Vendimi për thirrje në telefon të mërgimtarëve, sqarohet Valdete Daka

12 janar 2021 | 11:56

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë se ky institucion edhe më herët ka bërë verifikimin e votave të ardhura nga jashtë, kjo duke i’u referuar vendimit të fundit për votat nga diaspora.

Daka, ka sqaruar se vendimi i marrë në mbledhjen e së hënës që të thirren në telefon të gjithë ata që aplikojnë për të votuar, nuk përbën shkelje dhe është verifikim që e kanë bërë në vazhdimësi.

“KQZ-ja duke marr parasysh që vota nga diaspora është lehtë e cenueshme dhe shumë lehtë e manipulueshme ka marr një vendim me të cilin do të bëjë verifikimin e të gjitha votave të cilat vinë nga diaspora, respektivisht do të bëhet verifikimi i identiteti të aplikuesve dhe do të vlerësojmë se a janë ata aplikues për regjistrim si votues jashtë Kosovës me të vërtet votuesit të cilët kanë të drejtë ligjore që të votojnë apo është duke votuar dikush në emër të tyre”, ka thënë Daka për “EO”.

Verifikimi në këtë formë, ka thënë ajo se po bëhet për të eliminuar çdo manipulim të mundshëm. Daka ka përmendur se në vitin 2017 në Istog është konstatuar pas verifikimit se një numër i madh i votuesve që kanë hedhur votën nuk kanë qenë fare votues.

Më tutje, Daka ka shtuar se këtë punë e kanë praktikuar edhe në zgjedhjet e vitit 2019, si dhe në ato për kryetar të Podujevës vitin e kaluar.

“Edhe mbi bazën e këtyre ne kemi vendosur që ta bëjmë verifikimin sepse na ka ndodhur që në vitin 2017 në Istog ka ndodhur që kemi pasur një manipulim të votave dhe PZAP-ja pasi që ka bërë verifikimin e shumë votuesve ka gjet se ata votues praktikisht nuk kanë qenë fare votues dhe nuk kanë ekzistuar dhe në këtë mënyrë është bërë keqpërdorim i të drejtës qytetare të cilët kanë të drejtë të votojnë, dhe pra kjo ka qenë një prej arsyeve kryesore dhe natyrisht duke u bazuar edhe në këtë vendim po edhe në praktikën ku ka raste se me një ‘e-mail’ për regjistrim vinë ndoshta 100 emra të ndryshëm dhe natyrisht që ajo menjëherë është çështje për tu dyshuar dhe ne atëherë e verifikojmë votën”. ka thënë ajo.

Aho ka thënë se verifikimi do të bëhet edhe votave që vijnë nga Serbia.

“Ne do ta bëjmë vlerësimin edhe të votave që vinë nga Serbia dhe të gjitha votave që vinë nga diaspora sepse në momentin që ne kemi ndonjë dyshim dhe ngritet ndonjë çështje e tillë ne kemi obligim ligjor që ta verifikojmë secilën votë”, ka thënë Daka,

Ndërsa menjëherë pas vendimit të KQZ-së, kishte reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se nuk mund të kushtëzohet e drejta votës vetëm me një telefonat.

Mirëpo, Daka është shprehur se vendimi nuk është i saj pasi pro tij kanë votuar 11 anëtarë të tjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë pastruar të gjitha rrugët në fshatrat që gjinden në…