe juridikisht edhe vetë Beogradit. Më 13 janar 1999, midis autoriteteve drejtuese të formacioneve ushtarake të UÇK-së dhe atyre serbe, u krye një shkëmbim robërish. Veprimi, i zakonshëm në pamje të parë, mund të konsiderohet si njohje zyrtare e saj nga Serbia, pranim i saj si faktor me statusin juridiko-ndërkombëtar të palës ndërluftuese ose palës kryengritëse.

Ndërkohë që njësitë e UÇK-së përlesheshin me forcat serbe në frontet e luftës, ndërkombëtarët organizuan takimin e Rambujesë, midis delega­cionit serb dhe atij shqiptar, pjesë thelbësore e të cilit ishin drejtuesin e UÇK-së. Rambujeja shënoi afirmimin dhe njëkohësisht bashkëpunimin e UÇK-së në nivelin më të lartë dhe më të plotë me faktorin ndërkombëtar, me Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, veçanërisht me ShBA-në. Ai ishte takimi i parë zyrtar publik me palën serbe, me ndërmjetësimin e ndërkombëta­rëve.

Procesi i Rambujesë dhe marrëveshja e përgatitur për t’u nënshkruar nga shqiptarët dhe serbët ishte një shans i madh sidomos për Serbinë sepse, sipas saj, ajo legjitimohej për ta vazhduar mbajtjen e Kosovës brenda terri­torit të vet, nëpërmjet një zgjidhjeje politike, të siguruar nga prania ushta­rake në terren. Ishte kjo arsyeja pse në atë kohë përfaqësues të krahëve të ndryshme të Lëvizjes kosovare dhe të UÇK-së druanin se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë do të zhvleftësoheshin luftërat dhe përpjekjet për pavarësi dhe Kosova do të mbetej sërish nën Serbi. Ajo do ta humbiste përfundimisht Kosovën vetëm nëse do të shkaktohej luftë, sikurse ndodhi realisht.

Beogradi ishte fiksuar në obsesionin e mbajtjes me çdo kusht të Kosovës, shkak për të cilin nuk mori parasysh as edhe sugjerimet e protektores së tij më besnike, Rusisë. Përpjekjet e saj nuk patën rezultat. Ministri i Jashtëm, Ivanov, bëri një tentativë tjetër, për ta bindur Millosheviqin që ta nënshkru­ante marrëveshjen. Do të shkonte në Beograd për t’i transmetuar mesazhin “nënshkruaj ose je i humbur”! Beogradin nuk e pranoi, por kjo s’e pengoi Moskën dhe propagandën e saj që të vazhdonte ta ushqente frymën e soli­daritetit me serbët, duke ofruar madje mbështetje njerëzore dhe logjistike.

Konferenca e Rambujesë për Kosovën,- shkruan Jakup Krasniqi, një ndër drejtuesit kryesorë të UÇK-së, është një ngjarje e shënuar historike në raport me faktorin ndërkombëtar. Me gjithë kundërshtimet që mund t’i këtë kjo ngjarje, rëndësia e saj nuk mund të zbehet as sot e as mot. Ngjarja ishte kryesisht për Kosovën, por në Rambuje dhe rreth saj ishin të gjithë shqiptarët, pa dallim kufijsh. Ishin drejtuesit e shtetit shqiptar, të politikës e të diplomacisë shqiptare, ishin edhe drejtuesit e kulturës dhe shkencës humanitare shqiptare. Ishte e gjithë diaspora, të gjithë në mbështetje të delegacionit, të marrëveshjes që në asnjë mënyrë mos ta humbnim mbësh­tetjen ndërkombëtare. Në fund të fundit, edhe delegacioni i UÇK-së kishte shkuar për ta fituar përkrahjen dhe mbështetjen ndërkombëtare. Dhe mbështetja e fuqishme ndërkombëtare ndodhi.

Me shumë objektivitet, sinqeritet e çiltërsi ky pjesëmarrës i ngjarjes së madhe pranon se “sigurisht edhe drejtuesit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së kanë bërë gabime njerëzore gjatë luftës çlirimtare, siç kanë mundur të bëjnë gabime edhe anëtarët e delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën. Se është më se e vërtetë se këto dy ngjarje më kulmore të historisë sonë të lavdishme, janë dy ndeshje të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me pushtuesin shekullor (Serbinë), në rrafshin politik, diplomatik dhe ushtarak dhe rezultati është 5:0 për Koso­vën. Dhe kjo është meritë e drejtuesve politikë dhe ushtarakë, e jo e atyre që sabotonin, e luftonin kundër UÇK-së, që rrëmbenin poste dhe organi­zonin puçe – të tillët vazhdimisht gabojnë, si dje ashtu edhe sot. Zotërinj, kur, në cilën kohë, Kosova ka pasur rezultat më të mirë në raport me Serbinë?” bën një pyetje retorike z. Krasniqi për këtë moment.

Përkundër refuzimit të Beogradit që të aderonte në zgjidhjen e konfliktit përmes negociatave, delegacioni shqiptar nënshkroi marrëveshjen. Për këtë çast Kristofer Hill shprehet se “ishte një moment i ëmbël dhe i hidhur njëkohësisht, sepse të gjithë e dinim, sidomos unë dhe Wolfgang (Petritsch), se në mungesë të firmës serbe dhe me gjendjen e dhunshme që ekzistonte, do të kishte luftë. Por kishte diçka inkurajuese. Pas muajsh të tërë përpje­kjesh, kishim arritur ta bindnim udhëheqjen shqiptare të bashkëpunonte dhe kjo ishte një arritje. Mendova që ky ishte një ogur i mirë për të ardh­men…”

Disa nga protagonistët dhe personazhet e rëndësishme politike të kohës janë shprehur për qëndrimin e Millosheviqit ndaj Konferencës, marrë­veshjes dhe demarsheve të pafundme të amerikanëve dhe perëndimorëve për ta bindur që ta nënshkruante. Ollbrajt e cilësoi “një gënjeshtar të cilit nuk i besohej”. Toni Bler u shpreh se Millosheviqi vizionin e tij mesjetar e bëri ferr real në Evropën moderne. Ministri i Jashtëm rus, pas takimit me Millosheviqin, shpërtheu duke thënë se tek ai nuk kishte parë tjetër përveç se një idiot të gatshëm për ta filluar luftën.

Toni Bleri dhe Joshka Fischer japin disa të dhëna që flasin për lojën që luante Millosheviqi me ndërkombëtarët. Sipas tyre, ai nënshkroi 18 marrë­veshje për armëpushim dhe nuk respektoi asnjërën prej tyre. Nuk respektoi as edhe 73 rezolutat e miratuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Me keqardhje konstatohet se edhe Beogradi i sotëm i Vuçiqit (Aleksandar Vučić), bashkëpunëtorit dhe ndihmësit të Millosheviqit, ecën mbi trashëgi­minë e tij të keqe, nënshkruan marrëveshje me Kosovën dhe nuk i zbaton.

Marrëveshjen për Paqe kosovarët, përkundër disa dozave të skepticizmit nga ndokush, e personifikuan si aktin solemn të nënshkrimit virtual të aleancës ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe ShBA-së e botës perëndi­more nga ana tjetër.

