Vendet e Ballkanit i kërkojnë BE-së njohjen e pasaportës së vaksinimit

10 qershor 2021 | 13:59

Vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë kërkuar Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian që të njohë pasaportën e gjelbërt të vaksinimit anti-Covid të këtyre vendeve në mënyrë që qytetarët e rajonit të lëvizin lirisht në hapësirën evropiane.

Lajmin e ka bërë me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë konferencës për media me eurokomisionarin Oliver Varhelyi në Tiranë, ku është mbajtur samiti i radhës i takimit të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne brenda rajonit, por përpara 2 ditësh edhe me Hungarinë në mënyrë bilaterale kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë në post-pandemi pa detyrime ekstra, sot të gjitha vendet i kanë paraqitur KE-së dhe BE-së kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë në aspektin e sigurisë shëndetësore të njihet në gjithë hapësirën e BE-së dhe ne të lëvizim lirisht”, ka thënë Rama.

Në diskutimet për tregun e përbashkët rajonal, Rama ka thënë se Bashkimi Evropian e ka bërë detyrën e vetë dhe tani është radha e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan “tvklan.al”.

“Duhet ta pranojmë që BE-ja dhe KE-ja të vetën deri këtu e ka bërë plotësisht. Na takon ne të bëjmë tonën. Nuk diskutohet që Shqipëria, unë personalisht, kemi qenë që në momentin e parë dhe mbetemi të palëkundur në bindjen tonë se projekti i atij që unë e quaj ‘shengeni rajonal’, është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale por edhe politike për të gjithë rajonin tonë dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij vizioni me BE është e plotë. Procesi i Berlinit është zanafilla dhe tani jemi në kushtet kur po e zotërojmë procesin dhe shpresojmë që vetë Procesi i Berlinit të kalojë nën Komisionin Evropian me dëshirën që takimi i 5 korrikut të jetë i fundit që bëhet në formatin e deritanishëm dhe i vitit të ardhshëm të bëhet në format nën kujdesinë e KE-së me praninë e vendeve të Ballkanit dhe të vendeve të BE”, ka thënë Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Bekim Çollaku Përkundër paqartësive dhe problemeve, së shpejti pritet…