Vendimi për vizat drejt fundit: Parlamenti Evropian voton javën e ardhshme, pastaj vetëm nënshkrimi

11 prill 2023 | 22:27

Komisioni për liritë qytetare, punë të brendshme dhe drejtësi i Parlamentit Evropian, më 23 mars ka miratuar edhe një herë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi një gjë të tillë, para disa javësh, e kishin miratuar edhe ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ky vendim kishte marrë shumicën e nevojshme në këtë komision parlamentar me 47 vota për, 8 kundër dhe 4 abstenime.

Parlamenti Evropian ka planifikuar datën 18 prill për të votuar tekstin për të cilën u morën vesh vendet e BE-së.

Pas kësaj, vendimi do të nënshkruhet dhe botohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, do të përmbyllet i tërë procesi formal.

Nuk ka pasur asnjë ndryshim në tekstin e vendimit.

Pra, sipas asaj që ishin marrë vesh qysh në vitin e kaluar përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, ky vendim do të hyjë në fuqi në kohën kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i regjistrimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS), apo jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Pasi afati për hyrje në fuqi të ETIAS-is është shtyrë për vitin 2024 dita e parë e këtij viti, pra 1 janari i vitit 2024, realisht pritet të jetë edhe dita prej së cilës qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen.

Kjo zonë përfshin pothuajse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe vendet si Zvicra, Norvegjia, Islanda e Lihtenshtajni, që nuk janë në BE, por janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi ka kaluar në epërsi ndaj Benficas, në kuadër të…