HIPNOZA

28 tetor 2020 | 09:18

Albin Mehmeti

Ishte hera e tretë brenda natës që zgjohej nga gjumi duke ulëritur. Zëri i tij u dëgjua thekshëm në gjithë korridorin e burgut. Sa herë flinte e kapte një makth dhe fliste përçartë “Jo, nuk guxoj. Ma vret familjen. Më fal! Mooos!”, dhe përnjëherë bërtiste me të madhe. Asnjëherë s’i kishte ndodhur një gjë e tillë. Ishte duke vuajtur vitin e dymbëdhjetë të dëni­mit nga njëzet sa ishte dënuar.

***

Mëngjesi zbardhi. Historia e Tafil Maskës me ankthin kishte marrë dheun te të gjithë të burgosurit. Tek-tuk shtuan fjalë. Të burgosurit ishin mbledhur në mensën e burgut dhe pritnin ta hanin mëngjesin. Tafil Maska mbërriti në mensë. Të gjithë sytë nga ai, kush nga kërshëria e kush nga mëshira. U ul pranë Sefit, një psikologu që kishte ardhur rishtas në burg. Thonë se u dënua për shkak se kishte bërë publike të dhënat e klientëve të tij. Tafili e përshëndeti ngrohtësisht Sefin. Në sytë e Tafilit shihej frika, edhe pse në anën tjetër mundohej që të paraqitej kinse nuk kishte ndodhur asgjë. Sefi e pyeti se si e kishte kaluar natën, jo që i interesonte aq, pasi e dinte se si kishte kaluar por, thjesht, dëshironte të nxirrte informacione nga ai. Tafili, në anën tjetër, iu përgjigj shkurt se kjo i ndodhte kur flinte në anën e majtë dhe se nuk ka asgjë për t’u shqetë­suar. Por, Sefin e brente diçka në vete. Kishte dëgjuar se çfarë kishte thënë Tafili gjatë kllapisë. Ato fjalë mund të thonë shumë.

***

 Mooos! – u dëgjua klithma e Tafilit. Kjo klithmë shpoi muret, pushtoi korridorin dhe u dëgjua në thuajse të gjitha qelitë e pavijonit. Tafili po përjetonte ankth përsëri. Te tretën natë radhazi.

***

Mëngjesi i bashkoi të burgosurit në mensë. Tafili kishte arritur aty prej të parëve. Sefi iu afrua dhe u ul pranë tij. E pyeti se si e kishte kaluar natën. I tha qetas në mënyrë që mos të acarohet Tafili, se këto ëndrra mund t’ia largojë ai përmes hipnozës, por që për këtë gjë nuk duhet ta dijë askush. Tafili pranoi. Vendosën që seancën e hipnozës ta bëjnë në mesditë, atëherë kur të burgosurit e tjerë do të dalin në oborr. Ashtu u vendos. Ashtu u bë.

***

Pas një tak-taku të rrëmbyeshëm nga jashtë, u dëgjua për­gjigja nga brenda. Gardiani i burgut mbante në dorë një letër e shkruar nga një i burgosur, të cilën ia la në tavolinë drejtorit të burgut.

***

Drejtori i burgut, Sherif Alija, i shoqëruar nga tre gardianë dhe në hetues hyri në qelinë numër shtatë ku qëndronte Tafil Maska, i relaksuar pas seancës së hipnozës. Kur pa aq shumë njerëz në qelinë e tij, u shqetësua shumë. Iu duk sikur i ra qielli mbi kokë, kur i thanë që t’i shoqëronte drejt dhomës së zezë, ashtu siç e quanin të burgosurit dhomën e hetuesisë.

***

Hetuesi: Cili është profesioni yt jashtë burgut?

Tafili: E tregon mbiemri im. Punoja maska për Teatrin e Dashamirit. Është profesion që e kam trashëguar nga babai.

Hetuesi: Çfarë maskash punoje?

Tafili: Varet se çfarë maskash kërkonin regjisorët. Punoja maska xhelatësh e viktimash, burrash e grash, fëmijëve e të rriturve, zgjedhësve dhe të zgjedhurve, evliash e mëkatarësh, hoxhallarësh e kardinalësh…

Hetuesi: A ke punuar ndonjëherë maska politikanësh?

