Varri i Rusisë do të bëhet Ukraina!

26 shkurt 2022 | 19:21

Kosova nuk ka qenë kurrë më në rrezik që nga viti 1999!

Shkruan: Hisen Berisha

Kjo është arsyeja pse situata shqetësuese në Ukrainë, duhet të merret si shqetësuese në Kosovë! Është shqetësuese për faktin se po cenohet siguria ndërkombëtare, me ndërhyrjen ruse në Ukrainë.

Ana e errët e çdo lufte janë viktimat dhe këtë e dënojmë me tërë forcën morale. Por, siguria nacionale cenohet nga impakti që japin vendet ku ka kriza analoge apo në rastin tonë përkundër faktit se situata në mes Ukrainës dhe territoreve brenda saj që janë shpallur autonome e Rusinë që ka pretendime territoriale ndaj Ukrainës, në aspektin politik dhe historik, nuk ngjajnë me asgjë me Kosovën, përveç faktit se qytetarët po përjetojnë pasojat e luftës, diçka që populli i Kosovës e ka ende të freskët dhe atë nga një popull e shtet aleat i Rusisë siç është Serbia.

Me ketë qasje të heshtur dhe duke pretenduar për konspiracione lidhur me ndjenjën e sigurisë për qytetarët dhe vendin, po tentohet të tregojmë që nuk jemi të shqetësuar nga ambiciet e çmendura të lidërshipit politik serb, bashkëpunëtorët dhe trashëgimi e mendësisë së regjimit millosheviqian në Serbi dhe se i kemi punët në rregull.
Por edhe sikur të ekzistoj arsyeja për tu ndjerë të sigurt (që s’do të duhej qëndruar komod), prape politikisht dhe diplomatikisht duhet të insistohet për të fuqizuar Kosovën, diplomacinë dhe ushtrinë e saj.

Është një vlerësim i përgjithshëm se paqja në kontinentin tonë është shkatërruar, ashtu siç është fakt se Ukraina u ndëshkua vetëm pse e ka shprehur vullnetin të jetë anëtare e NATO. NATO duhet ta shqyrtoj pozicionin e vet nëse ka arsye të ekzistoj, nëse nuk ka vullnet ta mbroj e ndihmoj një shtet që pretendon të jetë anëtar i saj apo pjesë e mbrojtjes kolektive, synim që kanë edhe shumë vende në botë përfshi dhe vendin tonë!

Meqë siguria është një shqetësim ndërkombëtarë, si e tillë ka karakter transnacional qoftë kur luftohet për vendosjen e sajë apo mbrojtjen. Por po ashtu, ka impakt transnacional në çdo njësi përbërëse të botës. Ndaj situatës konfliktuoze në mes Rusisë dhe Ukrainës nuk do të mund të jenë imune më as Evropa, as tërë Bota!
Pritjet e të gjitha vlerësimeve shumëdimensionale në aspektin e sigurisë globale, janë se do të ketë impakt në vendet me vatra konfliktesh të ndezura, me theks në Ballkan.
Por, kjo krizë nuk është e përballueshme nëse trajtohet zvetënuar dhe me nota sekreti politik e strategjik, në nivel të qeverisë së Kosovës.

Situata e krijuar kërkon qasje gjithëpërfshirëse të nivelit kombëtar dhe rajonal.
Duhet të mobilizohet i tërë spektri politik e ushtarak kombëtar që të jenë të përgatitur për eskalim të situatës.

Duhet të ketë një takim urgjent me qeveritë rajonale me të cilat kemi shqetësime të njëjta sigurie, që gravitojnë në një ambient të njëjtë sigurie dhe që kanë burim të njëjtë apo adresim të njëjtë për çështjet e sigurisë.
Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të vë në veprim diplomacinë shtetërore dhe të realizoj takimet me tema specifike për sigurinë e rajonit me qeveritë e Maqedonisë, Malit të zi, Shqipërisë, pse jo edhe Bosnjës, që të përgatitën për sfidën e mundshme të eskalimit të çfarëdo situate.