Akademiku Rexhep Qosja, pjesëmarrës në Rambuje, u shpreh se “dorë­zanë më të fortë se ç’ka pala shqiptare sot nuk ka pasur asnjë palë gjatë historisë…’’

Bota në krah të Kosovës

Në krah të Kosovës dhe forcës përfaqësuese më të bujshme të saj, UÇK-së, ishin rreshtuar shtete dhe organizata të ndryshme botërore. Kjo u dësh­mua edhe në angazhimin sistematik të një vargu organizatash ndërkombë­tare, midis të cilave vend me rëndësi zinin përpjekjet e ndërmarra në kua­drin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Disa nga organet e saj kryesore si Asambleja e Përgjithshme (AP) dhe Këshilli i Sigurimit (KS) si dhe Komisioni i të Drejtave të Njeriut (KDNj) – aktualisht i quajtur Këshilli i të Drejtave të Njeriut – çështjen e Kosovës e kanë pasur herë pas here në rendin e ditës së punimeve të tyre. Ka një numër rezolutash të AP dhe të KS të OKB-së, dokumente dhe raporte të KDNj-së si dhe të organi­zatave të tjera ndërkombëtare.

Në seancën e 19 të sesionit të 55-të të KDNj-së e mori fjalën Kofi Anan (Kofi Atta Annan), sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Përshkrimin e prob­lemeve të mprehta të rruzullit në fushën e të drejtave të njeriut e filloi me gjendjen në Kosovë. Fushata e urryer e “spastrimit etnik”, e zhvilluar në mënyrë metodike nga autoritetet serbe në Kosovë,- tha ai, – duket se ka një objektiv të vetëm: të përzë ose të vrasë sa më shumë që të jetë e mundur shqiptarë të Kosovës, privim i një populli nga të drejtat më themelore të jetës, të lirisë dhe të sigurisë, provokim i një katastrofe humanitare në të gjithë rajonin”.

Paralelisht KDNj mbajti edhe një debat special kushtuar Kosovës, ku e morën fjalën një numër i madh delegacionesh. Shumica shfaqën solidaritet me të dhe e dënuan Beogradin, vlerësuan pozitivisht bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe kërkuan ndërhyrjen e fuqishme të organizatave ndër­kombëtare, posaçërisht të Komisionit të të Drejtave të Njeriut etj. Një prej tyre deklaroi se “në Kosovë… serbët praktikuan spastrimin e etnik dhe kryen mizori të papërfytyrueshme… Pavarësia do të ishte e vetmja zgjidhje për problemin e Kosovës”.

Janë të panumërta rastet që provojnë dhe demonstrojnë mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës të pothuajse mbarë botës dhe veçanërisht të ShBA-së. Në një shkrim të asaj kohe, vjen një ngjarje me emocione të fuqishme. Thuhet se Yeltsin, në një telefonatë të zhvilluar me Klintonin, më 19 prill të 1999, tri javë pasi NATO kishte nisur fushatën e bombardi­meve ndaj trupave të Millosheviqit, kërkonte që lufta e Kosovës të zgjidhej përmes bisedimeve, që do t’i jepnin Kosovës një autonomi të zgjeruar dhe Jugosllavisë do t’i ruante integritetin territorial të njohur ndërkombëtarisht deri në ato ditë. Gjatë telefonatës ata folën edhe për çështje të tjera, por tërheq vëmendjen insistimi i Klintonit për praninë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë sepse, sipas tij, pa të shqiptarët nuk do të kthehen kurrë. Forcat serbe kanë djegur fshatrat, i kanë djegur të gjallë, kanë përdhunuar fëmijë dhe nuk ka asnjë mundësi që ata të kthehen pa mbrojtje ushtarake. Kërke­sës së Yeltsinit, për ndërprerjen e bombardimeve, ai iu përgjigj se ajo ndodh“menjëherë nëse Millosheviqi tërheq ushtrinë nga Kosova… Në të shkua­rën Millosheviqi nuk e ka mbajtur fjalën. Na u premtua në tetor tërheqja e trupave, por në vend të kësaj ai dërgoi 40 mijë ushtarë dhe 300 tanke të tjera dhe nisi ta zbatojë planin e vet. Tani duhet të na tregojë me vepra tërheqjen, jo vetëm me fjalë”, thotë Klinton.

Veçanërisht sinjifikativ është një raport i KDNj-së, që mban datën 7 shtator 1999. Ai përmban shumë prova dhe fakte mbi të vërtetat tronditëse, për krimet e padëgjuara të ushtrisë serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Ato tregojnë se deri ku shkonte imagjinata kriminale institucionale e një regjimi dhe e mijëra njerëzve në shërbim të tij, të indoktrinuar e të ushqyer me urrejtje dhe ndjenja shovinizmi dhe ekspansionizmi ndaj Kosovës. Ajo dëshmon tërthorazi për përvojën e një versioni të “modernizuar” të plat­formës nacionaliste të Naçertanias, e cila kishte si bosht themelor strategjik shfarosjen dhe asimilimin e shqiptarëve të Kosovës për t’ua marrë atdheun, tokën, shtëpinë, shpirtin, jetën.

Tirana së bashku me Kosovën 

Gjatë luftës në Kosovë shteti shqiptar nuk ndërhyri zyrtarisht me ushtri etj., por kjo nuk do të thotë se qëndroi mënjanë. Ai ishte maksimalisht aktiv përkrah UÇK-së dhe gjithë faktorëve të tjerë relevantë të rezistencës kosovare, çka u duk sidomos në drejtimet e mëposhtme:

a) Shqipëria u vu e tëra në dispozicion të luftës së bijve dhe bijave të saj të Kosovës. Ata që erdhën nga Evropa dhe ShBA-ja u pritën në portet dhe aeroportet shqiptare, u përcollën drejt kufirit për të shkuar në frontet e luftës.

b) Nëpër Shqipëri kaloi edhe një pjesë e armatimit dhe municioneve që iu vunë në dispozicion UÇK-së nga burime të ndryshme furnizimi.

c) Disa dhjetëra djem nga Shqipëria lanë shtëpitë, familjet, punën, kapër­cyen kufirin dhe u rreshtuan në formacionet luftarake të UÇK-së. Jo pak prej tyre derdhën gjakun.

Shqipëria ishte e para që hapi zemrat dhe dyert e vendit për disa qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, të cilët pushtuesi serb i dëboi nga vatrat amtare.

d) Politika dhe diplomacia shqiptare u vunë tërësisht në dispozicion dhe në shërbim të çështjes së Kosovës. Gjithçka u bë mbi bazën e detyrimit shpirtëror, vëllazëror, pa doza paternalizmi.

Në kohën e luftës së Kosovës drejtues dhe funksionarë të lartë të Shqipërisë, duke filluar nga kryetarët e shtetit, kryeministrat, ministrat e jashtëm, ambasadorë e diplomatë me shërbim në Nju-Jork, Uashington, Bruksel, Gjenevë, Londër, Paris, Vjenë, Romë, Moskë etj., kanë bërë përpjekje të pareshtura në mbrojtje të jetës, dinjitetit, lirisë së vëllezërve të Kosovës dhe të mëvetësisë së tyre nga Beogradi.

