Veliu për mungesën e materialit për pasaporta: Janë qesharakë, ç’lidhje ka Ukraina me dokumentet tona?

09 janar 2023 | 13:46

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu e ka quajtur qesharake e fëmijërore kërkesën ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla drejtuar Gjermanisë që të lejojë hyrjen e shtetasve kosovarë me pasaportë të skaduar në këtë shtet, pasi sipas tij, mungesa e materialit për dokumente personale është e pajustifikueshme.

Kosova nuk ka material për shtypjen e pasaportave duke bërë që shumë qytetarë të pësojnë nga kjo gjendje.

Sipas MPB-së, deri të kjo situatë ka ardhur si rezultat i pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë.

Mirëpo, Veliu ka pyetur se çfarë lidhje ka konflikti në Ukrainë me dokumentet e udhëtimit në Kosovë.

“Është e pajustifikueshme, sado që ministri aktual bënë përpjekje të gjejë arsyeje pse është kjo mungesë, e përmend konfliktin në Ukrainë e gjëra tjera të kota që nuk kanë lidhje me këtë punë. Do të ishte e justifikueshme po të ndodhtë në fillim të mandatit, ditët e para që e merr njeriu detyrën dhe është një kohë e arsyeshme derisa të zhvillohen procedura, por pas dy vite qeverisjeje, qytetarët e Republikës mos të kenë mundësi të pajisen me dokumente udhëtimi dhe me dokumente të tjera personale është e pajustifikueshme. Bile është shumë qesharake, konflikti në Ukrainë? Çfarë ka lidhje konflikti në Ukrainë me dokumentet e udhëtimit në Kosovë?”, ka thënë Veliu.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, ka thënë se kërkesat e tilla, si ajo ndaj Gjermanisë, e dëmtojnë edhe imazhin e vendit.

“Kjo kërkesë është shumë qesharake për mua, t’i bëhet kërkesë një vendi që të pranohen dokumentet e skaduara, nuk e di kujt i hyn në punë një dokument i skaduar, sepse kusht për udhëtim qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë edhe vizën. Vizat nuk vendosen në pasaporta që nuk kanë afat. Ata njerëz që janë të pajisur me viza ata duhet ta kenë edhe vlefshmërinë e dokumentit, ndryshe nuk mund të pajisjet me vizë sepse është kusht. Kjo është një kërkesë fëmijërore, qesharake, që sigurisht e prish imazhin e Kosovës, institucioneve, ashtu siç duhet me qenë”, ka thënë Veliu.

Veliu po ashtu ka thënë se në kohën sa ka qenë ai ministër nuk ka pasur mungesa të theksuara të materialit për dokumentacion.

“Në kohën time nuk ka pas shumë mungesa edhe pse është dashur të bëjmë furnizime të shpejta nganjëherë për shkak të procedurave që janë vonuar e që kanë qenë me ankesa, mirëpo mungesë të theksuar të dokumentacionit nuk ka pas”, ka thënë Veliu.

Duke folur për mungesën e materialit për pasaporta, Veliu ka thënë se qeveria duhet të këndellet, ndryshe sipas tij janë duke e dëmtuar vendin.

“Ata (LV) kanë qenë shumë kritikë, i kanë sulmuar vazhdimisht të tjerët pse po bëhet kjo, ndërsa vetë pas dy vite qeverisje po shihet se nuk janë në gjendje edhe një kërkesë elementare të qytetareve me të drejtë themelore të pajisjes me dokumente udhëtimi personale, ta sigurojnë. Kështu që, ata duhet t’i kthehen punës, të kthjellën, ndryshe këtë vend janë duke e dëmtuar pa masë”, është shprehur Veliu.

Ndryshe, për mungesën e materialit për pasaporta pati shumë reagime gjatë 24 orëve të fundit. Mërgimtarët kanë mbetur pa u kthyer në vendet ku jetojnë ndërsa qytetarë në Kosovë pa udhëtuar gjatë periudhës së festave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Edita…