Varreza masive në Mariupol, dyshohet se janë varrosur 9 mijë civilë ukrainas

22 prill 2022 | 20:37

Fotot satelitore te atyre që dukej se ishin varre masive të sapo gërmuara në periferi të Mariupolit, sollën tmerret e luftës gjithnjë e më shumë në fokus, teksa Rusia të premten ka goditur strofkat ukrainase në fabrikën e çelikut dhe objektiva të tjerë në përpjekje për ta kapur lindjen industriale të vendit.

“Çdo ditë, hidhen bomba në Azovstal nga ata”, ka treguar Petro Andryushchenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, për fabrikën. “Lufta, granatimet, bombardimet nuk ndalen”.

Qytetet e tjera kudo në Donbas po ashtu u vunë nën zjarrin rus gjatë natës dhe sulmet madje ndërhynë edhe në përpjekjet për t’i evakuuar civilët.

Rajoni, shtëpi e minierave të thëngjillit, fabrikave të metalit dhe fabrikave të pajisjeve të rënda, po përgatitet për atë që mund te jetë një fushatë vendimtare teksa presidenti rus, Vladimir Putin përpiqet ta shpëtojë fitoren nga lufta 8-javore që shihet si gabim e fatkeqësi humanitare.

Të enjten, Putini ka pretenduar se është fituar beteja në qytetin strategjik të Mariupolit, ani pse rreth 2.000 ukrainas mbetën të ngujuar në fabrikat e shumta të çelikut, të cilat u bombarduan me javë të tëra. Putini i ka urdhëruar trupat e tij të mos e sulmonin fortesën, por ta rrethonin atë.

Pamjet satelitore

Në të njëjtën kohë, Maxar Technologies, ka publikuar imazhe të reja satelitore që ka bërë të ditur se tregonin më shumë se 200 varre në një qytet afër Mariupolit, ndërkaq Andryushchenko e akuzoi Rusinë për varrosjen e mijëra civilëve atje.

“Varret po gërmohen, e kufomat ende po hidhen atje”, ka thënë ai. Vlerësimet fillestare nga ukrainasit thanë se varret e dukshme masive mund t’i mbanin 9.000 trupa, mirëpo Andryushchenko vuri në dukje se mund të kishe më shumë se kaq.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereschuk ka njoftuar se asnjë korridor humanitar për evakuimin e civilëve nuk do të hapej të premten në Ukrainë, sepse situata ishte shumë e rrezikshme. Ajo u bëri thirrje civilëve që të “kishin durim” dhe “të qëndrojnë atje”.

Rusët refuzojnë të hapin korridor për civilët, duke pretenduar në mënyrë cinike se nuk e kuptonin ndryshimin mes një korridori për dorëzimin e ushtrisë dhe atij humanitar për evakuimin e civilëve”, ka bërë të ditur Vereshchuk.

Bombardimi i civilëve

Disa ditë pas ofensivës ruse për ta marrë lindjen, fushata ende nuk ka arritur sulmin e plotë, me analistët ushtarakë që thonë se forcat e Moskës janë ende në rritje. Qytetet e shpërndara në lindje kanë përjetuar zhurmën e predhave në hyrje që i dëbonin qytetarët në panik.

Sipas kryebashkiakut Vadym Lykah, qyteti Slovyansk, me rreth 100 mijë banorë në Ukrainën lindore, u sulmua gjatë natës, megjithëse nuk raportohet për të lënduar. Ai u kërkoi banorëve të largoheshin duke treguar se do të organizohej një kolonë autobusësh. Mirëpo në Rubizhne, zjarri rus i pengoi përpjekjet për t’i futur autobusët, bëri me dije guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai.

Granatime të vazhdueshme u dëgjuan gjatë natës edhe në Kharkiv, qytet verilindor që shtrihet jashtë Donbasit, ama shihet si një nga portat që rusët synojnë ta përdorin për t’i rrethuar forcat ukrainase në Donbas nga veriu, jugu dhe lindja.

Nëse do të ishte e suksesshme, fushata do t’i jepte Putinit pjesën jetike të vendit dhe fitoren e nevojshme për t’ia treguar popullit rus mes viktimave në rritje të luftës dhe vështirësive ekonomike të shkaktuara nga sanksionet perëndimore.

Sidoqoftë, analistët kanë treguar se forcat ruse nuk kanë arritur ende ndonjë përparim të madh në Donbas. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes i SHBA-së, duke folur në kushte anonimiteti për të diskutuar vlerësimin e Pentagonit, ka thënë se ukrainasit po i pengonin përpjekjet ruse për ta shtyrë jugun nga Izyumi, i cili ndodhet jashtë Donbasit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri aktual i Sllovenisë, Janez Jansha, i cili po kandidon…