Për të dëshmuar solidaritet vëllazëror gjatë negociatave të Rambujesë, si dhe për të ndihmuar në rast nevoje, u dërgua në Paris një delegacion zyrtar shqiptar i kryesuar nga ish-ministri i Punëve të Jashtme Paskal Milo. Në shumicën e kohës ai drejtohej nga zëvendësministri Pëllumb Xhufi. Ndër­kohë politika dhe diplomacia shqiptare e Tiranës përballoi një punë të madhe. Një ndër drejtimet e veprimtarisë ishte sensibilizimi i opinionit publik botëror dhe i faktorit ndërkombëtar nëpërmjet evidentimit dhe denoncimit të krimeve të luftës të kryera nga serbët në Kosovë në vitet 1998-1999.

Përfaqësuesit e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare punuan me përkushtim për përgatitjen e rezolutave të AP dhe të KS, të dokumenteve dhe raporteve të KDNj-së të OKB-së si dhe të organizatave të tjera ndër­kombëtare, sikurse edhe për lobimin dhe sponsorizimin e miratimit të tyre nga forumet përkatëse. Ata kanë ndjekur me shumë vëmendje edhe veprim­taritë që ndërmerreshin nga elementë të veçantë të angazhuar në funksione të rëndësishme në këto organizata. Kanë bashkëpunuar me përfaqësuesit e vendeve të cilët në vitet ’98-’99 shfaqnin simpati ose qëndrime korrekte ndaj UÇK-së dhe shqiptarëve. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe me shtetet e tjerë, që për arsye të ndryshme qëndronin neutralë ose ishin pozicionuar kundër aspiratës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Dufi i shqiptarëve antishqiptarë kundër UÇK-së 

Një grup politikanësh, të mbështetur nga taborë të vetëquajtur analistë ose opinionistë, në Kosovë e në Tiranë, kanë shpalosur njëlloj dufi të papërligjur kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën mënyrë sikurse Beogradi dhe aleatët e tij, edhe këta, me akuza false, u përpoqën jo vetëm ta relativizonin rëndësinë e UÇK-së, ta sabotonin luftën e saj, por edhe ta damkosnin. E quajtën detashment komunistësh, krijesë marksiste, nacionaliste, radikale etj., që mbështetej nga kryetarët e klaneve fisnore, të diasporës kosovare, terroristë, trafikantë dhe shërbime të ndryshme sek­rete.

Disa prej tyre jo vetëm nuk reaguan kur Beogradi ndërmori nismën e ngritjes së akuzave të pabazuara ndaj drejtuesve të UÇK-së, por u duk se u ndien mirë. Shfrytëzuan rastin që, nëpërmjet alibish, të ndërtonin para­lele absurde ndërmjet krimeve të pushtuesve dhe ndonjë veprimi ekcesiv të ndërmarrë nga individë të caktuar. Midis tyre dallohet njëri, i cili prej më shumë se 30 vjetësh dominon në skenën politike shqiptare. Ndërkohë që Medlinë Ollbrajt këmbëngulte dhe i kërkonte delegacionit të Kosovës në Rambuje, na ndihmoni që t’ju ndihmojmë, duke nënshkruar dokumen­tin, dikush nga maja e hierarkisë politike të Tiranës, në mënyrë të pashpje­gueshme i kërkonte delegacionit kosovar të mos e nënshkruante marrëve­shjen, sepse kështu do ta firmoste mbarimin e Kosovës dhe do të ishte tradhtar i çështjes kombëtare shqiptare. “Ju bëj thirrje të mos firmosni, mbasi duke firmosur nxini faqen tuaj dhe faqen e Shqipërisë e të pavarësisë së Kosovës, shkatërroni kombin”. Këto fjalë i shqiptonte ish-presidenti i Shqipërisë, ai që disa vjet më parë, duke shkelur Rezolutën e Këshillit të Sigurimit për vendosjen e embargos ndaj Jugosllavisë, lejoi kontrabandën e naftës nga Greqia drejt Serbisë, për ta furnizuar makinerinë e saj të luftës për ta përdorur edhe kundër kosovarëve. Nuk mund të etiketoheshin tradh­tarë të çështjes kombëtare ata që kishin mbushur radhët e UÇK-së dhe i ishin kundërvënë ushtrisë serbe me heroizëm, me jetën e tyre. Nuk mund të ishin të tillë ata që pranonin këshillat dashamirëse që vinin nga aleatët më të mëdhenj të shqiptarëve në ato kohë për ta nënshkruar marrëveshjen. Askush nuk kishte të drejtë, cilido që të ishte t’u kërkonte përfaqësuesve të kosovarëve të mos firmosnin, t’u tregonte njerëzve të mençur e trima të Kosovës se ç’duhet të bënin në atë moment krucial të rrugëtimit të tyre të pandalshëm historik drejt lirisë dhe pavarësisë. Për më tepër, politikisht, juridikisht dhe moralisht nuk kishte të drejtë t’i akuzonte “Fuqitë e Mëdha”, siç i cilësonte ShBA-ja dhe vendet e Bashkimit Evropian e të NATO-s, se po sabotonin të ardhmen e popullit të Kosovës. Pavarësisht nga justifiki­met që u përdorën prej tij, vite më vonë, për t’i shpëtuar përgjegjësisë morale, politike, kombëtare dhe juridike për këtë qëndrim skajshmërisht të ndesh­kueshëm, ai ishte dhe mbetet veprim që mund të konsiderohet si një tjetër akt i rëndë, fatmirësisht i mbetur në tentativë.

Ismail Kadare, neveri për “biznesmenët e lirisë

Përballë përpjekjeve të tilla antishqiptare u ngrit fuqishëm personaliteti i Ismail Kadaresë i cili dëshmoi se shqetësohej sinqerisht për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në ato kohë të trazuara ai mendonte dhe përhapte bindshëm krejt të kundërtën. Shënimet e hedhura në Ditarin e vet, dëshmojnë se përjetonte çaste të vështira. Revoltohej sidomos nga sjelljet dhe qëndrimet e disa prej politikanëve shqiptarë, për të cilët shpre­hej se “… një pjesë e ‘liderëve’, si në Shqipëri, si në Kosovë, nuk heqin dorë nga mburrjet. Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme, vazhdojnë të jenë si të dehur… Njëri mburret se është ai që e ka në dorë ç’do të vendoset në Rambuje, se po të mos dojë ai, e të mos shkojë ai, gjithçka duhet të prishet. E një tjetër që nuk ka shkelur kurrë në Kosovë, jep mësime patriotike, bën thirrje që në emër të kësaj apo asaj, Kosova të bëhet shkrumb e hi… Dhe është gjith­monë populli shqiptar që paguan, që mjerohet, që digjet e kullon gjak. Kurse këta ‘biznesmenë të lirisë’ kanë nevojë të ngutshme të qytetërohen, sepse janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meriton populli shqiptar…”

Ai ndërhyri disa herë deri në instancat më të larta të politikës dhe diplo­macisë ndërkombëtare. Kërkesa për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë shkonte kundër çështjes kombëtare shqiptare, kundër UÇK-së, binte ndesh me përpjekjet e ShBA-së e të BE-së. Shqiptarët dëgjuan zërin e zemrës së vet dhe aleatët e mëdhenj, ShBA-në dhe BE-në, shpërfillën kërcënimet e ish-presidentit shqiptar,firmosën marrëveshjen e Rambujesë, i bënë vendit shërbimin më të madh dhe tërhoqën mbi vete bekime për maturinë e treguar. Nënshkrimi i marrëveshjes i hapi rrugën zyrtarizimit juridik të lirisë dhe, më tej, pavarësisë së Kosovës.