Tafili: Po, varet nëse më kanë kërkuar regjisorët. Ja, kam punuar maskën e Makbethit e të Hamletit, pasi tragjeditë e Shekspirit i donin shumë regjisorët, madje shikoheshin shumë nga publiku.

Hetuesi: A ke punuar ndonjëherë maska me fytyrat e politi­kanëve tanë?

Tafili: Jo, sa më kujtohet. Dramat shqipe nuk shikohen nga publiku dhe nuk janë interesante për regjisorët. Po edhe nëse realizohen në skenë, dhe më kërkohet ta bëj maskë fytyrën e politikanëve tanë, ku ta gjej një fytyrë politikani për yrnek. Ha, ha, ha!

Hetuesi: Do të thotë, i ke njohur politikanët tanë?

Tafili: Vetëm në televizor i kam parë.

Hetuesi: Çfarë të kujton data 16 korrik?

Tafili: Eh, sa 16 korrikët i kam kaluar në jetën time.

Hetuesi: Nejse, çfarë mendimi ke dhe ke pasur për Ujkan Malin dhe Blerim Pyllin?

Tafili: Jam artist dhe nuk marr erë nga politika.

Hetuesi: A ishin edhe ata të pafytyrë, apo kishin fytyrë? Apo të jem më i qartë, cili e kishte fytyrën më të lehtë për t’ia bërë maskën, Ujkani apo Blerimi? Po flas nga ana profesionale.

Tafili: Nuk e mbaj mend fytyrën e asnjërit prej tyre.

Hetuesi: Si ua ke harruar?

Tafili: Ka dymbëdhjetë vjet që jam në burg dhe nuk e di më. Madje, Ujkani ka vdekur që pesëmbëdhjetë, atë ditë kur e kafshuan qentë në shesh.

Hetuesi: A sheh ëndrra ti?

Tafili: Shoh.

Hetuesi: Çka më shumë?

Tafili: Veten të lirë.

Hetuesi: Mendon se e meriton lirinë?

Tafili: Mbase.

Hetuesi: A ke peng diçka në shpirt që s’e ke rrëfyer dhe që të vjen edhe në ëndërr?

Tafili: Mbase po. Mbase edhe jo.

Hetuesi: A të merr malli për profesionin?

Tafili: Po. Edhe jo.

 

(Këtu po e ndërpres transkriptimin e bisedës mes hetuesit dhe Tafilit. Vazhdon gjatë e gjatë, me pyetje ndonjëherë të pakuptimta e të parëndësishme të hetuesit dhe më përgjigje të shkurtra dhe me ironi të Tafilit. Po dal krejt në fund të bisedës.)

Hetuesi: Dëgjova se sot keni bërë hipnozë?

Tafili: Ashtu edhe unë kam dëgjuar.

Hetuesi: Po talleni me mua?

Tafili: Aspak. Gjatë hipnozës njeriu është i përhumbur dhe nuk di asgjë për vete. Që kam bërë hipnozës më tregoi Sefi, i cili, siç duket, të njëjtën gjë e ka rrëfyer te ju. Nuk e paskan dënuar kot për publikim të të dhënave.

Hetuesi: Dëshiron ta dëgjosh se çfarë ke thënë?

Tafili: Pasi kohë kam mjaft e, siç duket, edhe ju paskeni kohë të lirë me bollëk, pse jo. Ta dëgjojmë. Edhe ashtu më ka marrë malli ta dëgjoj zërin tim në magnetofon.

Zëri i Tafilit në magnetofon: Po më vjen në ëndërr Ujkani, ashtu i gjakosur, me fytyrën e kafshuar nga qentë dhe po më thotë që ta them të vërtetën.

Zëri i Sefit në magnetofon: Cilën të vërtetë?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Atë që e di vetëm unë dhe Blerim Pylli.

Zëri i Sefit në magnetofon: Çfarë dini ti dhe Blerimi?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Atë se çfarë ka bërë Blerimi.

