MFSK-ja dhe Britania vazhdojnë bashkëpunimin

28 mars 2018 | 16:12

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connel, kanë nënshkruar të mërkurën në ambientet e MFSK-së amendamentin e marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë për FSK-në dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, të nënshkruar në vitin 2009.

Fillimisht, në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe ambasadorit O’Connel u bisedua për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve me theks të veçantë për marrëdhëniet e shkëlqyera në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe për gatishmërinë e të dyja palëve që këto marrëdhënie të ngritën në nivel edhe më të lartë në të ardhmen.

Me këtë rast, ministri Berisha ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut dhe qeverisë së saj si partner strategjik i Republikës së Kosovës; për përkrahje gjatë gjithë procesit historik të lirisë, pavarësisë dhe tani në synimin e Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Ministri Berisha e ka theksuar rolin kyç të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të FSK-së për shkollime, trajnime dhe ushtrime fushore.

Ministri me theks të veçantë ka përmendur kontributin në rrafshin diplomatik e këshillues përmes ushtarakëve dhe personelit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe FSK-në, duke përfshirë edhe këshilltarin bilateral në ministri e gjithashtu edhe atasheun e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut në Republikën e Kosovës.

Nga ana e tij, ambasadori O’Connel e ka përgëzuar ministrin Berisha për angazhimin dhe sukseset konkrete të FSK-së, sidomos për suksesin e treguar në integrimin e komuniteteve joshumicë në FSK.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën u realizuan fluturimet e para në mes të…