Antishqiptarët e faktorit ndërkombëtar 

Paralelisht me përkrahjen që i vinte popullit të Kosovës nga shumë drej­time, zhvillohej edhe një propagandë antishqiptare nga faktorë politikë që, për interesa politike, ekonomike etj., ose për solidaritet sllavo-ortodoks, merrnin në mbrojtje Serbinë. Kjo shpjegon arsyen pse janë vërejtur raste, kur edhe individë të ndodhur në funksione të rëndësishme në organe të organizatave ndërkombëtare, nuk kanë hezituar t’i përligjnin veprimet mizore dhe politikat e genocidit ose spastrimit etnik serb kundër shqiptarëve të Kosovës. Thelbi i arsyetimeve të tyre ishte që serbët u përfshinë në luftë sepse u provokuan nga shqiptarët, të cilët ishin “shkaku dhe pasoja”.

Disa funksionarë ndërkombëtarë, në shkelje të statusit të tyre, që imponon paanshmëri dhe objektivitet, e vunë veten përkrah Serbisë. Shpërfillnin faktet dhe të vërtetat, improvizonin justifikime, deformonin imazhin e UÇK-së dhe në përgjithësi të rezistencës shqiptare në Kosovë.

Një ndër shembujt më tipikë është ai i të ndjerit Jiri Dienstbier, i cili, në emër të strukturave ndërkombëtare më autoritare, fliste kundër UÇK-së dhe shqiptarëve. Me keqardhje konstatohet se në raport me shqiptarët ai dhe disa të tjerë si ai, të ndodhur edhe në konflikt interesi me përgjegjësitë që kanë pasur, nuk e kanë kryer detyrën me korrektësi.

Në janarin e vitit 1998 ai ishte caktuar i dërguar special-raportues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në ish-Jugosllavi. I ardhur nga radhët e opozitës antikomuniste çeke, nga një vend gjeografi­kisht afër ish-Jugosllavisë, me një të kaluar e cila dominohej nga kundër­shtimi i regjimit komunist në vendin e vet, mendohej me të drejtë se do ta kishte relativisht të lehtë për t’i njohur në thelb realitetet dhe do t’i përcillte me frymë realiste. Por raportimet dhe dokumentet që përgatiste ai dhe ekipi i tij, së paku për rastin e Kosovës, karakterizoheshin nga të pavërteta, nga përshkrimi me ngjyra zbukuruese i qëndrimeve serbe ndaj shqiptarëve dhe kalimi mbi ta i përgjegjësive të stisura. Kjo mënyrë veprimi nuk ishte aksidentale, por vijë e përgjithshme sjelljeje e raportuesit të posaçëm, që vihej re në shumë nga dokumentet që mbanin firmën e tij. Fjala vjen, në Raportin periodik të titulluar “Mbi situatën e të drejtave të njeriut në Republikën Federale të Jugosllavisë (Serbi dhe Mal të Zi), Republikën e Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinë”, të përmendur më sipër, autori dhe bashkëpunëtorët e tij, teksa pohojnë në formën pavetore “spastrimin etnik të shqiptarëve që ndodhi në pranverë”, nuk e zënë në gojë emrin e serbëve, autorëve të pakontestuar të masakrës shtetërore që kishte ndodhur në të gjithë Kosovën.

Kur nuk kishin kaluar veçse pak muaj nga mbarimi i luftës, kërkonte pa logjikë që situatat në Kosovë të shfaqeshin të ndryshuara menjëherë, sikur atje të mos kishte ndodhur asgjë dhe shqiptarët, pavarësisht se ç’kishin hequr, duhet të rroknin përqafe vrasësit e tyre.

Gjuha dhe fryma e mësipërme do ta përshkonte edhe raportin e paraqitur në punimet e KDNj-së, në seancën e 28 marsit të vitit 2000 dhe në seancat e tjera në vijim. Delegacioni shqiptar reagoi në disa raste me një lloj ashpë­rsie që, hera-herës, tejkalonte taktin diplomatik klasik. Duke pohuar të vërtetat, vinte në dukje mungesat e theksuara në integritetin profesional dhe etik të raportuesit të posaçëm për sa iu përkiste qëndrimeve ndaj shqip­tarëve. Në fjalën e mbajtur më 30 mars 2000, kryetari i delegacionit shqip­tar deklaroi: “Nuk mund të mos shfaqim habinë dhe keqardhjen për për­mbajtjen e politizuar të deklarimit të Raportuesit të posaçëm… Me sa dimë ne, një deklaratë e tillë nuk është dëgjuar ndonjëherë në këtë auditor nga një raportues i posaçëm, i cili mandatin e ka që të punojë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe jo të bëjë politikë. Kur thotë se situata sot është më e keqe se një vit më parë, ai me siguri harron se para një viti rreth një milion shqiptarë ishin dëbuar nga vatrat e tyre, qindra mijëra të tjerë ndiqeshin nëpër male nga vrasësit profesionistë të Millosheviqit, mbi dhjetë mijë veta u vranë, dhjetëra mijëra u burgosën, nga të cilët disa mijëra janë ende në burgjet serbe dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, dhjetëra mijëra shtëpi u dogjën e u shkatërruan”.

Më tej, ai tha se raportuesi i posaçëm guxon ta kërcënojë dhe ta fyejë popullin e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare, që e etiketon “e ashtu­quajtura bashkësi ndërkombëtare”. Duam t’i kujtojmë atij se ishte kjo bashkësi që mundi Millosheviqin, që siguroi kthimin në trojet e veta të familjeve të përgjysmuara shqiptare e që sot është angazhuar për ta rindër­tuar jetën në atë vend. Dhe kjo, ndryshe nga sa mendon z. Reporter i posa­çëm apo të tjerë si ai, ishte një arritje madhështore e bashkësisë ndërkom­bëtare… për të cilën shqiptarët kanë mirënjohje të thellë”.

Në mbyllje të fjalës u pohua se, ndryshe nga z. Reporter, që e paraqet bashkësinë ndërkombëtare si fiksion dhe e pikturon Millosheviqin si të vetmin realitet në rajon, të cilit duhet t’i trembemi të gjithë, ne mendojmë se ai “është i fortë vetëm për ata që e duan të tillë, sepse në realitet është tirani i mjerë dhe i vetmuar i Ballkanit, një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”.