Pra, ideja për mobilizim të të gjithë trurit ushtarake e politik kërkohet ngase Kosova nuk e ka vetëm problemin me veriun por edhe me shqiptarët në Luginë dhe në shtet tjera të rajonit, Mal të zi , Maqedoni, Greqi, etj.
Nëse Serbia inkurajohet dhe Rusia vazhdon me ambiciet e shtrirjes së influencës së sajë deri në çmendurinë e lidershipit rus Putin-Lavrov për rikthim të perandorisë rusë, që nuk e kanë fshehur keqardhjen për shpërbërjen e BRSS dhe Paktit Ushtarak të Varshavës, (shto kësaj edhe faktin se nga tradita historike e liderëve rus, shumica e tyre për shkak të ambientit klimatik dhe gjenetikës, eskalojnë psiqikisht dhe çmenden nga pleqëria dhe dëliri i qëndrimit gjatë në pushtet), sfida përpara dhe gjendja e sigurisë nga situata në Ukrainë, do të jetë shumë më e rende se ajo e vitit ’99, pra po sfidohet ekzistenca e kombit shqiptarë.

Po t’iu referohemi edhe disa të dhënave teknike se, Rusia dhe Putini që i ka mbi 40 nëndetëse në Mesdhe, çka hyrja dhe dalja në Mesdhe janë nën kontrollin rus, pra edhe Bosfori edhe Gjibraltari, por edhe hyrja në Adriatik po ashtu. Pra krejt Evropa është e rrethuar nga “perdja e hekurt” e Rusisë.
Me këto situata dhe sjelljet e një njeriu të çmendur, i cili posedon armë bërthamor, po rrezikon një luftë më e ashpër se ajo e dyta botërore e personifikuar nga Hitleri.

Nga vlerësimet e stafit të tij brenda Kremlinit, Putin nuk i fshehë ambiciet e tij dhe çmendurinë që të tregohet me i fuqishëm se Stalini.

Prandaj, po nuk u veprua me emergjencë, çështje ditësh, do të diskutohet ekzistimi i Evropës?!

Për ketë mbetët të shihet reagimi i ShBA dhe BE bashkë me NATO.

Nuk po gjykoj në adresë të ShBA dhe NATO, por ajo që po vërehet është “gjunjëzimi” i Evropës para Rusisë!

Solidarizimi me fjalë për ukrainasit, duhet të jet lutje për vete dhe për popujt evropian, sepse kjo që i ndodhi

Ukrainës ishte vetëm pse deshi ti bashkëngjitet Evropës dhe NATO.

Sot, janë nën mëshirën e të çmendurit Putin!

Kërcënimi i Putin, se vendet që provojnë të involvohen do të pësojnë shumë keq, tani po lexohet me seriozitet nga tërë bashkësia ndërkombëtarë dhe organizatat e sigurisë.
Por, kur akuzat për mobilizim të vullnetarë nga Kosova e vende tjera të rajonit, që kanë konflikt të hapur me vendsatelitin rus-Serbinë, që e bëri shefi diplomacisë ruse Lavrov, në konferencën ndërkombëtarë të sigurisë në Munih, duhet lexuar si tendencë e shtrirjes së konfliktit.
Megjithatë, nuk u reagua fare nga përfaqësuesit e Kosovës në Konferencën e akterëve kryesor të sigurisë ndërkombëtarë.
Kjo është pritur të bëhet nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, presidentja, kryeministri dhe ministrja e Jashtme, qoftë direkt qoftë duke i shtyrë përfaqësuesit e shteteve që janë prezent në Kosovë përmes PUN të KFOR, që i kanë edhe shërbimet e veta inteligjente dhe atypëraty ta demantojnë këtë dezinformatë.
Po aq shqetësues mbetet fakti se asnjeri nga tre përfaqësuesit e lartë të shtetit tonë, nuk provuan të kërkonin masa shtesë sigurie në Kosovë, duke marrë shkas nga deklarimet tendencioze të Lavrovit rus, që përbëjnë kërcënim të hapur për një “casus beli” për rrezikim të Kosovës.

