Ushtria sekrete ukrainase që po ngjall terror në kampin e Putinit

08 dhjetor 2022 | 13:48

Nga Gianluca Di Feo “La Reppublica”

Në sulm apo mbrojtje, misionet e tyre mbeten aq shumë sekrete saqë duken si misterioze. Sulmet e forcave speciale ukrainase, që po kryhen gjithnjë e më në thellësi të territorit rus, së fudmi, deri 200 kilometra afër Moskës, janë një nga kapitujt më të diskutuar të konfliktit aktual.

Duke u nisur që nga shkalla hierarkike: A i jep urdhrat për sulme të tilla presidenca e Zelensky, apo në Kiev ndodhen qendra komandimi autonome? Sepse nuk ka asnjë dyshim se këto operacione kanë një peshë politike të madhe, dhe synojnë të godasin zemrën e pushtetit të Vladimir Putin.

Dhe duke krijuar në të njëjtën kohë edhe disa fërkime me Shtëpinë e Bardhë. Para së gjithash, duhet theksuar se suksesi më i madh i komandove ukrainase daton që në orët e para të pushtimit rus: kryeqyteti ishte i pambrojtur përballë kolonave të tankeve ruse, dhe ishin këta njerëz që nxituan t’i bllokojnë, raporton abcnews.al.

Ishin sërish këto komando që dërrmuan trupat ruse në aeroportin e Hostomel; që përmbytën fushat; që organizuan pritat e suksesshme në rrugët e Bucha-s dhe Irpinit. Dhe ishin ata që e ngadalësuan marshimin triumfal të ushtrisë së Moskës duke lejuar mobilizimin e ushtrisë ukrainase.

Në videot e atyre orëve dramatike vihej re prania e instruktorëve britanikë, të cilët i kanë trajnuar repartet e sulmeve që nga viti 2014. Pas humbjeve fillestare në Donbass, gjeneralët në Kiev vendosën që të përqendrohen më shumë tek cilësia e trupave.

Ata krijuan 2 regjimente të forcave speciale dhe një seri njësish edhe më të përzgjedhura. Dy prej tyre besohet se kryejnë operacionet top-sekret: njësia e 10-të e Drejtorisë Qendrore të Inteligjencës dhe Ekipi Alfa që varet nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme.

Organizatori i tyre është Kyrylo Budanov, gjenerali 36-vjeçar të cilin spiunët rusë tentuan ta vrisnin në vitin 2019. Hedhja në kundërsulm ishte diçka sa e guximshme aq edhe e përsosur. Kur Kievi ishte ende nën rrethim, 2 helikopterë fluturuan përtej kufirit. Ata arritën në qytetin rus Belgorodit, shkatërruan një depozitë me benzinë dhe u larguan me shpejtësi.

Aksioni i dytë, ishte më i bujshëm por dhe më enigmatik: vrasja në gusht e vajzës së Aleksandër Dugin, ideologut të imperializmit modern rus. Autorët kanë treguar se mund të veprojnë të pa shqetësuar në periferi të Moskës. Ata i mashtruan të gjitha rrjetet e Kremlinit dhe vepruan pa dijeninë e Shtëpisë së Bardhë.

Aftësia e infiltrimit dhe e planifikimit u përsërit me kamionin-bombë që shpërtheu në urën e Krimesë në ditën e lindjes së Putinit. Spiunët ukrainas kanë gjithashtu në dispozicion të tyre inxhinierë që krijojnë armë me porosi për sulmet e tyre, pak a shumë si Mister Q i James Bond.

Ata kanë konceptuar dhe ndërtuar dronët ujorë të përdorur për të sulmuar portin e Sevastopolit dhe për të shkuar më në lindje të Krimesë, deri në cisternat e naftës në Novorossiysk. Të njëjtën teknikë duket se kanë arritur të përdorin për të ridizenjuar dronin sovjetik Tu-141 Strizh: një mrekulli e viteve 1970, shumë i shpejtë dhe që mund të përshkojë një distancë prej mbi 1000 km.

Ata e modifikuan duke futur në të një ngarkesë shpërthyese, një sistem udhëzues GPS dhe një bllokues të sofistikuar të radarëve. Mbrëmjen e së dielës këto armë goditën bazat më të rëndësishme ruse, ato të bombarduesve bërthamorë që përdoren edhe për të sulmuar qytetet ukrainase, raporton abcnews.al.

Në bazën Engels buzë lumit Vollga, u shkatërruan plotësisht 2 avionë Tu-95 me 4 motorë. Një cisternë u shkatërrua në Dyagilevo. Shpërthimi shkatërroi një avion Tu-22 Backfire, bashkë me raketat tashmë të ngarkuara nën krahë për të sulmuar Kievin.

Në këtë rast, sipas “New York Times”, operacioni u ndihmua nga komandot në terren që dhanë koordinatat e sakta. Mendjet shumë të rafinuara që i drejtojnë operacionet, kanë zgjedhur objektiva ushtarake me një vlerë simbolike të lartë. Dhe ata ia dolën të zbehin efektin propagandistik të vizitës së Putinit në urën e Krimesë, që synoi të tregonte shpejtësinë e riparimeve pas sulmit të tetorit.

A ishin paralajmëruar ata për lëvizjet e Carit? Sesa informacion i dërgon NATO shërbimeve sekrete në Kiev kjo nuk është e qartë. Uashingtoni ka deklaruar gjithmonë në publik se bashkëpunimi është i kufizuar në dhënien e informacioneve të dobishme për mbrojtjen. Megjithatë, agjentët 007 të Londrës duken shumë më të lidhur me kolegët e tyre ukrainas. Nuk është rastësi që 2 muaj më parë, avionët luftarakë rusë lëshuan një raketë në një aeroplan spiun britanik mbi Detin e Zi. Ishte një e shtënë paralajmëruese, që rrezikoi të shkaktonte një përshkallëzim të situatës.

Kjo është edhe frika kryesore e Shtëpisë së Bardhë: sulmet e ukrainasve në territorin rus po nxisin akuzat e “skifterëve” në Kremlin, dhe mund ta shtyjnë Putinin të ndërmarrë veprime edhe më brutale. Është hija i Apokalipsit bërthamor, i përmendur shpesh nga Joe Biden. Admirali James Stavridis, ish-komandat i forcave të NATO-s, foli së fundi për një “pikë kthese të rrezikshme”.

Ndërkohë në rrjetet sociale të ekstremistëve rusë ka qarkulluar një mesazh i qartë: “Sulmi mbi bazat e bombarduesve tanë bërthamorë, e justifikon përdorimin e bombave atomike”. Masat paraprake të SHBA-së synonin modifikimin e sistemeve Himars të dhuruara Kievit, për të parandaluar përdorimin e raketave me rreze të gjatë. Ukrainasit e anashkaluan këtë kufizim duke prodhuar armën e tyre. Dhe pardje në orët e para të mëngjesit ata sulmuan dy herë të tjera në territorin rus.

“Nga këndvështrimi i tyre, kanë shumë pak për të humbur. Rusia është tashmë në luftë të plotë dhe Kremlini nuk ka karta të tjera për të luajtur, përveç armëve bërthamore”- tha Stavridis. Por si do të reagojë Putin nëse sulmet e befta të ukrainasve e shkatërrojnë besueshmërinë e tij si një udhëheqës i fortë?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Mbretërore e Futbollit Spanjoll njoftoi largimin e Luis Enriques…