Shtatë muaj më pas, në briefingun e 28 marsit 2001, ku u diskutua sërish rreth raportit të radhës, të paraqitur po prej tij, përfaqësuesi shqiptar i tha në sy, se “gjuha e përdorur gjatë brifingut të sotëm është jo vetëm larg objektivitetit, por tejkalon edhe mandatin tuaj. Nisur nga sa u tha më sipër, unë shtroj pyetjen: cilat janë arsyet personale dhe lidhjet që përcaktojnë pozicionin tuaj të njëanshëm? Ky deklarim u bë sepse, sipas informacio­neve të misionit shqiptar në Gjenevë, rezultonte se arsyet e vërteta, që duket se ndikonin në qëndrimin e tij në mbrojtje të Serbisë, kishin të bënin me lidhjet e veçanta farefisnore e familjare me Beogradin. Kadareja, në shkrimin e botuar në “Le Monde”, më 14 dhjetor 1999, thoshte se gjyshi i tij, Emil Hajek, kishte ardhur nga Serbia në vitet ’30të shekullit XIX dhe kishte themeluar Akademinë Muzikore. Kishte jetuar në Çeki derisa vdiq, së bashku me një pjesë të familjes së vet. Vajza e tij e quajtur Anna Dien­stbier duhet të ishte e ëma e Jiri Dienstbierit.

Një pjesë e rrethit të vet familjar jetonte e punonte në Serbi, duke pasur madje edhe pozita të rëndësishme në hierarkinë zyrtare e partiake të Beogradit. Tezja e Dienstbierit (motra e nënës) ishte një ndër drejtueset kryesore të partisë së Mira Markoviqit – Millosheviqit, kurse burri i saj mbante pozitën e kryeredaktorit të gazetës serbe “Politika”.

Çështjen e raportimeve plot shtrembërime të realitetit në Kosovë, delega­cioni e rimori sërish në debatin e përgjithshëm, të sesionit të 57 të Komi­sionit të të Drejtave të Njeriut, në seancën plenare të pasdites së 29 marsit 2001. Në fjalën e kryetarit të delegacionit shqiptar u deklarua, ndër të tjera, se raportimi i sotëm i Raportuesit të Posaçëm “të ngjallë ndjenja frike dhe tmerri për situatën në Kosovë dhe rreth saj. Është për të ardhur keq se duket sikur ai përpiqet ta nxisë urrejtjen ndaj shqiptarëve duke i blasfemuar ata me shumë epitete denigruese si ‘terroristë’, ‘banditë’, ‘mafiozë’, ‘luftë­nxitës’ etj… Për të ndërtuar një shoqëri moderne multietnike (në Kosovë) do të duhej që të punojë edhe pakica serbe, e cila duhet t’i braktisë qëndrimet vetizoluese, t’i eliminojë organet paralele, të përfshihet në administratën e Kosovës dhe të bashkëpunojë me faktorët politikë shqiptarë për ta parë veten si qytetare të saj…”

Në fjalën e mësipërme trajtohej, gjithashtu, edhe situata në Luginën e Preshevës, e cila “ngarkohej kohë pas kohe me ngjarje të rënda, që thello­nin diskriminimin dhe ndarjen ndërmjet shqiptarëve dhe popullsisë serbe… Arsyet e vërtetë të shpërthimit të dhunës në rajon janë politikat antishqip­tare të ndjekura historikisht nga regjimet serbe…”

Se kush ishte dhe ç’rol luante Dienstbieri mund të kuptohet lehtë edhe nga fjala e presidentit serb Vojslav Koshtunica, mbajtur në seancën e 30 marsit 2001, në sesionin 57 të KDNj-së. Që në nisje ai falënderoi Mary Robinsonin – komisare e lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe menjëherë pas saj Dienstbierin. Për këtë, që ishte shfaqur mjaf­tueshëm edhe si “përkrahës i posaçëm” i Serbisë, tha se “kishte pikturuar një pasqyrë të qartë të situatës të të drejtave të njeriut në Republikën Federale të Jugosllavisë, në Republikën e Kroacisë dhe në Bosnjë-Hercegovinë në raportin e tij (E / KKN.4 / 2001/47 dhe Shtesa.1)”.

Pa as më të voglën brejtje ndërgjegjeje për çka serbët e vet dhe pararen­dësit e tij, në krye të shtetit jugosllav, iu kishin bërë kroatëve, boshnjakëve dhe, së fundi, shqiptarëve, e vazhdoi fjalën sikur vinte nga ndonjë planet tjetër dhe nuk dinte se ç’kishte ndodhur me shqiptarët dhe të tjerët dhe kush ishte shkaktari. “Populli jugosllav …, – tha ai, – u përball me sfidën e ndërtimit të një shoqërie të re dhe të lirë, duke luftuar terrorizmin shqiptar, gjë që nuk ishte detyrë e lehtë”.

Këto ia thoshte KDNj-së, organit të OKB-së, i cili, në raportin e 27 shta­torit 1999, shprehej tekstualisht që “… forcat serbe kryen krime tronditëse gjatë fushatës ajrore të NATO-s… Komisionari i Lartë dëshiron të theksojë se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të pranojë që të mbeten të pandë­shkuar ata që janë përgjegjës për mizori të tilla të tmerrshme”. Ia thoshte KDNj, ku pak kohë më parë vetësekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anani, kishte thënë, siç u përmend edhe pak më sipër, se fushata e urryer e “spastrimit etnik”, e zhvilluar në mënyrë metodike nga autoritetet serbe në Kosovë, duket se ka një objektiv të vetëm: të përzë ose të vrasë sa më shumë që të jetë e mundur shqiptarë të Kosovës.

Me qëndrimet e raportuesit të posaçëm bashkoheshin kohë pas kohe edhe përfaqësues të disa shteteve të tjerë. Në një nga fjalimet e veta delegati i Shqipërisë në KDNj shprehu keqardhjen e vendit të vet dhe shtroi pyetjen “kush nga këta që sot luajnë rolin e avokatit në mbrojtje të Millosheviqit foli në vitin 1989, kur Kosovës iu hoq autonomia, kur iu mbyllën shkollat dhe universiteti shqiptar, radioja dhe televizioni, gazetat, revistat dhe gjithë botimet e tjera në gjuhën shqipe? Kush e ngriti zërin kur Kosova iu nënshtrua për vite të tëra një regjimi të pashpirt të terrorit shtetëror? Si mund të tolerohet që një regjim gjakatar të mbajë peng një popull prej më shumë së dy milionë banorësh nën pretekstin absurd të domosdoshmërisë së respektimit të ‘sovranitetit’ të papërligjur? Paragjykimet e këtij zhvillimi nuk mund dhe nuk duhen lejuar që t’i kundërvihen paqes, ligjit dhe drejtë­sisë”.

Veprimtaria e Dienstbier lë përshtypjen sikur ai i kishte vënë për detyrë vetes të pastronte nga ndërgjegjja e Serbisë dhe e serbëve njollat e gjakut dhe gjynahet e rënda ndaj kosovarëve t’ia transferonte UÇK-së.