Pra, dërgim të trupave shtesë në rajon e në Kosovë në veçanti;

Intensifikimi i ngritje së nivelit të sigurisë ushtarake të NATO-s në Shqipëri, Mal të zi, dhe në Maqedoni e Bosnje;
Forcimi dhe armatosja e Kosovës dhe ngritja e kapaciteteve të plota ushtarake të Kosovës, të afta për tu përballur me ambiciet e satelitit rus në rajon, Serbinë.

Pra, nuk pati asnjë angazhim në adresë të forcimit të pozicionit të Kosovës në aspektin politik, diplomatik, ushtarak dhe të sigurisë për vendin.

Përkundrazi, pati veprime të gabuara diplomatike.

Por, çka u pikas në këtë turne diplomatik të liderëve më të lartë të shtetit, ishte takimi i presidentes me dy përfaqësues të shteteve arabe.

Po, që është mirë të ketë sa më shumë takime diplomatike në shërbim të shtetit.

Por, ky takim nuk i shërbeu shtetit por diplomacisë serbe për ta rikonfirmuar në diplomacinë ndërkombëtarë dhe evropiane, pretendimin e sajë se, “Ne si Serbi kemi ndalur pa u bë një shtet i ekstremit fetar në Evropë”, arsyetim që Serbia përherë ka provuar ta lansoj në skenën politike ndërkombëtare si argument gjoja kundër krijimit të shteti të Kosovës.

Ketë adut ua hoqëm nga dora, qoftë presidenti Rugova gjatë plejadës së tij politkbërëse, ashtu edhe lidershipi i UÇK, si në luftë ashtu edhe në paqe, duke promovua politikat e laicitetit të shteti qytetarë të Kosovës.

Zonja presidente ua konfirmoj këtë adut historik diplomacisë serbe me takimin e vetëm që pati me sheikët arab, prej të cilëve shpresoj ta ketë fituar një investim për ndonjë spital për dobësim, e të mos përfolët se kur bëri ndërhyrje kirurgjike dhe se a e ka shkelur Kushtetutën duke iu nënshtruar anestezionit, pa i bartur kompetencat tek zëvendësuesi kushtetues, etj.

Takimet tjera si ai i kryeministrit, ishin më shumë të karakterit të konfirmimit të qeverisjes së tyre, si ai me kryeministrin socialist të Finlandës, për një vizitë homologësh jo vetëm qeveritarë por edhe ideologjik.
Suma sumarum, situata në Ukrainë duhet të merret si shqetësuese edhe në Kosovë, nisur nga fakti se, qetë-sisë me të cilën po shpërfaqet Qeveria e Kosovës duke u mbuluar me deklarata për konspiracion të takimeve në KSK dhe mesazhet që kanë përçuar e marrë nga PUN dhe QUINT, por edhe heshtja e politikëbërjes (përfshirë edhe opozitën), është diçka që nuk justifikohet në këto momente delikate për Kosovën që nga 1999.

Po ashtu, është e vërtetë që Kosovës i kanë ardhur garanci me shkrim për sovranitetin territorial, kjo dhe është arsyeja e ekzistencës sonë, por këto garanci ishin qindra herë më të fuqishme për Ukrainën nga vet krerët e shteteve anëtare të NATO-s dhe BE-s por, jemi dëshmitarë edhe të faktit se deri tani mbetën vetëm deklarata politike të shoqëruara me kërcënime ekonomike dhe diplomatike.

Për derisa në vendin tonë janë shqetësuese ngecja dhe ngelja e diplomacisë, sigurisë & mbrojtjes, dhe inteligjencës në Kosovë, Serbia ka ndërmarrë masa tashmë në shumë drejtime:

– Serbia ka marrë masa para pak kohe për rritjen e rezervave shtetërore. Sigurisht, duke pasur parasysh se kanë pasur informata për eskalim të situatës dhe duhej të ekzistonte frika për provokim të situatës në Kosovë;
– Diplomacia ruse dhe Inteligjenca ruse punon hapur në Serbi dhe gjysmë fshehurazi në vende të rajonit me qasjen e tyre asimetrike;
– Serbia ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe sigurisht tema dominuese është Kosova;
– Serbia gjithnjë planifikon rimarrjen e veriut të Kosovës dhe turbullira e tashme mund ta zërë Kosovën e papërgatitur dhe me situatë favorizuese për Serbinë për të konkretizuar planin e vet;
– Është fakt garantues se KFOR është në Kosovë me mandat të OKB për ruajtjen e territorit dhe popullit të Kosovës, por me angazhimin e shteteve anëtare të NATO-s kah Ukraina dhe Rusia vëmendja dhe ky përqendrim është larguar momentalisht. Kjo nuk na jep komoditetin Ne as PUN për shpërqendrim?!
– Rusia do e njihte dhe mbështes menjëherë një aneksim eventual të një pjese të Kosovës me agresion ushtarak dhe jo ushtarak nga Serbia, për shumë arsye por edhe për ta rritur pazarin për të negociuar e manipuluar me ligjin ndërkombëtar rreth rajoneve Donetsk dhe Luhansk në juglindje të Ukrainës të cilat presidenti Putin i njohu zyrtarisht dhe urdhëroj dërgimin e trupave ruse për mision “paqeruajtës”;
– Bashkësia ndërkombëtare, dhe sidomos miqtë e Kosovës, do vihen në pozite të ndjeshme dhe do ngrihen paralele nëse Kosova nuk i del zot vetes.

Rekomandime të menjëhershme/urgjente:

1. Ndoshta pika me i rëndësishme do ishte të ngritët zëri shqetësues urgjentisht nga diplomacia kosovare dhe të gjithë mekanizmat shtetërorë;

2. Të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës pa vonesa dhe të japë udhëzimet kryesore për KVOP;

3. Të takohen miqtë e Kosovës, sidomos vendet e KUINT-it dhe të paraqitet shqetësimi real për mundësinë e cenimit të territorialitetit dhe sovranitetit të Kosovës;

4. Të kontaktohet NATO, dhe urgjent të kërkohet të rikthehet bashkëpunimi Kosovë-NATO në kuadër të “NDËRVEPRIM TË ZGJERUAR” dhe të kërkohet bashkëpunim e partneritet zyrtar me të gjitha mekanizmat e para-anëtarësimit;

5. Letra e zotimit ndaj NATO-s që FSK të mos hyje në veri të vendit të pezullohet dhe eventualisht të hiqet dorë nga ky zotim kur është në pyetje sovraniteti dhe mbrojtja e territorit.
Në fakt, mos mbrojtja e territorit është shkelje e rëndë e ligjit dhe zotimeve;

6. Të kërkohet nga miqtë që Kosova dhe FSK të armatoset menjëherë me të gjitha kapacitetet, jo të pritet në momentet e fundit si Ukraina për armatosje. FSK është në proces të krijimit të kapaciteteve mbrojtëse;

7. Argumenti qëndron, që Policia e Kosovës ka kapacitete të lehta luftarake, prandaj duhet aktivizim i Sistemit të Mbrojtjes në Republikën e Kosovës dhe përfshirja e të gjitha kapaciteteve të vendit në koordinim me miqtë dhe partneret për përgatitje për t’iu përgjigjur të gjithë skenarëve të mundshëm agresiviteti ndaj Kosovës.
Përfundimisht, solidarizohem dhe kamë besim se populli liridashës i Ukrainës, do të ngadhënjej pavarësisht supremacisë ushtarake të Rusisë.

Dëshira e popullit për liri si motiv, është më e rëndësishme se fuqia ushtarake!

Duhet konsideruar faktin se, gjeneralët ukrainas e njohin mirë Ushtrinë ruse dhe artin ushtarak të tyre, ndaj do dinë t’iu përgjigjen në këto rrethana lufte.

Ne e kemi shembullin tonë në luftën e UÇK. Pavarësisht armëve dhe teknikës vullneti për liri dhe lufta e drejtë dhe e pastër të bënë fitues.

Reagon ashpër ish komandanti i Koshares: Më falni Sali, Agim e Luan, sot... - Bota Sot

Gazeta Metro – Hisen Berisha: Është koha e fundit të shpëtohet FSK nga pengesat

May be an image of 6 people and people standing

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
48 orë pas apelit të parë dhe me bombardimet ruse…