DRITARET

15 qershor 2026 | 08:50

CHARLES BAUDELAIRE

Ai që shikon nga jashtë se ç’ka përtej një dritareje të hapur, nuk shikon kurrë aq shumë gjëra sa ai që shikon kur dritarja është e mbyllur. Nuk ka objekt më të thellë, më të pashpje­gueshëm, më pjellor, më të errët e më verbues sesa një dritare e ndriçuar nga një qiri. Ajo që shohim në mes të ditës është më pak interesante se ç’ndodh pas një xhami dritareje. Tek kjo vrimë e zezë apo e ndriçuar jeta jeton, jeta ëndërron, jeta vuan.

Përtej valëve që formojnë çatitë, shoh një grua në moshë të thyer, të rrudhur, të varfër, që është gjithmonë e përkulur mbi diçka dhe nuk del kurrë jashtë. Duke parë vetëm fytyrën dhe rrobat e saj dhe asgjë tjetër, munda ta krijoj historinë e gjithë jetës së saj ose më mirë të themi legjendën e saj. Nganjëherë ia tregoj këtë histori vetes duke qarë.

Edhe po të ishte një plak i varfër në vend të saj, do ta për­fytyroja historinë e jetës së tij me po aq lehtësi.

Pastaj shtrihem në krevat, krenar që munda të jetoj dhe të vuaj duke e vënë veten time në vendin e të tjerëve.

Ndoshta ju do të thoni: “A je i sigurt që kjo është historia e vërtetë?” E ç’rëndësi ka si është realiteti që ekziston pavarësisht nga realitetit im, në qoftë se ai më ndihmon të jetoj, të ndiej që ekzistoj dhe të kuptoj se kush jam?

 

Përktheu nga frëngjishtja: Roland Çipa.

Marrë nga numri 26 i revistës “Akademia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çdo vit më 15 qershor shënohet “Dita Botërore e Parandalimit…