“Mësuesi që u bë vrasës” i Visar Duriqit prezantohet në Panairin e 26-të të Librit në Prishtinë

14 qershor 2026 | 19:13

Nga data 17 deri më 21 qershor 2026, në ambientet e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, mbahet edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026”, i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë.

Me moton “Libri hap botën”, panairi sjell së bashku botues, autorë, lexues dhe dashamirës të librit nga Kosova dhe rajoni. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen me tituj të rinj, të marrin pjesë në promovime librash, panele diskutimi dhe aktivitete të tjera kulturore.

Ndër botimet që pritet të tërheqin vëmendjen e vizitorëve është edhe libri më i ri i gazetarit dhe autorit Visar Duriqi, “Mësuesi që u bë vrasës”. Libri trajton një histori të vërtetë spiunazhi dhe krimi në Kosovë, duke sjellë në qendër figurën e Nazim Bllacës dhe ngjarjet që e shndërruan atë në një nga personazhet më të përfolur të pasluftës.

I bazuar në hulumtime shumëvjeçare, dokumente dhe dëshmi të ndryshme, libri ofron një pasqyrë të detajuar mbi një prej historive më kontroverse të Kosovës së pasluftës.

Që nga promovimi i tij, ai ka ngjallur interes të madh te lexuesit dhe është shndërruar në një nga botimet më të diskutuara të këtij viti.

Gjatë panairit, vizitorët do të kenë mundësinë ta blejnë librin dhe të njihen më nga afër me autorin. “Mësuesi që u bë vrasës” gjendet gjithashtu në shitje në Librarinë Artini.

Panairi i Librit “Prishtina 2026” mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, duke ofruar një hapësirë takimi për autorët, botuesit dhe lexuesit, si dhe mundësi për të zbuluar botime të reja dhe për të ndjekur aktivitete të shumta letrare e kulturore.

Në edicionin e sivjetmë të Panairit të Librit marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, të cilët prezantojnë afro 2,000 tituj të rinj dhe rreth 6,000 tituj të botimeve të viteve të fundit. Gjatë pesë ditëve të panairit do të organizohen mbi 40 aktivitete kulturore, promovime librash dhe takime me autorë, ndërsa pritet që ngjarja të vizitohet nga mijëra lexues nga Kosova dhe rajoni.

Hyrja është e hapur për të gjithë vizitorët çdo ditë nga ora 09:00 deri në 21:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Behgjet Pacolli Terminal dhe ndërtesat perrreth të kryara, ishim…