VDEKJA

28 tetor 2020 | 09:20

Sadik Krasniqi

Pas tri dite qëndrimi në hotel u tmerrova kur në llogarinë time të “Facebook”-ut e pashë veten të vdekur. Kishte dy ditë që isha i vdekur. Edhe më e tmerrshme se vetë vdekja, ishte mënyra e lajmërimit. Në faqen time me germa të mëdha e të zeza qëndronte kumti i kobshëm. “Me keqardhje lajmërojmë miqtë e nderuar, se sot papritmas vdes më i dashuri im Sokol Siga. Ai vdiq në hotelin ku kalonim pushimet. Hiri i tij do të hidhet në liqenin që ai e adhuronte. Nuk do të ketë të pame, as ngushëllime, mjafton pikëllimi i zemrës sime. Përjetë i pikëlluar shpirti i vetëm i tij (ashtu më thërriste gjithmonë) ERA”.

I shastisur, e mora me mend se si kishte ardhur deri te kjo katrahurë.

Unë si somnabul që isha, kisha bërë shumë çudira në jetë që nga fëmijëria. Sidomos në netët me hënë të ndritshme. Njëherë kisha veshur uniformën e punës së babait dhe më kishin gjetur fqinjët pak pa shkelur në urën e gurit.

Tjetër herë gati sa nuk më kishte marrë pushka e të zotit të dasmës pak pas hyrjes dhëndër djali dëshiri i tij, nga që unë para dyerve të tyre kisha thirrur si i çmendur emrin e nuses. Babai i shoqes më të bukur të klasës më kishte sjellë në shtëpi për veshi si gomarin, siç thoshte babai, pasi që në pikë të natës kisha thirrur Vesën të loznim fshehtas. Delet e dajave, në një muzg, ishin bërë pre e ujqve ngaqë e kisha zgjidhur tojën e derës së stallës. Sa e sa gjëra të tilla do të kisha bërë sikur nëna mos të kishte gjumë fluture. Sa herë e herë më ka kthyer mbrapa në dhomë, duke më mbajtur për krahu ashtu të alivanosur si ndonjë i dehur. Kjo gjendje prej somnabuli më përcolli edhe pasi u rrita, madje shpesh më kanë gjetur shumë larg shtëpisë në lagje të tjera, duke u bërë i padurueshëm dhe i rrezikshëm për vete e familjen me këto marifetllëqe, dikur filluan të më lidhnin herë këmbët e herë duart për shtrati.

E gjithë lagjja më njihte për këtë ves, andaj më thërriste i përhëni, vampiri, fantazma, xhenazja e gjallë, kali i varreve e shumë epitete të ngjashme. Në mbrëmjet me hënë të ndrit­shme më përqeshnin dhe këndonin si kor duke zgjatur zërin me iso: “Në këtë natë ç’po zdritë hana, ik Sokol se tu qi nana, oheeeeej!”

Për këto gjëra dhe qindra të tjera i kisha treguar gruas sime ende pa u martuar, që për çdo rast ta dinte. Për çudi, kurrë më nuk më kishin ndodhur këto gjëra që nga dita e martesës. Madje gruaja këto përjetime të mia i kishte marrë si aventura të trilluara. Mocanikët me shpoti më thoshin se gruaja ma kishte nxirë edhe hënën dhe nuk ka somnabul me dy këmbët në një këpucë. Të gjitha këtu m’u kujtuan përderisa po lexoja shumë ngushëllime për mua në “Facebook”.

Shumica e ngushëllimeve i ishin drejtuar dashnores e shumë pak familjes. Sidomos miqtë e ngushtë, krejt dashnores. Më trishtoi rikthimi i somnabulizmit pas aq kohe dhe në këtë mënyrë. M’u kujtua disi si në mjegull që mbrëmë, para se të flija, kishte valëvitur pakëz perdja e më kishte trishtuar hëna aq e ndritshme.

Isha përpjekur tërë natën, por pa ditur se ku isha. Mbylla faqen time në “Facebook” e me gishtërinjtë që më dridheshin, i rashë numrit të gruas, u shtanga nga përgjigjja e telefonit se nuk ka qasje në këtë numër. Shpejt e shpejt mora shtëpinë ku pas tri ti-ti-ti-ve të shumta dëgjova zërin bas të babait: – “Të nderuar, nuk mbajmë të pame dhe nuk pranojmë ngushëllime për të!” Pas disa minutave, duke dihatur, u gjenda para spor­telit dhe me gjysmë fryme kërkova pasaportën.

Sportelisti më zgjati dokumentin duke më pyetur i ndrojtur:

– Rast vdekje, zotëri?!

– Po, – i thashë.

– Kush ka vdekur, mirësi?!

– Unë, – nxitova të përgjigjem duke u përplasur për derën e qelqtë në drejtim të taksisë që më priste.

 

 (Marrë nga revista “Akademia”)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albin Mehmeti Ishte hera e tretë brenda natës që zgjohej…