Vazhdojnë punimet në meremetimin e tërësishëm të shkollës ‘Vesel Pagarusha’

16 tetor 2019 | 12:53

Punimet në meremetimin e objektit të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Vesel Pagarusha” në Pagarushë, janë duke vazhduar dhe shumë shpejt pritet të përfundojnë këto punime në meremetimin, izolimin dhe vendosjen e ngrohjes qendrore.

Punimet në këtë shkollë i ka inspektuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ku është njoftuar nga drejtori i kësaj shkolle, Astrit Krasniqi, me ecurinë e punimeve të deritanishme.

Sipas drejtorit Krasniqi, punimet janë duke vazhduar sipas planifikimit, ndërsa përveç meremetimit të brendshëm të objektit, që është bërë para fillimit të procesit mësimor, është bërë rregullimi i kulmit të shkollës, është duke u bërë izolimi i tërësishëm, si dhe është duke u punuar në rregullimin e sistemit të ngrohjes.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është ndarë i kënaqur me punimet e deritanishme dhe ka kërkuar nga punëkryesi që punime të jenë cilësore dhe mos të ketë vonesa në realizimin e këtij projekti.

Meremetimi i objektit të SHMU “Vesel Pagarusha”, do të kushtojë mbi 130 mijë euro.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punimet në ndërtimin e shtatë shtëpive për familjet në nevojë…