Valë e re refugjatësh nga Siria, Gjermania i përgjigjet presioneve turke

29 dhjetor 2019 | 12:44

Lufta për rajonin sirian të Idlibit ka detyruar mijëra persona të marrin arratinë drejt Turqisë. Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan e sheh të rrezikuar marrëveshjen e refugjatëve me BE, ndërkohë që ajo u shërben të dyja palëve.

Idlibi gjendet në bombardim të vazhdueshëm. Prej javësh luftohet me ashpërsi në rajonin sirian, fortesa e fundit e rebelëve xhihadistë.

Erdogani e kishte paralajmëruar një vërshim të ri refugjatësh nga vendi fqinj, dhe ashtu si në vitin 2015, është e parashikueshme që një numër i madh njerëzish të marrin rrugën drejt Evropës.

“Të gjitha vendet evropiane, veçanërisht Greqia, do të ndiejnë pasojat negative”, pati paralajmëruar Erdogani dhe me sa duket, fjalët e tij nuk kanë rënë në vesh të shurdhër.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel planifikon, sipas një raportimi të gazetës “Süddeutsche Zeitung” të vizitojë Ankaranë që në janar.

Nëse kjo vizitë zhvillohet, Merkeli ka për t’u angazhuar për vazhdimësinë e marrëveshjes së refugjatëve, që BE-ja dhe Turqia arritën me njëra-tjetrën në mars 2016.

Marrëveshja parashikon, që Turqia të pengojë që refugjatët me ndihmën e kontrabandistëve të marrin rrugën nga ky vend në drejtim të ishujve grekë.

Si shpërblim, BE-ja kishte ofruar 6 miliardë euro për përmirësimin e kushteve të jetesës së refugjatëve deri në vitin 2018.

Që në verë Erdogani është shprehur se do t’i hapë portat për refugjatët në Evropë, nëse Turqia nuk merr mbështetje më të madhe për furnizimin e refugjatëve që jetojnë atje. Në Turqi ndodhen 3.6 milionë refugjatë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga ora 15:00 në “Emirates Stadium” zhvillohet derbi i Premier…