Ushtria izraelite vret aksidentalisht tre pengje në Gaza, reagon Netanyahu

15 dhjetor 2023 | 23:10

Ushtria izraelite njoftoi sot se ka vrarë aksidentalisht tre pengje izraelite gjatë një operacioni tokësor në Gaza.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se trupat izraelite i gjetën pengjet dhe i cilësuan gabimisht si kërcënim. Ai tha se nuk është e qartë nëse pengjet kishin ikur apo ishin braktisur aty.

Vrasja e tyre ndodhi në rrethinën Shiaja në qytetin e Gazës, ku trupat izraelite ditëve të fundit kanë hasur në rezistencë të madhe nga luftëtarët e Hamasit, grupit radikal palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE. Hagari theksoi se ushtria “ndien keqardhje të thellë” dhe se po heton rastin.

Dy nga të vdekurit janë Yotam Haim dhe Samer Talalka, ndërsa emri i pengut të tretë nuk u bë i ditur me kërkesë të familjes së tij, tha Hagari.

Në një deklaratë Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe Personave të Zhdukur dha  informacion për dy pengjet e tjerë që u vranë, Samer Fouad Talalka dhe Yotam Haim.

Forumi tha se Talalka ishte 25 vjeç dhe më i madhi nga 10 fëmijët.

“Samer ishte një motoçiklist që i pëlqente të udhëtonte nëpër fshatra dhe të kalonte kohë me miqtë”.

Haim, 28 vjeç, ishte një muzikant i talentuar dhe një adhurues i përkushtuar i muzikës metal, tha forumi. Ai kishte luajtur në bateri për 20 vjet dhe ishte pjesë e grupit “Persephor”, me të cilin duhej të performonte në një festival muzikor në Tel Aviv më 7 tetor. Yotam la pas dy prindër, një vëlla dhe një motër.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është shprehur i trishtuar për vdekjen e tre pengjeve izraelite në Gaza, të cilët u qëlluan aksidentalisht nga Forcat e Mbrojtjes.

Së bashku me të gjithë popullin e Izraelit, unë përkul kokën me pikëllim të thellë dhe vajtoj vdekjen e tre prej djemve tanë të dashur që u rrëmbyen, mes tyre janë Yotam Haim dhe Samer Fouad Al-Talalka,” tha Netanyahu në X.

Kjo është një tragjedi e madhe. I gjithë shteti i Izraelit është në pikëllim këtë mbrëmje. Zemra ime shkon me familjet që dhembin gjatë kohës së tyre të pikëllimit të pamasë. Dëshiroj t’u dërgoj forcë ushtarëve tanë trima që fokusohen në këtë mision të shenjtë të kthimit të pengjeve tanë, qoftë edhe me çmimin e sakrifikimit të jetës së tyre”, shtoi ai.

“Edhe në këtë mbrëmje të vështirë ne do të mbulojmë plagët tona, do të mësojmë mësimet dhe do të vazhdojmë të kryejmë këtë përpjekje supreme për t’i kthyer të gjithë pengjet në shtëpi të sigurtë”, tha Netanyahu.

Kujtojmë se lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi ky i fundit kreu një sulm tronditës në jug të Izraelit duke vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyer mbi 240 të tjerë.

Një pjesë e pengjeve u liruan nga Hamasi gjatë një armëpushimi një javor muajin e kaluar, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

Izraeli ka rrethuar Gazën dhe e ka rrënuar shumicën e zonës me bombardime. Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se mbi 18.600 palestinezë janë vrarë, kryesisht fëmijë dhe gra dhe rreth 50.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftës izraelite në Gaza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brezovica është goditur sonte nga një ortek bore. Në vendin…