Përgënjeshtrimi i pretendimeve të tij dhe i mbështetësve të Beogradit u bë, ndër të tjera, nga vetë UÇK-ja, e cila u rrit numerikisht, u konsolidua dhe, me ndihmën edhe të faktorit ndërkombëtar, përballoi ofensivat e push­tuesit serb, duke arritur të afirmohej pozitivisht në skenën ndërkombëtare.

Dik Marti dhe Karla Del Ponte kundër UÇK-së 

E njëjta situatë në raport me UÇK-në u riprodhua vite më pas me Dik Martin (Dick Marty). Ai u bë aktor i një skenari antishqiptar, i përgatitur në një terren të ngarkuar me lloj-lloj legjendash, historish, thashethemesh etj., të prodhuara në Beograd dhe të qarkulluara nga mediume politike, diplomatike e gazetareske.

Me veprimet e tij, me apo pa dashje, iu bashkua Beogradit dhe aleatëve të tij, që përpiqeshin ta zhduknin ose ta denigronin UÇK-në me akuza false.

Anatemimi ndaj saj zuri fill zyrtarisht më 2011, kur Dik Marti paraqiti, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, një raport të përgatitur, në mos tërësisht, së paku të mbështetur në tekstin dhe “provat” e furnizu­ara nga shërbime të caktuara të Beogradit. Sipas rekomandimit të tij u krijua Gjykata Speciale për Kosovën. Akuzat ndaj UÇK-së, për trafikim të organeve njerëzore, u përgënjeshtruan dhe ranë sepse nuk u gjet ndonjë provë as në Kosovë dhe askund tjetër. Megjithatë, të pavërtetat e raportit Marty, në shkelje të disa prej parimeve të rëndësishme që rregullojnë funksionimin normal të çdo sistemi drejtësie, mbajnë në burg “UÇK-në”. Nuk u provua krimi i pretenduar i trafikimit të organeve njerëzore. Prandaj Shqipëria i kërkoi Këshillit të Evropës për të pasur një raport vijues. Në të njëjtën kohë, kryeministri shqiptar e shtroi çështjen në fjalën që mbajti në sesionin 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 24 shtator 2022, duke theksuar se edhe pse dëmi është bërë, Asambleja e Këshillit të Evropës ka nevojë ta njohë të vërtetën dhe ta pranojë kërkesën e Shqipërisë.

Krahas Dik Martit, zvicerania Karla Del Ponte, “rastësisht” me pozicion të lartë ndërkombëtar – kryeprokurore për krimet e luftës në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, në harmoni të plotë me të, “hetoi krimet” që ua faturuan drejtuesve të UÇK-së dhe i ngarkoi ata me akuza të pavërte­tuara.

UÇK-ja nuk ishte shtet as edhe institucion i ndonjë shteti. Rrjedhimisht nuk ishte firmëtare e Konventave të Gjenevës të 1949-s. Megjithatë, krejt ndryshe nga Serbia, u udhëhoq nga parimet bazë të së drejtës ndërkombë­tare si dhe nga normat e kodit moral shqiptar të përshkuara nga virtytet e larta njerëzore. Ajo nuk ka cenuar rregullat e zhvillimit të luftës, posaçërisht ato që kanë të bëjnë me trajtimin e grupeve njerëzore të përfshira në luftë ose të prekura prej saj.

Dik Marti, Karla Del Ponte dhe kori i tyre antishqiptar, bashkohen me një shtet, i cili mundohet të makiazhojë të shkuarën e vet të përgjakur, të improvizojë një histori tjetër, të shpëlarë nga krimet, ekspansioni, shovi­nizmi. Të vendosura në këtë sfond zhvillimesh këto procese kanë marrë format e një alibie institucionale, që shpërfill norma themelore moralo-juridike dhe etiko-njerëzore. Në emër të dënimit të çdo shkeljeje nga kushdo qoftë, qoftë ajo edhe hipotetike, hedhin baltë mbi rezistencën dhe luftën e Kosovës.

Qëndrimet e Lajçakut

Reminishencat e këtij qëndrimi gjenden edhe në ditët tona te ndonjë nga segmentet e faktorit ndërkombëtar. Tipa të tillë, sërish, me qëndrimet që mbajnë, duket se zbehin apo më keq zhvendosin përgjegjësitë e rënda të Serbisë për krimet e luftës, gjenocidit, spastrimit etnik etj. Shembujt nisin që në kohën e Luftës së Kosovës, vazhdojnë me shpifjet e Dienstbierit, me të pavërtetat e Dik Martit, me akuzat ndaj zinxhirit komandues të UÇK-së, mbylljen e tyre në dhomat e paraburgimit në Hagë etj. Ato, si për të mos lënë mundësinë e fashitjes së kujtesës historike, përmenden sërish tashmë pas 20 e ca vjetëve të mbarimit të luftës në Kosovë edhe në disa qëndrime të Miroslav Lajçakut, ndërmjetës i BE-së në negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës etj. Anësia e tij proserbe lë dyshime se edhe ai është një tjetër sllavo-ortodoks, që ecën në gjurmët e Dienstbierit. Në diskutimet që bëhen për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën me sloganet inflacioniste që deklaron duket sikur synon ta çlirojë nga fajësia agresoren-Serbinë – për t’ia ngarkuar viktimës-Kosovës.

Miroslav Lajçakut i është ngarkuar një mision shumë fisnik: të kontri­buojë për vendosjen dhe për mbajtjen e marrëdhënieve normale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, të cilët rrethanat e caktuara gjeografike i kanë vendosur pranë njëri-tjetrit, duke i “dënuar”, duan ose jo, që të bashkëje­tojnë në emër të jetës, zhvillimit, të ardhmes së brezave njerëzorë. Nga kjo pikëpamje, që të realizohet misioni i Lajçakut, lypset devotshmëri, objekti­vitet, paanësi e përkushtim dhe mbështetje nga të gjithë faktorët relevantë, përfshirë edhe vetë Lajçakun.

Përpara se të konkludohet dhe të gjykohet për rezultatin e sipërmarrjes që i është besuar, nuk mund të mos mbahet parasysh se ai ka qenë ministër i Jashtëm i Sllovakisë dhe ambasador i saj në Serbi. Të dyja këto rrethana,edhe pse mund të shkaktojnë retiçenca, mbajtje fryme përpara daljes në konkluzione, nuk duhen paragjykuar në dëm të Kosovës. Mbajtësi i porto­folit të ministrit të Jashtëm supozohet që duhet të karakterizohet nga aftësi profesionale, besueshmëri politike për përballimin e angazhimeve me ndjeshmëri dhe vështirësi në realizim, të cilat, ndoshta, nuk mund të vihen në dyshim. Por ato kërkojnë edhe një shkallë të lartë integriteti etiko-moral dhe vlerash humane, të cilat askush nuk ka të drejtë t’i vejë në pikëpyetje. Por, nuk mund të shpërfillet fakti që Lajçak është ish-ministri i Jashtëm i një prej pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e ka njohur Kosovën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare.

E njëjta situatë jo shumë komode është krijuar edhe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell, ish-ministër i Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit të Qeverisë së Spanjës, e cila, gjithashtu, nuk e njeh Kosovën e pavarur.