Zëri i Sefit në magnetofon: Çfarë ka bërë Blerimi?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Një ditë erdhi Blerimi në studion time. Ishte koha e zgjedhjeve për kryetar komune. Mendova se kishte ardhur për fushatë, por kishte ardhur për një gjë tjetër. Ende ishte në inat të madh me Ujkanin për shkak të zgjedhjeve për deputet të zonës, disa vite më parë.

Zëri i Sefit në magnetofon: Për çfarë kishte ardhur Blerimi?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Që ta bëjë një maskë me fytyrën e Ujkanit.

Zëri i Sefit në magnetofon: Çka i duhej ajo?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Pasi Ujkanin nuk mund ta mposhte në zgjedhje, dhe ishte i vetmi kundërkandidat serioz, atë duhej ta eliminonte. Nuk mund ta vriste sepse dihej se kush e bëri. Por vendosi të veprojë ndryshe.

Zëri i Sefit në magnetofon: Në çfarë mënyre?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Kishte mbledhur qen endacakë nëpër rrugë dhe i kishte mbyllur në një kafaz të madh. Vendoste maskën me fytyrën e Ujkanit, i torturonte mizorisht qentë. I rrihte brutalisht dhe i torturoi rëndë, deri më 16 korrik.

Zëri i Sefit në magnetofon: Çfarë ndodhi më 16 korrik?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Atë ditë në sheshin e Dashamirit ishte mitingu i Ujkanit. Pagoi disa njerëz që t’i afronin qentë deri afër podiumit ku qëndronte Ujkani. Ata, tinëzisht dhe pa u vërejtur nga masa, i lëshuan. Qentë, sapo panë fytyrën e Ujkanit, menduan se ishte torturuesi i tyre, e çanë sigurimin e madh përreth Ujkanit dhe tre prej qenve e sulmuan në fytyrë dhe fyt dhe ai vdiq në vend.

Zëri i Sefit në magnetofon: Përse nuk po tregon?

Zëri i Tafilit në magnetofon: Blerimi ka autoritet të madh në vend. Nuk më beson askush. Edhe nëse do t’i them ndokujt, nuk më beson. Në anën tjetër, ai më pat thënë se, nëse flas, do të ma vras familjen.

***

Këtu përfundoi edhe transkriptimi i audios. Tani fillon rrëfi­mi im si narrator i gjithëdijshëm. Prisni pak derisa ta shoh çfarë ka ndodhur me Tafilin. Iu paska bërë fytyra sikur e një meiti. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër përveç se të dëshmojë. Ndoshta bashkëpunimi do t’i ndihmojë që t’i ulet dënimi.

***

Tafili pranoi fajësinë, por gjykata ishte e pamëshirshme ndaj tij. Dënimit paraprak iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera. Gjyqi ndaj Blerim Pyllit u bë, por pas shumë e shumë zvarritjesh. Blerimi ende kishte autoritet mbi gjykatësit, të cilët në fund ia dhanë një dënim qesharak prej pesë vjetëve burg.

Do të pyesni për Sefin? Si kishte mundësi që ai të kishte audio-incizues në burg? Ai që nga fillimi ishte vetëm i mas­kuar brenda gjyqit. Autori e dërgoi aty që ta zbulonte një krim, që unë më pas ta rrëfej atë ngjarje. Por, ja e zbuloi krimin e Tafil Maskës e Blerim Pyllit. E pashë të arsyeshme që ta rrëfej këtë histori, dhe jo historinë tjetër. Atë nuk do ta rrëfej as sot dhe as nesër, edhe nëse autori do të më përja­shtojë përgjithmonë nga rrëfimi. Fola pak trimërisht këtu. Çfarë do të bëj unë nëse nuk do të jem narrator. Unë nuk kam asnjë zanat tjetër. Nëse do të jetë mundësia, pra, po, do të rrëfej. Nëse autori do të jetë i ashpër që nuk e përfilla urdhrin e tij, a do të më dalësh në mbrojtje ti?

(Marrë nga revista “Akademia”)

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agron Shala Borati në fund të viteve 1990 ishte Christo,…