Ushtria serbe afër kufirit, Kurti: Po e shikoj telefonin, deri në ora 16:00 s’janë afruar më

22 mars 2024 | 17:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe sot për lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë janë në komunikim të vazhdueshëm dhe se gjithçka është nën vëzhgim. Sipas tij, këto institucione përgjegjëse po i informojnë edhe partnerët e vendit për sigurinë.

“Kur ka situata të këtilla kur mund të cenohet siguria meqenëse automjetet ushtarake afrohen afër kufirit, ne i përcjellim me vëmendje nëse po synojnë ta kalojnë kufirin. Janë në komunikim të vazhdueshëm Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe AKI. Gjithçka është nën vëzhgim dhe në gjendje përgatitore e gatishmërie për çfarëdo befasie që mund të na ndodhë. Në ndërkohë, natyrisht që këto institucione diskutojnë, bashkëbisedojnë dhe njoftojnë partnerët tonë ndërkombëtarë. Edhe KFOR-in, EULEX-in, por edhe NATO-n e BE-në ma lart”, tha Kurti të premten para gazetarëve.

Kurti gjatë konferencës tha se deri në orën 16:00, kur po fliste para mediave, nuk ka pasë ndonjë lëvizje afër kufirit.

“Tash deri në orën 16:00 sepse jam duke e shikuar telefonin derisa po flasim këtu për media s’ka asnjë dëshmi që sot janë afruar sërish. Ata i kanë disa ushtrime ushtarake, por ato s’mbahen 10 metra larg kufirit. Pra, ata po vijnë shumë afër kufirit ku s’ka nevojë as për dronë e as për dylbi për t’u parë me njëri-tjetrin. Nëse dëshiron normalizim të marrëdhënieve, ushtria rri në kazerma dhe jo te kufiri”, tha Kurti.

Ndryshe, Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, sot i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që “të përmbahen nga retorikat përshkallëzuese”.

“Kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative. Qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Përparim Gruda Sot është trevjetori i zgjedhjes së Qeverisë…