Vendimi i PZAP-it, Cakolli: Nuk u lejua shkelja e ligjit në emër të narrativave politike dhe ‘kauzave’ elektorale

01 dhjetor 2025 | 14:04

Vendimi i fundit i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nuk përbën vetëm një korrigjim teknik të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por shënon një pikë kthese për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kështu ka vlerësuar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), sipas të cilit, me këtë vendim, PZAP-ja thjesht nuk ka lejuar shkeljen e ligjit në emër të narrativave politike dhe “kauzave” elektorale, duke neutralizuar gjithashtu një lojë që mund të deformonte debatin publik rreth diasporës.

“Po aq e rëndësishme është që PZAP-ja i ndaloi përpjekjet për të krijuar një situatë të paqenë, duke paraqitur diasporën si të ‘penguar’ nga votimi. Në fakt, as PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka ndaluar diasporën”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.

Ai ka theksuar se ironia më e madhe është tek ata që e vendosën datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor, me arsyetimin se “diaspora do të jetë këtu”.

“Tani po thonë se as përfaqësitë diplomatike nuk mjaftojnë dhe kërkojnë qendra shtesë, kryesisht në hapësira private, në restorante apo ambiente fetare… jo për arsye nevoje reale, por për të forcuar narrativin politik”, ka shkruar ai.

Cakolli ka theksuar se përpjekjet për të shtuar qendra votimi jashtë përfaqësive diplomatike nuk janë të nevojshme dhe shërbejnë më shumë për ndërtimin e një narrative politike sesa për të rritur qasje reale për votuesit.

Sipas tij, përvojat nga zgjedhjet e 9 shkurtit tregojnë se qendrat jashtë vendit pothuajse nuk kanë arritur të plotësojnë kapacitetin maksimal, duke dëshmuar se infrastruktura ekzistuese është e mjaftueshme.

“Diaspora nuk duhet të bjerë pre e diskurseve përçarëse. Vota e çdo qytetari jashtë vendit do të ketë vlerë dhe legjitimitet të plotë, nëse respektohet ligji”, ka shkruar Cakolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Festa e horrave: Për Festën…