Vdes futbollisti i FC Trepça’89, presidenti FFK-së ngushëllon familjen Kajtazi

03 dhjetor 2022 | 16:20

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se thellësisht është i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi.

“Një lajm që na tronditi dhe preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi. Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike”.

“Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi. Erioni ishte talent i jashtëzakonshëm, por sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës, e për jetuar përgjithmonë i freskët në kujtimet e familjes, bashkëlojtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit”, ka theksuar Ademi në telegramin ngushëllues.

Ai ka thënë se në këtë ditë të rëndë pikëllimi, në emrin e tij, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit, përcjell ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe bashkëlojtarëve e miqve të Erionit.

“Sot, i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djaloshin shembullor dardan! Lamtumirë Erion! përjetshëm kujtimi për Ty! Me pikëllim të thellë”, Agim Ademi, president i FFK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka vizituar…