Lajçaku është justifikuar se ne punojmë për BE-në dhe jo për vendet tona. Duket disi e vështirë, që një qenie njerëzore të përfaqësojë dhe të mbajë dy qëndrime, një si ish-ministër i Jashtëm i një qeverie që nuk e ka njohur Kosovën, një tjetër si funksionar i BE-së që duhet të punojë për zgjidhjen e problemeve, pikënisja e të cilave ka si premisë bazë pikërisht njohjen e saj. Në këtë kuadër ai ka pohuar se qëndrimi i BE-së është të kërkojë nga të dyja palët që të përmbahen nga veprimet që krijojnë atmosferë të tensio­nuar. Duke e mirëkuptuar dhe pranuar pohimin e tij, kushdo mund të bëjë pyetjet normale se si ka reaguar ai në rastet e kërcënimeve serioze serbe për lirinë dhe integritetin e Kosovës ose për fushatën e Beogradit për tër­heqjen e njohjeve ndërkombëtare ndaj Kosovës nga ana e disa shteteve etj.?

Është detyrë funksionale e tij që ta shohë procesin e negociatave shqiptaro-serbe me realizëm dhe objektivitet, i zhveshur nga simpatitë, preferencat politike ose antipatitë, ta shohë me paanësi, në interes të rregullimeve të drejta, afatgjatë, që të mos cenojnë sërish interesat dhe aspiratat legjitime të shqiptarëve të Kosovës, për t’i plotësuar kërkesat tekanjoze të Beogradit.

Në vlerësimin e tij në postin e ndërmjetësit nuk ka arsye të paragjykohet për shkak të funksionit të ish-ambasadorit në Beograd, njohjes së vendit dhe gjuhës serbe. Por të vështruara në kontekstin e disa ngjarjeve të derita­nishme dhe arsyeve që mund të kenë të bëjnë ose jo me atë vetë, projek­tohen ndonjëherë hije deziluzioni. Ai ka heshtur, fjala vjen, kur Beogradi ka guxuar të pretendojë të marrë kompensime për “humbjen” e Kosovës, ndaj së cilës nuk ka asnjë të drejtë.

Ai ka heshtur edhe për politikën e dubël standardeve të ndjekur prej tij si për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të përfunduara me Prishtinën, ashtu edhe të drejtave të minoriteteve respektive. Nuk është dëgjuar të shprehet kur iu kërkohet kosovarëve t’iu akordojnë serbëve që jetojnë në Kosovë të drejta që tejkalojnë parametrat e akteve juridiko-ndërkombëtare për minoritetet, nëpërmjet krijimit të të ashtuquajturit Asociacioni i Komunave Serbe (Zajdenica) në Kosovë dhe rezervimit të disa vendeve në parlament. As Borelli dhe as ai, megjithëse njohës të së drejtës ndërkombë­tare, e cila reciprocitetin e konsideron si parim themelor, nuk e ngrenë zërin që edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, e cila aktualisht ndodhet në Serbi, të gëzojnë po ato të drejta që rivendikohen nga serbët në Kosovë, të kenë edhe ata Asociacionin e Komunave me Shumicë Shqiptare në Serbi dhe vendet respektive në parlamentin serb.

Ai dhe grupi i bashkëpunëtorëve të tij nuk veprojnë me vendosmërinë e nevojshme që të dënohet dhe të ndalohet politika e spastrimit etnik soft, e ndërmarrë nga Beogradi, nëpërmjet të ashtuquajturit pasivizim i adresave të gjendjes civile, çregjistrimit të shqiptarëve nga dokumentacioni zyrtar, nëse nuk jetojnë në vendbanimet e tyre. Është detyrë e tij që të shprehet dhe të veprojë edhe sepse në korrikun e 2022-s Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që e dënon Serbinë dhe kërkon ndërmarrjen e një hetimi të pavarur për ta sqaruar situatën aktuale për gjenocidin që ajo po kryen në Kosovën Lindore, në Luginën e Preshevës. Funksionarë që paraqiten dhe flasin në emër të parimeve të mëdha të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat qëndrojnë në themelet e BE-së dhe të ardhmes së njerëzi­mit, nuk mund të heshtin përpara një realiteti ku serbët në Kosovë të diktojnë dhe të llastohen si shtetas të privilegjuar, kurse shqiptarët në Serbi – Kosovën Lindore, të shihen si qenie të dorës së dytë, që mund të dëbohen dhe asimilohen në çdo kohë, me çdo mënyrë dhe me çdo mjet. Nuk mund të ecet më tej në këtë trajektore problematike. Ajo nuk ka sjellë rezultatet e pritura. Përkundrazi, ka inkurajuar arrogancën dhe megalomaninë e atyre, të cilët kodi moral njerëzor i të gjitha kohëve i obligon të paraqite­shin në negociata duke filluar me shprehjen e pendesës dhe kërkimin e ndjesës për krimet që kanë kryer ndaj shqiptarëve. Një sjellje e tillë, skaj­shmërisht tolerante nga ana e faktorit ndërkombëtar, ua ka krijuar idenë serbëve se kanë të drejtë të kërkojnë dhe të marrin gjithçka, duke iu lënë të tjerëve asgjë.

Është shprehur njëlloj rezerve ndaj caktimit të Lajçakut në këtë detyrë. Për sa kohë që nuk është invokuar ndonjë motiv bindës është avancuar sërish hipoteza e ndjenjës së solidaritetit të pamjaftueshëm pansllavist dhe ortodoks. Kjo rrethanë vendos pikëpyetjen e parë shoqëruar me keqardhje. Buron, ndër të tjera, edhe nga një qëndrim i shprehur publikisht në vitin 2009, kur thoshte se nuk do të pranonte asnjë iniciativë që do ta kushtëz­onte pranimin e Serbisë në BE me njohjen e Kosovës. Tani, kur zyrtarisht i duhet të punojë për një zgjidhje që nuk përkon me deklarimin e 2009-s, ka lënë të kuptohet se kishte ndryshuar qëndrim pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në mbrojtje të kërkesës antikonstitucionale të serbëve për themelimin e të ashtuquajturit Asociacion, Lajçaku, ndoshta edhe nga pakujdesia e çastit, ka deklaruar se nuk është problem që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës. Si ish-ministër dhe si diplomat ai e di mirë që kushtetutat e shteteve sov­rane nuk ndryshohen nga funksionarë ndërkombëtarë apo me urdhër të tyre, por nga populli i vet, me votim ose referendum.

Ndërmjetësi i BE-së, i cili në ndonjë rast gjatë bisedimeve shqiptaro-serbe ka ngatërruar karrigen dhe është ulur në një radhë me delegacionin serb, mund ta përmbushte më mirë misionin nëse thellohet në njohjen e histo­risë dhe të realiteteve në raportet shqiptaro-serbe,sepse shqiptarët, e shpër­ndarë padrejtësisht në gjashtë shtete, kanë dy nga shtetet e konfiguruara në kushtet më paradoksale në Evropë e, ndoshta, në botë! Janë të vetmit të cilët rrethohen nga të gjitha skajet kufitare nga vëllezërit e tyre shqiptarë, të një gjaku, të një gjuhe, të një etnie, të një konstitucioni shpirtëror e nacional. Një pjesë e tyre u është nënshtruar politikave mizore asimiluese, asgjësuese të spastrimit etnik, të gjenocidit. Ata që kanë mbetur ende në trojet e veta janë shtrënguar me çdo mjet dhune të mos guxojnë as të thonë se janë shqiptarë nga origjina, kombësia, të mos guxojnë as ta flasin gjuhën e tyre amtare, madje t’i ndryshojnë mbiemrat, duke iu shtuar prapashtesat oviq, ovski, is etj. Ato iu vijnë nga gjuha e shtetit ku i la fati, si formë e rafinuar e dhunës politike shfarosëse. Nuk janë lejuar të bashkohen në një shtet të vetëm, në shtetin e tyre të përbashkët, në shtetin e shqiptarëve, siç ndodh me shumicën e popujve të botës. Pse? Në emër dhe për llogari të së ashtuquajturës paqe evropiane, në emër të të ashtuquajturit stabilitet dhe ekuilibër rajonal?! Lajçaku, madje edhe Borelli, i cili, gjithashtu, është shprehur me të njëjtën gjuhë, nuk mund t’u japin dot përgjigje pyetjeve se ç’borxh u kanë shqiptarët – evropianët autoktonë, evropianëve të tjerë, një pjesë e tyre të natyralizuar si të tillë diku nga mesi i mijëvjeçarit të parë?! Deri kur do të vazhdojë që jeta, qenia, e ardhmja e shqiptarëve do të mbeten të hipotekuara në kancelaritë e Evropës dhe botës sllavo-ortodokse?

BE-ja është serioze, thotë me të drejtë Lajçaku, dhe se ai vetë është “roje e vlerave evropiane në kërkim të një zgjidhjeje që duhet t’i afrojë të dyja palët dhe të jetë e pranueshme nga BE-ja, që ajo të jetë në frymën e shekullit 21 dhe jo 19”. Por, ndonjëherë, nuk i shpëton dot gjuhës dhe logjikës së pararendësve, veçanërisht Eduard Grejit, i cili, më 12 gusht 1913, 110 vjet më parë, pasi së bashku me kolegët e vet, ambasadorët e Fuqive të Mëdha, kishin copëtuar mizorisht Shqipërinë, deklaroi se atë (Shqipërinë) e sakri­fikuam në emër të paqes evropiane. Edhe Lajçaku, megjithëse pretendon se flet me konceptet e shek. XXI, e një shekulli që duhet të karakterizohet nga nivele të larta emancipimi e qytetërimi, barazie, respekti reciprok etj., shprehet gati në mënyrë identike sipas mentalitetit të Kongresit të Vjenës,1814-1815, Kongresit të Berlinit, 1878, ku Shqipëria u trajtua sipas statusit të një shprehjeje gjeografike si edhe të Konferencës së Londrës,1912-1913, kur ajo u muros në themelet e “paqes” fiktive evropiane.

Pjesë e këtij grupimi që ka marrë si mision t’i sakrifikojë sërish shqiptarët në interes të fqinjëve janë edhe debutantë të tjerë, që pavarësisht se shfaqen në role episodike, mund të sjellin dëme të mëdha. Këta pothuajse me të njëjtin mentalitet, papërgjegjshmëri dhe antishqiptarizëm, kërkojnë me insistim të imponojnë zgjidhje, fijet e të cilave të çojnë në Beograd.

I tillë është prezantuar vitet e fundit edhe ish-i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell etj. Ky, me sa duket, nën ndikimin e një megalomanie të papërligjur, nuk ka hezituar të artiku­lojë ndaj shqiptarëve shprehje fyese, që kapërcejnë jo vetëm normat ele­mentare të mirësjelljes dhe protokollit diplomatik, por edhe ato të etikës qytetare. Në një prononcim, në vjeshtën e vitit 2022, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e quajti “fashist me përvojë”, sepse ka “mëkatuar” duke ndërmarrë hapa të njëanshëm për vendosjen e reciprocitetit (!) ndaj Serbisë.

Qëndrimin e tij shqiptarët në të dyja anët e kufirit e pritën me dëshpërim, madje nuk e identifikuan si direktivë parimore, zyrtare të Uashingtonit. Roli i rëndësishëm, përcaktues, i Shteteve të Bashkuara në paqësimin e Ballkanit Perëndimor, në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka mbetur i pacenuar. Në këtë vështrim shihet me entuzia­zëm dhe besim angazhimi konstant i Uashingtonit nëpërmjet emisarëve të vet, ku kohët e fundit është dalluar Gabriel Escobar, i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

* *  *

Mbi bazën e qëndrimeve të pavendosura, me prirje për ta lehtësuar pozi­tën e Beogradit, janë ndërmarrë veprime të cilat te shqiptarët kanë ngjallur deziluzione deri në dëshpërim, sepse iu rikthejnë në kujtesë ndodhi tragjike të së kaluarës, kur faktori ndërkombëtar përgjithësisht ishte kundër tyre.

Lajm trishtues ishte njoftimi i 24 qershorit 2020, i ardhur nga kabineti i prokurorit të specializuar i Kosovës, për ngritjen e akuzave penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe një numri drejtuesish të tjerë të UÇK-së, të dyshuar për trafik organesh dhe vepra penale të tjera të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Ata përfunduan në Hagë për t’u hetuar dhe për t’u gjykuar në Dhomat e Specializuara.

Rrjedha e mëtejshme e procesit tregoi se po vihej në diskutim shpresa që drejtësia ndërkombëtare e Hagës do të funksiononte normalisht. Nga njëra anë ishte rasti i identifikimit, gjykimit dhe ndëshkimit me dënime simbo­like ose me shpallje pafajësie të politikanëve dhe ushtarakëve serbë, të akuzuar si autorë të krimeve në Kosovë, që vranë rreth 13 deri 15 mijë njerëz të pafajshëm, përdhunuan rreth 20 mijë gra dhe vajza kosovare, “varrosën” në furrnaltat e Beogradit trupat e disa qindra vetave të vrarë prej tyre. Prandaj shqiptarët përjetojnë një paradoks ekstrem – disa krimi­nelë neoçetnikë vazhdojnë ta drejtojnë shtetin serb, kurse komandantët kryesorë të UÇK-së janë mbyllur në Hagë.

Këto zhvillime nuk i shërbejnë qetësimit të situatave në Ballkan. UÇK-ja nuk shkoi në Beograd ose në qytete e fshatra të Serbisë të luftonte, të masa­kronte, të përdhunonte, të shkatërronte sikurse vepruan serbët në Kosovë. Ajo u krijua dhe qëndroi në trojet e veta në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe respektit njerëzor. Në këtë mision ishte dhe mbeti krenaria dhe lavdia e popullit të saj. Është e padrejtë që, nisur nga ngjarje rastësore, të përflitet, të denigrohet dhe të hidhet baltë mbi të, mbi komandantët dhe ushtarët e saj. Lufta e UÇK-së ishte e shenjtë, sublime. Ishte luftë për mbrojtjen e atdheut.

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Shqiptar në Norvegji me anë të një letër-proteste, në…